Albspirit

Media/News/Publishing

Thaçi emërton një rrugë me emrin e djalit të ndjerë të Joe Biden

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, ka pranuar Medaljen “Laetare” këtë fundjavë, medalje kjo që jepet nga Universiteti i Notre Dame dhe që e ka vlerësuar Bidenin si një politikan katolik “që vë të mirën e kombit para fitoreve partizane”.

Ndërkaq Biden, në fjalimin e tij pas pranimit të kësaj medaljeje, tha se është një prej çmimeve më domethënëse që ka pranuar ndonjëherë në jetë.

Duke folur për punën e tij në shërbim të kombit, ai nuk ka lënë pa përmendur edhe shërbimin në Kosovë të të birit të tij të ndjerë, Beau, i cili vdiq më 30 maj të vitit të kaluar nga një tumor në tru.

“Shpirti im, biri im, Beau im, prokurori i përgjithshëm në shtetin e Delaware, figura më e respektuar politike në shtet, ishte paraqitur vullnetar për të shkuar si prokuror amerikan në Kosovë për t’i ndihmuar ata të ngritin një sistem penal të drejtësisë gjatë luftës”, ka thënë Biden.

Ndërkaq, me këtë rast, ai ka bërë me dije edhe një fakt, duke theksuar se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur që një rruge në Kosovë t’ia vë emrin e djalit të tij të ndjerë, Joseph R. Biden Boulevard, raporton Koha.net.

“Sapo mësova se presidenti i Kosovës do t’i vë një rruge emrin e djalit tim, Bulevardi Major Joseph R. Biden”, ka theksuar Joe Biden, i cili qëndroi në Kosovë në vitin 2009, ndërsa një vizitë tjetër e tij pritet të ndodhë sërish në fund të majit ose në fillim të qershorit.

Kujtojmë se Thaçi, në pozitën e kryeministrit të Kosovës, më 21 korrik 2010, ishte pritur Shtëpinë e Bardhë nga zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Joseph Biden.

Në atë takim, veç tjerash, sipas zyrës për informim të Kryeministrisë, Zëvendëspresidenti Biden e kishte cilësuar Kryeministrin Thaçi si “George Washingtoni i Kosovës”.

Joe Biden ka takuar edhe në disa raste tjera presidentin aktual të Kosovës, Thaçin, po ashtu edhe ish-presidenten Atifete Jahjaga, e edhe kryeministrin aktual të Kosovës, Isa Mustafën.

Please follow and like us: