Albspirit

Media/News/Publishing

Presidentja e Kosovës nderon Kadarenë me Urdhrin e Pavarësisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri ka dekoruar me Urdhrin e Pavarësisë shkrimtarin e njohur shqiptar, Ismail Kadarenë.

“Pata nderin që në kuadër të vizitës zyrtare në Shqipëri ta takoj shkrimtarin Ismail Kadare, të cilin e dekorova me Urdhrin e Pavarësisë për kontributin e jashtëzakonshëm për afirmimin e kulturës dhe letërsisë shqipe dhe për kontributin e madh në përpjekjet e Kosovës për liri, pavarësi dhe shtet sovran”, – ka njoftuar Jahjaga me këtë rast.

Në vizitën e saj në Shqipëri Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zgjedhur të vizitojë dhe një qytet nën mbrojtjen e UNESCO-s, siç është Berati, ndërkohë që Kosova është duke aplikuar për anëtarësimin në UNESCO.

E shoqëruar nga delegacioni i saj, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mbërriti mesditën e sotme në Muzeun Kombëtar Onufri, ku është pritur nga kryetari i bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj dhe specialist të këtij muzeu. Pasi ka vizituar nga afër muzeun dhe ka nënshkruar në librin e përshtypjeve, Presidentja Jahjaga u shpreh se ndonëse UNESCO merr nën mbrojtjen e saj monumentet e trashëgimisë, përfshirja është edhe përgjegjësi sepse vlerat duhet të ruhen në bazë të standardeve.

“Unë gjithmonë jam mrekulluar me bukuritë e jashtëzakonshme që ka Shqipëria, por që të vijë këtu tek muzeu ishte një përvojë jashtëzakonisht e veçantë për mua dhe për delegacionin tim. Veçanërisht ky muze që na kthen të gjithëve në kohën mbrapa dhe unë dua që ti përgëzoj që të gjithë qytetarët e Beratit që kanë mundur që ta ruajnë këtë trashëgimi kulturore dhe ta përcjellin nga gjenerata në gjeneratë”, – ka thënë Jahjaga e cila ka përgëzuar kryetarin dhe të gjitha institucionet e tjera. “Unë e di që Berati është në listën e trashëgimisë kulturore, UNESCO, po kështu ju keni parë që dhe Kosova është në proces të aplikimit të saj për anëtarësim në UNESCO, e cila merr nën mbrojtje, nën ombrellë monumentet e trashëgimisë së kulturës, por me këtë privilegj ka edhe përgjegjësi, pasi vlerat duhet të ruhen në bazë të standardeve”, – ka thënë ajo.

Please follow and like us: