Albspirit

Media/News/Publishing

III. Fritz Radovani: 2021, VITI AT PJETER MESHKALLA S.J.

Pjesa IX

 

“KLERI KATOLIK SHQIPTAR DHE EUROPA…”

 

Bisedat e At Meshkalles kishin një qellim kryesisht të mirë, prandej koha që kalonte njeriu me Té, për të gjithë dukej aq shumë e shkurtë. Çdo fjalë të mësonte dishka të mangët po, Ai, nuk pritonte me u rikthye prap për me të mbushë mendjen.

Kur rikthehej për me dhanë ndonjë mendim tjeter për Imzot Ernesto Çobën, e përfundonte bisedën me respekt për Té, kryesisht për mostolerancën e Tij në çeshtjet dogmatike dhe e mbyllte bisedën me mendimin se “vetëm Imzot Çoba asht fakt, që asht kenë adapt për këte kohë, mbasi asnjë tjetër nuk do të kishte ditë as mujtë me veprue si Ai, për kushtet që janë kenë në Shqipni. E me të vërtetë, edhe Imzot Ernesto Çoba vdiq Martir i Fesë në labirintet e Sigurimit në vitin 1981.”

Në burgun e Burrelit me vite të tana kishin ruejtë me kujdes dhe i kishin qarkullue dorë në dorë fletoret me mësimet e Pader Mëshkallës. Ato janë kenë gjaja ma e shtrenjtë për të gjithë ata që i kanë lexue e mësue me ta. Bashkvuejtësi Frano Prendi më tregonte për kujdesin e madh me i mëshehë ato kur bahëj kontrolli i plaçkave të të burgosunve, që hapeshin në oborrin e burgut në kohë shiu e dielli përvlues. Ato ruheshin si rrelike. Rinia ndër ato fletore lexonte të vërtetën, shihte realitetin, merrte gurtë e parë të themelëve të kulturës Europiane me të cilën Pader  Meshkalla, kishte edukue brezni të tana. E cilës fushë nuk i përkisnin ato?

Për shkathtësinë apo dinamizmin e Tij asht zor me shkrue, për mos me thanë, që asht gjaja ma e vështirë, mbasi guximi dhe inteligjenca në përsonin e Tij ndërthureshin në një mënyrë krejt origjinale. Njëherë e pyeta: “Si e shpjegoni Ju, Padër, që Kleri Katolik asht i pashembullt për qëndrimin e Tij si në birucat e Sigurimit, si ndër burgje e kampe pune, ashtu edhe ndër gjyqe, që pa asnjë mëdyshje janë kenë të gjitha montazhe, për këte unë nuk kam asnjë dyshim, se kjo asht diçka e njohun dhe e provueme, atëherë, pse ndodhi ashtu me Don Ejëll Kovaçin? (Don Ejëlli asht pushkatue me akuza false në vitin 1958. Edhe Ai nuk ka nënshkrue Statutin e Kishës Katolike të përpiluem nga Qeveria Komuniste në vitin 1951 dhe të nënshkruem nga pjesa ma e madhe e klerit që ishte i lirë). Pader  Meshkalla u mendue pak dhe mbasi pyetja ime me të vertetë ishte dishka shumë delikate dhe plotsisht e papritun prej Tij, më dha këte përgjegje të paharrueshme prej meje:

-“Dikush nuk ka gjetë forca për me përballue, dikush po. Unë për vedi po të diftoj çfarë me ka ndodhë kur jam arrëstue në fillim. Kur hetuesi po më pyeste, unë i kundërshtova…Ai më ra një shputë dhe unë rashë përtokë… m’u duk se m’u hap qiella dhe i kërkova ndihmë Zojës së Papërlyeme: O Zojë, më ndihmo me bajtë këto tortura, më forco mos të ligështohem, me ruej nën dorën Tande!.. Ndoshta, askush nuk e beson, por asht fakt që gjatë gjithë hetuesisë mue vetëm një shputë më kanë ra, e ç’prej asaj ditë që Ju mbështeta Zojës, nuk më ka prekë ma kush prej atyne kriminelave me dorë”.

Do të veçoj një thanje të Atit të papersëritshem në Shqipni:

“… E për 30 vjet me nxjerrë aq Heroj sa kemi nxjerrë na, nuk ka asnjë kler në Botë.”Dijetarët e mëdhaj shpesh s’ persëriten! E këte e percakton thanja e At Mëshkallës, mbrenda së ciles do të vijnë koha që, per atë thanje do të shkruhen libra…

Ajo duhet të studjohet nder shkolla e Universitete, tue ju ba e dijtun brezit të rij se: “Ishin Trojet e Gjergj Kastriotit, ku u lé, u rrit, u edukue e u formue Ai brez i lavdishem i Klerit Katolik Shqiptar, per të cilin na sot, jo vetem jemi krenar, po edhe me një histori të lavdishme në kontinentin e vjeter Europjan.” Veprat antinjerzore të barbarve komunistë në Shqipni nuk janë kenë as të paprituna dhe as të panjohuna në Botë. Ishim një Popull i mbijetuem në mes të bishave të Ballkanit, që i kemi qendrue besnikë Atdheut, Fesë dhe kulturës Europjane! Kishim mbetë vetem njëmiljon e dyqindmijë Shqiptar, e nder Ata Burra, perditë vriteshin e shfaroseshin Ata Heronjë, që në Europën e sotme as nuk i gjindet të pakten një kopje…

Cili Kler Katolik në kampin terrorist komunist prej vitit 1917 kur u vendos në Rusi, ka aq Heronjë sa Populli Shqiptar?! Kush ka vra Klerikë Katolikë në Botë sa anadollakët terroristë Enver Hoxha, Mehmet Shehu e Ramiz Alia ?!.. – Asnjë! Cili nga vendet socialiste apo komuniste kishte një monster kobret si Nexhmije Hoxha që vriste klerikë katolik në vendet socialiste? Kjo, dhe vetem kjo, asht arsyeja që edhe sot nuk i hiqen titujt këtyne terroristëve vrastarë të pakrahasueshem n’ Europë!! Kjo thanje per Klerin Katolik Shqiptar sot asht e njoftun edhe nga vendet e zhvillueme në të gjithë Europen Perparimtare, po fatkeqsisht, mjaft e gjymtueme nga grupe drejtuese qeveritare e shtetnore, që jo vetem nuk e dishrojnë një hymje të shpejtë të Shqipnisë në Bashkimin Europjan…Po, edhe e pengojnë ate!

Sot per këte, ma shumë se kurr flasin faktet!

Melbourne, 22 Shkurt 2021.              

 

Pjesa X

 

R.P.S.SH. – NJË BURG – SHTET

Ishim të rrethuem çdo pëllambë tokë në tela me ferra, mitraloza dhe zagar të Sigurimit komunist!

At Pjeter Meshkalla i kujton Mehmet Shehut se:

“Kur në vjetin 1945 në Tiranë, me 8 mars, unë u ankova Juve, Shkëlqesë, se kishëm ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjegjët: “Kjo asht propagandë anmiqësore”.

Përgjegjën që Pader Meshkalla i ka dhanë atëherë në atë takim nuk ia ka shkrue në letër, sepse kishte rasën me i thanë ma shumë tashti në 1967. Atëherë Pader  Meshkalla i ka thanë atij: “…Në kjoftë se keni me e pasë të gjatë sundimin, kanë me dalë fjalët e mija, se ju nuk mund të delni jashta parimëve tueja, e ato parime ti i njeh mirë, se i ke pa në Spanjë…Unë i kam lexue vetem nder libra, ndersa ju, jo vetem, i keni pa me sy, por edhe dini shumë ma teper se unë, me sa asht shkrue etj.” Unë e pyeta At Pjetrin: Po, nuk e pate frikë aspak o Pader?

Ai më shpjegoi se, “as sot Europa nuk di ate shka komunistët që kanë shkue ‘vullnetarë’ atje, kanë ba kunder atij popullit dhe klerit Katolik! Asht vështirë me besue si u dhunuen mija e mija murgesha e vajza të reja…” Dhe, me të vertetë atje asht kenë provue fillimisht se: “Kriminelët janë trima vetem, deri kur, nuk ua di kush krimet e tyne shtazarake e barbare”. Per këte thanje prova ma e sakta sot asht Shkodra e masakrueme!

Në vitin 1946 në Degen e Punve të Mbrendshme të Shkodres, u pat formue “Seksioni Katolik”… I vetmi në Shqipni, ashtu si në 1967, me “Revolucionin Ideologjik e Kultural”, po në Shkoder, u hap “Muzeu Ateist”, edhe ky i vetmi në Botë, që per fat të mirë “nuk e kam vizitue asnjëherë”, mbasi nder muret e tija unë kishe njerzit e mij të nderuem, tue fillue nga vllau…

E per këto qendra antinjerzore At Meshkalla shkruen në leter: “Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vetit.” (Letra e dergueme kryeministrit…1967)

Ky pra, ishte At Pjetër Meshkalla, që burrnisht ua përplasë në surrat krimet e tiranëve e katilave komunistë të PPSh…!

Ka shumë mundësi, që sa herë i ka kujtue këta dy rreshta të kësaj letre vrasësi Enver Hoxha, “e kanë shtye” me vra shokët e vet që i kanë ba atë propagandë, sepse ata, ishin “armiqtë e tërbuem të Partisë dhe të Pushtetit të tij personal”!..

Ai zgjohej somnambul dhe shihte çdo natë një njeri mu në kolltukun e tij dhe, vërriste si kafshë e tërbueme: “… Ishte pikërisht… ki.., po, po, armiku i Partisë sime, ishte pikërisht ki..,armiku i kllasës, po po…, ki ishte, për ideal.., e kam parë.., nuk më gënjen mua njeri.., ki ishte.., hiqjani kokën ju them!…

Se, kështu na mëson Partia ime!”… Vrisni ju them, vrisni!.. Vrisni ju them… A më dëgjon o Sulo… Vrisni ju them…!!!

E, vetem kur ndigjonte pergjegjën e Nexhit: “E kemi vrarë!”, binte në gjumin e tij e, vazhdonte me andrrat e veta vrastare…

E pra, kjo ishte Shqipnia “socialiste”, flamurtare e marksizmit dhe leninizmit edhe n’ Europë…

Kjo ishte Shqipnia e “lumtur”, një burg stalinjan i anadollakut gjinokastrit Everit, që nuk u ngop me Gjakun e Shqiptarit!

Në vitin 1946, në luften civile ishte Mehmet Shehu në Veri, që vuni në jetë nder Malet e Veriut eksperiencen spanjole…

Nga 1945 e deri në 2 Prill 1991, ishte skilja vrastare Ramiz Alia, që e filloi terrorin antiatdhetar me kosovarët e Tivarit…

Dhe, po i pason sot, “Rilindja” e Ramoviqit të Stambollit…

E sot, kjo “Rilindje” i ka “heroi të popujve jugosllav, sovjetikë dhe kinez…” Por, mbi të gjithë, janë trashigimtarë të njohun të Sulltan Mehmetit II të Stambollit, që pat thanë kur mori vesht vdekjen e Skenderbuet: “Mjerë tash per Krishtenimin, se ka hupë tashti shpaten e mburojen!”…

Ndersa, tek libri i Marin Barletit “Rrethimi i Shkodres”, po në fq. 63, tregohet sesi sulltan Mehmeti i II ka lanë një “amanet”: “Duhet të shtijmë në punë të gjitha energjitë dhe armët tona në mënyrë që mos të mbesë gjallë asnjë shkodranë.”

E kjo detyrë, po vazhdohet nga terroristët e “rilindjes” PKSh…

Melbourne, 4 Mars 2021.

 

Pjesa XI

 

8 MARS 1945:

 

Në Kishen e Jezuitëve të Tiranës…

 

Përshpirtje për Imzot Luigj Bumçin:

Marrë nga gazeta  “Bashkimi”,  organ I Frontit Nacional- Çlirimtar, botue me datën 8 mars 1945, ditë e enjte:

Dje në mëngjez, në kishën famullitare katolike, u bë një përshpirtje për ditën e shtatë të vdekjës së Imz. Luigj Bumçit, Ipeshkvit të Lezhës.

Mirrnin pjesë: Gjeneral Major Spiro Mojsiu, Kolonel Ramadan Çitaku,  Ministër i Financave Manol Konomi, Ministër i Drejtësisë, Kolonel Petar Killër i Misionit Ushtarak Jugosllav, Major Wisdorff, Shef i Misionit Ushtarak Francez, Ing. Lazër Treska, Kryetar i Këshillit të Qarkut, Ali Bakiu, Kryetar i Këshillit të Qytetit, Përfaqësia e Kishës Orthodhokse dhe Përsonalitete e miqë të familjës së Imz.Bumçit. Foli edhe Padër Pjetër Meshkalla për jetën e ndritur të këtij apostulli të kishës. Përmendi me një theksim me të vërtetë të ndieshëm përpjekjët e këtij patrioti në ditët e zeza të jetës sonë rilindëse. Fjala e Padër Meshkallës lidhi veprën e Imz. Luigj Bumçit me historinë tonë”.

Nga shpjegimi i zotni Pjetër Topallit, që në vitin 1946 ndodhej në Tiranë, dij se At  Meshkalla asht arrestue me 21 nandor 1946, mbasi atë ditë që ishte festa e madhe fetare e Krishtit Mbret, Pader Meshkalla kishte predikue për të fundit herë në Kishën Famullitare të “Zemrës së Krishtit”, para dreke, në një meshë solemne ku merrnin pjesë shumë vetë. Në fund të fjalës së Tij, zotni Pjetër Topalli, edhe pse kishin kalue shumë vite (ishte viti 1994), kujtonte saktësisht mbylljen:

“Sot asht dita e Krishtit Mbret! Ka prej atyne që mendojnë se munden me ia hjekë Krishtit Kunorën e Mbretnisë së qiellës e të tokës, por gabojnë, gabojnë, gabojnë!..,”.

 

E martë, 21 gusht 1945 (Po nga gazeta “Bashkimi”)

 

“Në një kishë katolike të kryeqytetit është shkruar ky program për të luturat: “Të lutemi, që popujt e Lindjës, që u shkëputën nga kisha e jonë, të bashkohën prap, siç kanë qenë më parë”.

Gjithënjë lutjet e besnikëve, në çdo kishë, jane drejtuar për problemët e ditës, për hallët, për rreziqet e për aspiratat e popullit… Gjynahet dhe krimët e fashistave, që dikur bëhëshin “më Papë se Papa”, e shkatrruan njerëzimin dhe Evropën dhe na hodhën në një katastrofë, që kurrë s’e ka parë historia. Dhe tani, besnikët tanë, në vent që të lutën ashtu siç lutët populli që të çfarosen këta fashista, që të çfarosët politika e tyre dhe të vijë lumturia e paqa në botë.

Në vent që të shohin me sy gjendjën tonë dhe rrugën që kemi zenë, të bekojnë ata që prunë këte paqë e liri, dhe që përpiqën t’i mbajnë këto, hidhën në disa lutje si ajo “për bashkimin e popujve të Lindjës me Kishën tonë”.

Ku është qellimi e ç’duan të thonë këto lutje?

…Por Përëndia nuk i do luftrat, prandaj, nuk besojmë t’ua dëgjojë lutjën besnikëve të Kishës Katolike të kryeqytetit”.

E enjte, 13 shtator 1945, (gazeta “Bashkimi”).

“…Është e vërtetë se trafiletisti ka bërë gabime datash…po nuk mund të rrimë pa thenë, se pikën e shtatë të shpjegimeve z. Pjetër Meshkalla e ka kuptuar keq, dhe se në pikën gjashtë ka fshehur një pjesë të së vërtetës, që del në shesh po të kujtohet lufta kundër Abisinisë dhe fushata e sotme kundër politikës antifashiste të Bashkimit Sovjetik. Ajo që dëshrojmë është që të gjithë pjestarët e klerit katolik të bashkohën me përpjekjët e gjithë popullit shqiptar…

Disa shpjegime që jep At Pjetër Meshkalla:

Në datën 21 gusht, të k.v. në gazetën “Bashkimi” u duk një trafilet, që u-akuzohej “një kishë katolike e kryeqytetit…”.

“Nuk mungojnë në këte trafilet insinuacione të pavend dhe pohime historike të gjymta.

Prandaj e ndjejmë detyrën me dhanë disa shpjegime…

  1. Kisha Katolike e Kryeqytetit për të cilën bahet aluzion asht Kisha e re e “Zemrës së Krishtit”, në rrugën e Kavajës.
  2. Ai program të lutunash nuk kje shpikun në Tiranë. Janë programe për tanë Botën që formulohen njëherë në vjetë prej Drejtorisë së Përgjithshme të Apostullimit të Uratës, për sejcilin muej të vjetit dhe i paraqitën Papës për aprovim.
  3. Të njejtin program e kemi botue në fletëzën mujore të Apostullimit të Uratës, për muejn gusht, tue pasue me një koment plot simpati e lavdi, për Kishat e Lindjës. Fletëza u botue me aprovimin e Ministrisë së Shtypit e Prop. K.P.
  4. Dhe, ta dijë trafiletisti, se na nuk pushojmë tue u lutë, edhe grishim besimtarët me u lutë për problemët dhe hallet e ditës…
  5. Nuk besojmë t’u vijë keq popujve e Kishave të Lindjës pse na lutemi për bashkim, kurse ata vetë në Liturgjinë e tyne, luten përherë për bashkimin e Kishave, simbas dëshirit të Krishtit, i cili, don që të bahet një grigjë e vetme me një Bari të vetëm. Tek e mbramja, gjithkush ka të drejtë me u dishrue të tjerëve një të mirë që e beson se e ka ai vetë.
  6. Nuk e kuptojmë “ku asht qellimi e ç’duen me thanë: “…insinuacionet për gjynahët e krimet e fashistave, që dikur bëhëshin “më Papë se Papa”. Gabime janë ba shumë, në të kaluemën e largët e të afërt, edhe në lamën Kishtare. Këto gabime të gjithë njerëzit e drejtë i kanë vajtue e dënue. Por duhet kërkue e vërteta në shpirtin e së vërtetës. Na nuk njohim kush asht “ma Papë se Papa”. Na njohim Papën ! Gjithkush e din shka ka ba Papa Piu i XII për me largue prej Botës rrezikun e luftës, për me shpejtue paqën, o, së paku, për me lehtësue mjerimet e saja materiale e morale. Ndër çastët ma delikate e kritike, me guximin ma heroik. Ai ka demaskue e dënue trathtitë, mizoritë, krimet barbare kundër popullsive të pafajshme, kundra çifutënve, mizoritë ndër fushat e përqendrimit të Gjermanisë…
  7. Sa për insinuacione politike fashiste e për nostalgji për Përandorinë e Romës, ta dijë trafiletisti, se ka gabue destinacion. Por ka shkrue ndoshta, pa dijtë mirë, se me ke po flet!…
  8. Ai ban mandej një konfuzion të madh, kur shkruan: “Siç dihet, në Sinodhin e 1050-ës, që u bë në Konstantinopol, në kohën e Patrikut Foti, Kisha e Romës u nda vetë, siç u nda edhe Përandoria e Romës…”. Përandoria Romane kje nda definitivisht në vj. 395. Ndërsa Kisha mbeti e bashkueme për 500 vjet të tjera… Në kohën e Patrikut Foti u ba të ndamit e parë zyrtar i Kishës së Konstantinopolit prej Kishës së Romës. Por Foti vdiq kah 891, prandej asht e pamundun që Sinodhi i vj. 1054 (jo, 1050), të jetë bamun në kohën e tij. Ky Sinodh u ba në kohën e Patrikut Mihajl Cerularit, kur u ndanë definitivisht të dy Kishat. Me insistue se cila u nda prej tjetrës, asht lojë fjalësh sofistike. Edhe arësyenat e ndamjës janë të shumta e komplekse.
  1. As aluzioni i Luftës 30 vjeçare nuk tregon seriozitet e kompetencë. Na besojmë se nuk asht kjo rruga për bashkimin e zemrave.

10. Sa për Përendinë, ai që beson në Té ka të drejtë me e lutë si të duen. Mjaft që të ketë qellimin e mirë e t’u bindet urdhnave të Tija. Përendia din vetë sesi me ia ndigjue lutjen, pa kenë nevoja me ba presion mbi Té e me e sugjestionue!

Pjetër Meshkalla S.J.”.

 

Shenim F. Radovani: Në tekst nuk janë përsëritë vetëm fjalët e gazetës “Bashkimi”, mbasi ato janë në tekstin e gazetës së masipërme të pandryshueme.

 

Dy artikuj të tjerë të At Meshkallës, që i dërgoi asaj gazetë nuk u botuen asnjëherë me gjithë kambnguljën e At Meshkallës për me i botue. Arësyeja asht e kuptueshme nga cilido lexues.

Melbourne, 10 Mars 2021.

 

 

Pjesa XII

 

DOSJA Nr. 1303: Arrestimi i parë i At Pjeter Mëshkallës. Me 21 nandor 1946. (Arkivi i Ministrisë Brendshme Tiranë).

Me datën 22 nandor 1946, ora 08.00, në mëngjez, At Pjeter Meshkalla fillon hetimet në Degën e Mbrendshme të Tiranës. Mbas një përshkrimi të shkurtë të biografisë dhe vendeve ku ka punue, dukët se pyetja ka fillue nga predikimet që ky ka ba, mbasi Padër  Meshkalla fillon e i përgjegjet kështu hetuesit:

“…Pushtetin komunist e kam luftue në të gjitha predikimët e mija. Me rastin e vdekjes së Imzot Luigj Bumçit, i kam ba thirrje nanave të dëshmorëve që mos me kerkue gjak, mbasi kjo ngjallë vetem vëllavrasje… Me Luftën Nacional-Çlirimtare u bashkuen edhe komunistët, e më që këta nuk njohin dhe nuk respektojnë Fenë, unë nuk jam pajtue me komunistët…

Aktivitetin propagandistik kundër (PKSh) Partisë Komuniste Shqiptare e kam fillue në vitin 1943. Kjo parti atëherë drejtonte Luftën N.Çl., por unë, tue kenë kundër komunizmit, kam luftue edhe punën e tyne. Këte propagandë e kam ba edhe ndër familjet ku kam shkue për vizita dhe raste tjera…

At Troshani asht kenë eprori em. Ai nuk merrej me politikë, edhe ai si unë, nuk e donte fashizmin…Unë kam dërgue një letër në Misionin Francez, ia kam dorëzue në dorë Briotit për me e dërgue në Vatikan. Këte letër e kam shkrue bashkë me At Frano Kirin, ku kam tregue ndalimin e lirisë së Fesë, fjalës dhe të shtypit tonë… Një letër ia shkrova edhe Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxhës, por nuk mora përgjegje…

Për lirinë e shtypit tonë unë kam kërkue me u takue me Nako Spiron, por ky më ka çue njeri tjetër… Për votime nuk kam kenë dakord që mos me pasë secili mendimin e vet për partinë që don… Mendimi em ishte se, në Shqipni, Pushtetin nuk duhet ta marrin komunistët, mbasi nuk do të na ndihmojnë shtetet e Europës, mbasi atje ka vetëm Parti Demokristjane, gja që do të ishte e mirë me e pasë edhe na…Imzot Frano Gjini me ka ngarkue me shkrue një letër për Enver Hoxhën, ku bahej fjalë për përkrahjen që duhet me na dhanë shteti né dhe për padrejtësitë që na baheshin… Jam kënaqë kur një i ri nuk ka marrë tesëren e BRASH-it, se kjo organizatë udhëhiqet nga komunistët dhe i kam thanë: “Bravo të kjoftë” dhe, i kam shtërngue dorën…Raste të tilla si ky janë kenë të shumta…

Mbas çlirimit e rihapa Rrethin e “Shën Pjetrit”, se m’u lutën të rijtë dhe unë e pashë të nevojshme me e rihapë mbasi rinia kishte fillue me u implikue me komunista…”.

Hetimet vazhdojnë nga nandori i 1946 e deri në gjysën e prillit 1947. Përpjekjët e hetuesisë për me mujtë me krijue lidhje të veprimtarisë së Pader Meshkallës, me Don Shtjefën Kurtin, i cili ishte i arrëstuem në një natë me té, dështojnë për vetë faktin se Pader Meshkalla, në fillim të proçesit deponon se: “…Me Don Shtjefën Kurtin kam pasë mosmarrveshje, mbasi kam dënue miqësinë e tij me Musa Jukën etj…”.

Kjo shkëputje e ndihmon Pader Meshkallën, ashtu si edhe Don Shtjefnin, tue mos i dhanë mundësi hetuesisë me krijue grup. Në lidhje me Imz. Frano Gjinin, Imz. Vinçenc Prennushin, At Mati Prennushin, At Frano Kirin etj., deponimet e Pader Meshkallës nuk çojnë asnjë peshë për vetë faktin se proçeset e tyne kanë probleme të tjera, që për këte rasë hetuesisë nuk i intereson me u shtri në Tiranë, gja që do të kishte zbehë makinacionët dhe trillimet e thuruna nga Sigurimi i Shtetit në Shkodër. Një fakt: Në vitin 1968, gjyqi kundër klerikëve të Tiranës, aktiviteti i të cilëve “lidhej” me ambasadat e Francës dhe të Italisë që ishin në Tiranë, u ba në Shkodër.

Pse u zhvillue gjyqi në Shkodër, kur aktiviteti i tyne nuk shtrihëj fare në këtë qytet? Atë kohë Shkodra nuk kishte asnjë konsullatë atëherë, pse duhej zhvillue gjyqi aty ku nuk ndigjohëj edhe nga “bashpunëtorët” e huej të këtyne klerikëve, që po jepnin llogari për veprat e tyne në “shërbim” të atyne ambasadave?!.. Kjo praktikë pune nga komunistët asht ndjekë gjithmonë kur Shteti nuk donte që të “përshpëritej” nga të huejt për shpifjet e trillimet që baheshin në drejtim të tyne. Kjo ishte vetëm njena anë e medaljës, mbasi ata i merrnin vesht të gjitha makinacionet e gjyqeve tona në lidhje me ta, po, edhe “atyne” asht fakt se ju kishin “shurdhue” veshtë!! E pse?!

–        Se “heshtja” e tyne (që ishte ana tjetër e medaljës), kishte fillue që në vitin 1945-46, kur gjyqet e “Popullit” mu në qendër të Tiranës, pushkatonin deputetët, intelektualët, politikanët e njerëz të thjeshtë, me akuza fallso dhe shpifje, si “spijunë në shërbim të agjenturave të huaja”. Këto ishin të vazhdueshme, e të përjavshme.

(Shif fletoret zyrtare të 1945, 46, 47 48!…).

Këto akuza u përdoren edhe në drejtim të Pader Mëshkallës, por nuk u besuen as nga vetë komunistët që e njihnin Ate. Vonë, vonë.., po, disa e patën guximin me thanë të vërtetën si e njohën At Pjetrin. Sot, unë kishe me thanë atë që thotë populli:

“Ma mirë vonë se kurrë!…”.

Mandej, duhet me pasë parasyshë se veprimtaria shumë e madhe atë kohë e Pader Mëshkallës, ishte e dijtun nga të gjithë sepse, veprimet janë publikue edhe ndër gazeta. Tue u nisë edhe nga pamundësia me e ngarkue Ate edhe me gjana të tjera të pakenuna, për vetë faktin e njohjes së Tij nga i gjithë populli i Tiranës për aktivitetin e Tij fetar, kulturor dhe atdhetar, në muejn prill 1947, shoqnue me një relacion shumë të ashpër dhe të rrezikshëm për jetën e Tij, Pader Meshkalla, i përcillet Gjykatës Ushtarake të Garnizonit të Tiranës për dënim.

Ja edhe materiali që u botue atëherë në organët e kohës: Marrë nga gazeta “Bashkimi”, me 18 prill 1947, Tiranë ATSH: “Dje Gjykata Ushtarake e Garnizonit të Tiranës dha vendimin e saj kundra një grupi klerikësh, armiqë të Popullit Shqiptar, që të veshur me petkun fetarë, kanë punuar për rrëzimin e Pushtetit Popullor, duke qenë në lidhje me agjentët e huaj, nga të cilët këta kanë marrë të holla dhe udhëzime…

Në këte grup bëjnë pjesë: Dom Shtjefën Kurti, Pader Pjetër Meshkalla, Rrok Oboti dhe Peshkopi Irené Banushi.

Në bazë të këtij vëndimi, i pandehuri Dom Shtjefën Kurti u dënua me 20 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe, me humbjen e të drejtave për 5 vjet.

Pjetër Mëhill  Meshkalla u dënua me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe, me humbjën e të drejtave për 5 vjet.

I pandehuri Rrok Oboti u dënua me 8 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe, me humbjën e të drejtave për 5 vjet.

Peshkopi Irené Banushi u dënua me 5 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe, me humbjen e të drejtave për 3 vjet. Vëndimi i kësaj gjykatë është i formës së prerë”.

…Pjetër Meshkalla pohon se, në muajn Kallnor të vitit 1945, me nisiativën e tij është bërë një mbledhje me klerin jezuit të Tiranës, ku merrnin pjesë: At Troshani, Padër Fausti, Gjadri, etj. Në këtë mbledhje ai përpiloi një relacion që fliste kundër Pushtetit Popullor…

Në këtë relacion jezuiti Padër Meshkalla e cilësonte Pushtetin tonë si “terrorist” dhe si “përsekutonjës i fesë katolike”…

Melbourne, 15 Mars 2021.

Please follow and like us: