Albspirit

Media/News/Publishing

Numrat më interesantë në rrjedhën e historisë

Histori – Shifrat fshehin fakte dhe njohuri të pabesueshme për kulturën, betejat, fatkeqësitë dhe triumfet e së kaluarës. Më poshtë, nëpërmjet numrave, paraqiten detaje interesante të historisë së planetit tonë Bota është e mbushur plot me fakte dhe detaje të jashtëzakonshme të cilat mund të rrëfehen falë numrave. Shifrat fshehin histori dhe njohuri të pabesueshme për kulturën, betejat, fatkeqësitë dhe triumfet e së kaluarës. Autorja amerikane Emma Marroitt, në librin e saj “Një histori numrash botërorë”, nëpërmjet numrave sjell detaje interesante të historisë së planetit tonë.

700 simbolet piktografike sumere

Sistemi i parë i shkrimit u zhvillua nga sumerët, të cilët ndërtuan një nga qytetërimet më të hershme të Mesopotamisë Jugore. Çdo qytet kishte territorin e vet të tempullit si një vend adhurimi, që gjithashtu shërbenin si qendra administrative ku tregtoheshin lëndët e para, si kallaji nga Afganistani apo bakri nga Qipro. Për të menaxhuar dhe për të regjistruar këtë sistem të tregtisë, sumerët zhvilluan një formë të të shkruarit të përbërë nga më shumë se 700 simbole piktografike, e cila ishte ndoshta në përdorim edhe në vitet 3.300 para erës sonë.

2.5 milionë blloqe guri të Piramidës së Gizës

Nga tre piramidat e ndërtuara nga egjiptianët e lashtë në Giza, Piramida e Madhe është më e veçanta, që është 146 metra e lartë. Janë dashur 20 vjet për ta ndërtuar, por pyetja që është shtruar ka qenë gjithnjë se si janë vendosur gjithë ata gurë të rëndë në një rajon ku rrota dhe vinçi ishin të panjohura.

40% të pronësisë së tokës e zotëronin femrat në Spartë

Ndryshe nga pjesa tjetër e botës antike, femrat në Spartë gëzonin pushtet dhe status. Sipas Aristotelit, femrat zotëronin 40% të pronësisë së tokës dhe ishin një figurë tepër e çmuar. Femrat spartane mund të trashëgonin pronë dhe të merrnin gjysmën e pasurisë ashtu si dhe djali i lindur.

Viti 0 nuk ekzistoi kurrë

Vitet pas erës sonë, në kalendarin kristian, janë të numëruara nga viti i lindjes së Jezu Krishtit. Duke qenë se numri 0 ishte i panjohur në Perëndim, Dionisi e filloi epokën e re të krishterë, nga viti 1, dhe jo viti 0.

29.5302 ditë, cikli hënor Maja

Qytetërimi 2000-vjeçar Maja u zhvillua në gadishullin Jukatan, në Guatemala. Një nga praktikat që ka ngjallur më shumë interes tek arkeologët është sistemi kompleks kalendarik. Me sy të lirë, astronomët Maja llogaritën gjatësinë e ciklit hënor si 29.5302 ditë, disa sekonda më të shkurtër nga 27.53059 ditë të llogaritura nga astronomët modernë.

1 në 200 njerëz me prejardhje të njëjtë

Sipas një studimi amerikan, 8% e njerëzve në Azi në një rajon që shtrihet nga Paqësori deri në Detin Kaspik ndajnë një prejardhje të kromozomit Y që duket se e ka origjinën nga një mashkull të vetëm. Modeli gjenetik të bën të kuptosh se është krijuar në Mongoli më pak se 1000 vjet më parë. Kjo barazohet në rreth 16 milionë persona, që është e barabartë me 1 në 200 njerëz që jetojnë në planetin sot.

180 burra pushtuan Amerikën e Jugut

Në vitin 1531, aventurieri spanjoll, Francisco Pizarro, zbarkoi në bregdetin e perandorisë Inca me vetëm 180 burra dhe 27 kuaj. Ai kishte dëgjuar histori për një perandori të madhe e të pasur në Amerikën e Jugut dhe vendosi ta pushtonte në emër të Spanjës. Një ide që nga shumë u konsiderua si e çmendur. Por Pizarro ia doli dhe së bashku me njerëzit e tij kapi perandorin Anthualpa. Konkuistadori spanjoll pushtoi perandorinë Inca me një popullsi prej 5-10 miliona vetash.

18.5 vite, jetëgjatësia mesatare gjatë revolucionit industrial

Kjo shifër që tregon jetëgjatësinë mesatare të njeriut, nuk i referohet as Epokës së Bronzit dhe as kohës së skllevërve, por ka ndodhur në mes të shekullit të 19. Gjatë revolucionit industrial, u rrit dukshëm numri i ditëve të punës, ndërsa urbanizimi masiv ndikoi në përhapjen e sëmundjeve si kolera dhe tifo. Për këtë shkak, jetëgjatësia mesatare e një punëtori ra në 18.5 vjeç.

2.5% e italianëve flisnin italisht

Në Itali, gjuha e ëmbël italiane nuk ka qenë e përqafuar masivisht nga populli. Shumica e banorëve të krahinave ruanin dialektin lokal ose rajonal, ndërsa të tjerë u larguan nga rrethi ku kishin lindur. Në vitin 1861 në Itali, vetëm 2.5% e italianëve flisnin italisht. Frëngjishtja flitej nga zonat autonome në veri dhe dialekte të ndryshme në pjesën tjetër të vendit.

159 milionë kombinime të Kodit Enigma

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjermanët e ndryshonin të paktën një herë në ditë Kodin Enigma. Aleatët ishin të detyruar që për të zbuluar çfarë komunikonin nazistët të kombinonin 159 milionë kombinacione të reja çdo 24 orë. Ky ishte niveli i detajeve me të cilat matematicienëve në Bletchley Park u është dashur që të merren që të mund të deshifronin sistemin Enigma dhe të zbulonin mesazhet e koduara të nazistëve. Deshifrimi i sistemit Enigma ndikoi shumë në fitimin e luftës nga ana e aleatëve SHBA-Britani-Rusi.

Please follow and like us: