Albspirit

Media/News/Publishing

GJENERALI I SPIUNAZHIT/ Jeta e agjentit Kim Filbi dhe pse e ndihmoi Enver Hoxhën

Filbi ishte përjashtuar vite më parë nga shërbimi i zbulimit britanik MI6 – ai dyshohej si spiun e tradhtar. Në rrezik për t’u arrestuar, Filbi kërkoi ndihmën e qendrës në Moskë. Në janar 1963, ndërsa punonte si gazetar për Observer dhe Economist dhe ndodhej në Bejrut, Liban, Filbi i hipi një anije ruse me destinacion Odesën. Larg nga të priturit si hero, Filbi u mënjanua nga KGB-ja sovjetike, e cila frikësohej se ai mund të ishte agjent afatgjatë i dyfishtë i perëndimit. I vetmuar, Filbi gjeti shishen si ngushëllim duke u dhënë pas pijes. Por në aspekte të tjera, ai u trajtua mjaft mirë, thonë biografët, më mirë sesa qeveria sovjetike trajtonte popullin e vet; atij iu dha një makinë, një vilë e mobiluar, furnizime rregullisht me ushqime të përzgjedhura, edhe nga jashtë shtetit, me të gjitha ato që nuk i kishin munguar në Londër, madje edhe grua, Philby u martua, me gruan e tij të katërt, Rufina Pukhova, e cila në kujtimet e saj shkruan se Filbi kurrë nuk shprehu keqardhje që u arratis, por mbeti i zhgënjyer, i tronditur kur pa njerëz të varfër të rreckosur dhe kuptoi se “ne po ndërtojmë komunizmin” nuk kishte ndodhur. Ai gjithashtu tentoi vetëvrasje, por kurrë nuk foli për t’u kthyer në Angli. Harold Adrian Russell “Kim” Philby vdiq në Moskë në vitin 1988, në moshën 76 vjeçare; ai është cilësuar si një prej spiunëve më dinakë të shekullit XX.

Profil/ Kim Filbi, ose heroi gjeneral i spiunëve

Në krye të seksionit të shërbimit sekret anglez ishte Kim Filbi. Ky seksion merrej me luftën kundër spiunëve të Moskës. Dhe për çudi në krye të këtij seksioni ishte ai që bëri aq emër në historinë e agjentëve botërorë.

Ai lindi në Indi, koloni e Anglisë; djalë kurajoz, pak rebel, mendohej gjatë para se t’i futej një problemi, por mund të përmbyste edhe malet për ta realizuar atë.

13-kim-philby-pa

Nuk ndërronte mendje kollaj dhe qëndrimin e vet e kishte deklaruar: “Urrej fashizmin deri në vdekje dhe varrin e dua në Rusi”. Më 1929 në Angli erdhën në fuqi laburistët, vit që shënoi edhe vendosjen e marrëdhënieve mes Bashkimit Sovjetik dhe Anglisë dhe ky vit shënoi edhe fillimet e një simpatie te anglezët ndaj revolucionit rus e B.S. Modeli sovjetik po simpatizohej deri aty sa shumë të rinj intelektualë, përfaqësues të shtresave të pasura, kishin nisur të përbuznin jetën e tyre mondane e të shfaqnin shenja rebelimi ndaj klasave të pasura.

I tillë ishte edhe Kim Filbi që, duke u ndjerë afër ideve të komunizmit, u bë anëtar i një shoqërie tepër sekrete ku aderonin mjaftë të rinj të tjerë disa prej të cilëve hynë në listat e KGB-së.

Studioi për histori e ekonomi, vendosi lidhje me simpatizantë të tjerë, madje edhe në Francë e Gjermani me një qëllim të madh: luftë kundër nazistëve gjermanë. Herë nga Anglia e herë nga Austria, vendi ku kishte mjaftë çifutë, por që ishte edhe vendi më antisemit i botës,

Kim Fildi u vu nën shërbimin sovjetik, gjithnjë i vëmendshëm e besnik për çështjen e revolucionit botëror. Në Austri, ku gjermanët ishin ulur këmbëkryq, ai pa me sytë e veta ç’masakra bënin nazistët, imazhi i të cilave la gjurmë të thella në shpirtin e djaloshit. Mjaftë i vëmendshëm e kurajoz ai ndiqte përparimin e nazizmit nëpër Evropë.

Në Austri u njoh me Licin, një vajzë hebreje me të cilën u dashurua dhe ndikimi i saj anti-Hitler ka qenë jo i paktë te agjenti i ri, shpirti i të cilit ishte përmbytur nga idetë komuniste. Për gjashtë vjet rresht çifti i ri forcën, kurajon, energjitë i vuri në shërbim të luftës kundër fashizmit, kësaj murtaje që s’po përmbahej as tej Gjermanisë. Kur Lici ishte në listat e atyre që do të arrestoheshin, ajo iku në Angli, ku mori edhe nënshtetësinë angleze e që edhe në vendin e ri, çifutja e re dhe e shkathët si një zhivë u vu në kontakt me partinë komuniste angleze duke e vënë përfundimisht të shoqin në shërbim të komunizmit sovjetik.

Rekrutit të ri plot talent iu besua detyra e ngritjes së një rrjeti më të gjerë që do të viheshin nën shërbimin rus dhe këtu del Gij Bërgesi, takimi me të cilin u krye në një klub të Londrës ku u fol se nëse gjendeshin elementë fashistë që kishin mundur të filtronin mes rradhëve të komunistëve britanikë.

Por duke patur frikë nga e kaluara e tij si simpatizant i lëvizjes komuniste, mendoi t’i braktiste ato, të fshihte dosjen e vet dhe duke shfrytëzuar diplomat që zotëronte, aftësitë e tij si gazetar, njohjet dhe lidhjet e babait me njerëz të sferave të larta, arriti të krijojë lidhje në shoqatën anglo-gjermane deri atje sa Gebëlsit, atëherë ministër i propagandës në Gjermani, iu propozua që Filbi mund të punonte në Berlin.

Dhe vajtja në Gjermani sigurisht solli njohje të mëdha duke rritur kështu besueshmërinë e rusëve ndaj emrit të tij. Ai mundi të sigurojë disa emra prapa të cilëve ishin elementë nazistë që operonin në klasën politike dhe administratën e lartë britanike. Por Filbi pati synime më të larta: zbuloi se së shpejti në Spanjën e Frankos do të plaste lufta civile e që më pas atij iu besua Spanja duke infiltruar kështu në rrethin e ngushtë rreth Frankos. Sërish ai vuri në shërbim njohjet e babait i cili tashmë pati menduar se i biri e kishte braktisur komunizmin dhe tani i interesonte vetëm gazetaria.

Por arritja në Spanjën e ndezur nga lufta solli një incident që për pak do ta kishte varrosur Filbin; iu gjet në xhep një kod dhe ai shfrytëzoi madhështinë që të jep një çast i vetëm, por i madh. Pak hapësirë, një sekondë dhe ai mundi të gëlltiste një copë letër… Dhe gjithçka më pas në Spanjë foli për të. U plagos në një aksident, ndërsa shkonte si një gazetar në një front lufte e Frankoja e dekoroi. Filbi këtu ishte bërë me krahë. Ai po depërtonte tani në rrethin e ngushtë të Frankos e prania aty i siguronte jo pak të dhëna të cilat fluturonin drejt Moskës. Këtu, siç del më pas nga dokumentet e KGB–së Filbi ka propozuar vrasjen e Frankos, por që s’kishte gjetur miratim në qendrën e vet në Moskë. Të tjera rrugë e afronin me rrethin e Frankos. Gruaja e një baroni anglez, një femër me rëndësi në sferat e larta të shoqërisë u bë e dashura e re e Filbit.

Kjo marrëdhënie rriti mjaft vlerat e tij si agjent, por prishi familjen. Lici tashmë i kishte kuptuar marrëdhëniet e të shoqit me të. Ata nuk u grindën kurrë e gjer në fund mbetën miq të mirë. Qendra sërish kërkonte të tjera prova nga Filbi. Atij i duhej të hynte në shkollën e kodeve e të shifrave ku iu besua detyra e instruktorit, ku ai shpalosi vlerat e një profesionisti ku tharmi e intuita ishin në shkallën më të lartë.

Kështu kandidatura e tij pranohej kudo ku ai mund të trokiste.

Fliste shumë gjuhë, njihte mirë shtetet e Europës që bënin politikën e madhe, inteligjent e profesionist. Lidhja e re martesore i siguroi të drejtën që ai t’i hidhte një sy dosjes së shumë agjentëve që luani i deteve- Anglia- kishte kudo nëpër botë. Kur lista u shfaq në zyrat e KGB-së shumëkush nuk u besoi syve. Atje kishte kode që duhej deshifruar. Çdo agjent kishte pesë shifra ku përfshihej vendqëndrimi dhe kodi i tij. Dhe lëvizjet e tij nëpër Spanjë u sollën agjentëve gjermanë që vepronin në këtë vend dëme të mëdha, ku veprimtaria gjermane anti-Britanike kishte bazën e vet në Spanjë e që lëvizja e fundit e Filbit drejt kësaj të fundit i solli dëme të mëdha Gjermanëve.

Kur Gjermania ra, raportet sekrete shkruanin se B.S., pas fitores do të triumfonte duke kërkuar hegjemonizmin saj nëpër Europë. E për të penguar këtë përhapje britanikët duhej të ndërmerrnin hapa konkretë deri te ngritja e një seksioni përkatës. Zyrat e KGB-së i kërkonin Filbit të hidhte në dorë dokumentat e këtij seksioni. Shumëkush s’kishte besim, por ai ia arriti. Sigurisht jo gjithçka rrëshqiste mirë. Një nëpunës i ambasadës sovjetike në Ankara në këmbim të një arratisjeje dhe ca të hollave u dha përfaqësuesve të Anglisë në Turqi emrat e tre spiunëve angleze që punonin për llogari të sovjetikëve. Ishin Filbi, Bërgesi dhe Meklin, por që për fat të treshes posta ra në duart e Filbit i cili njoftoi qendrën. Punonjësi sovjetik “u paralizua” dhe më vonë vdiq.

Gjithçka u mbyll qetësisht dhe tashmë Filbi ishte truri i spiunazhit evropian. Aleanca Atlantike e pa qartë se Hitleri po thyhej e duhej sabotuar komunizmi në Bashkimin Sovjetik. Agjentë të shumtë zbarkuan, por shumica binin në duart e trupave te kuqe. Ishte e qartë; spiunët rusë lajmëronin gjithçka. Ishte viti ’51, kur Kim Filbi ”mësoi” për arratisjen e Meklinit (ai kishte ndihmuar në atë arratisje) dhe që aty ai e kishte fare të qartë se shërbimit të tij po i vinte fundi. Hapi sirtarët e kujtesës së tij duke kërkuar të sistemojë aty gjithçka. Shumë dokumenta i dogji në oxhakun e shtëpisë së tij, të nesërmen edhe aparatet që i kishin shërbyer për fotografimin e dokumentave.

U kthye nga Amerika; u mor në pyetje, por ai ishte i përgatitur për gjithçka dhe u mbrojt mjaft mirë. Amerikanët kanë kërkuar që ai të shkonte në gjyq shumë më herët, por anglezët kanë hezituar, vetëm e mbanin nën survejim. Ai ishte brenda rolit të vet; mjeshtërisht, arriti të bindë qeverinë britanike se ata s’kishin asnjë fakt që të vërtetonte se ai kishte qenë agjent i sovjetikëve.

Shkoi në Bejrut si gazetar dhe që andej më 1963 u vendos në Moskë, ku vitet e fundit i kaloi i vetmuar, por kurrsesi pasiv; përgatiti biografitë e plota për shumë agjentë sekretë, merrej me problemet më specifike të shërbimeve sekrete etj.

kim-philby-red-ii-e1426883695469

I rrethuar nga miqtë e tij të shumtë, më 10 maj të vitit 1988, heroi më emblematik i spiunazhit sovjetik, gjenerali më i famshëm i kundërzbulimit, intelektuali i rangut të lartë, aspiruesi më i devotshëm i idealeve komuniste, vdiq. Varrimi i tij ish madhështor, siç ishte edhe vepra e emri i tij për Rusinë.

***

Tradhtia shqiptare e Kim Filbit

Këtë vit BBC transmetoi për herë të parë pamjet filmike të një fjalimi të ish-spiunit Kim Filbi. Videoja është gjetur në arkivat e ish-shërbimit sekret gjermano-lindor Stasi dhe në to ai flet për jetën e tij si agjent i dyfishtë. Në të ai shfaqet duke folur në një seminar me agjentët gjermano-lindorë, të cilëve u mëson se si të jenë të suksesshëm në spiunazh.

Filmimet janë të parat që publikohen për të. Gjatë fjalimit, Filbi përmend edhe një episod për të ilustruar kostot njerëzore të tradhëtisë së tij.

Në kohën kur ishte me detyrë në Uashington si ndërmjetës mes shërbimeve sekrete britanike dhe atyre amerikane, Filbi tradhtoi operacionin sekret të dërgimit të mijëra shqiptarëve të arratisur në vendin e tyre për të përmbysur regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Filbi tregon se informacionet për kohën dhe vendndodhjen e të ashtuquajturve diversantë ia kalonte KGB-së sovjetike dhe kjo e fundit më pas Sigurimit të Shtetit në Tiranë, i cili asgjësoi shumë prej tyre.

Në leksionin e tij, Filbi pretendon se ka ndihmuar për parandalimin e luftës së tretë Botërore. Ai pretendon se, nëse nuk do të kishte kompromentuar operacionin dhe nëse ai do të kishte patur sukses, CIA dhe shërbimi sekret britanik do të tentonin sërish të njëjtën gjë në vende të tjera komuniste si Bullgaria. Sipas tij, kjo do të çonte në ndërhyrjen e ish-Bashkimit Sovjetik, duke çuar në një luftë të vërtetë./ TO/

Please follow and like us: