Albspirit

Media/News/Publishing

Dritan Kaba: Aksidenti i Tiranës dhe protesta e fëmijëve me leuçemi

Nga Dritan Kaba/ Aksidenti i Tiranës dhe protesta e fëmijëve me leuçemi

Një anë e medaljes

Reagimi ndaj një aksidenti fatal që përfundoi me humbjen e jetës së një nëne në përpjekje për të shpëtuar jetën e dy fëmijëve të saj, sot ka mbuluar rrjetet sociale. Dënimi publik ndaj aksidentuesit, mëse i drejtë në të shumtën e rasteve, na jep përshtypjen e një revolteje popullore, ndaj një të papërgjegjshmii që kreu aksdentin. I riu jo vetëm që goditi pa mëshirë nënën e dy fëmijëve, në kë rast me të vërtetë heroinë, por as nuk denjoi të ndalonte. Iku, iu shmang përballjes me krimin që kreu. Psikologët, prokurorët, ekspertët e policisë rrugore dhe gjykatësit do të vendosin mbi këtë krim të shëmtuar, në mes të Tiranës. Pamjet filmike të aksidentit mbytën internetin, pothuaj të gjitha faqet e lajmeve e transmetuan edhe me komete. Shumë nga përdoruesit e internetit dhe FB i bënë share. Revoltë e vërtetë qytetare. Gjykimi publik dha verdiktin e tij. Me një shpejtësi të paparë iu bë edhe biografia. Lajmet në faqet online nxorën një dënim për korrupsion aktiv që gjykata e kishte kthyer në punë detyruese. Disa të tjera nxorrën fotot e të riut që merrte kokainë. Në një aspekt ishte punë profesionale e lakmueshme. Media, shoqëria, civile, të papunët, të punësuarit, patriotët, altruistët, muzikantët, këngëtarët, çdokush reagoi. Shumë mirë, për këtë ka nevojë shoqëria jonë. Por…

Aana tjetër e medaljes

Në të njëjtën ditë në pavionin e fëmijëve në QSUT pati një protestë të prindërve dhe fëmijëve të sëmurë me leuçemi. Mungon medikamenti “Asparaginaze”. Një paketë e këtij medikamenti kushton 750 euro. Fëmijët kanë mbi dy javë që nuk marrin mjekimin. Një mjekim që iu kushton jetën. Prindërit janë të zhytur në borxhe duke blerë vetë mjekimin. Tani nuk kanë më para t’ua sigurojnë. Serxho, Mirela, Ardiani dhe shumë fëmijë të tjerë janë në limitet e jetës. Asnjë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë Kush po i vret këta fëmijë? Ku janë përdoruesit pasionantë të faqeve sociale? Ku është revolta qytetare? Ku është shoqëria civile? Një vend modest në disa faqe. Sa për të thënë. Kush është krimineli me pushtet që po i dënon me vdekje këta fëmijë? Ai nuk ikën i trembur rri stoik në kolltukun e tij. Emri i atij të aksidentit e dinë të gjithë, po emrin e këtij “varsësi” me kostum kur do ta shtjellojnë në të gjitha rasat. Jo. Shoqëria civile është e zënë, njëra me ditën e “AIDS”, tjetra me aktivitetin e kancerit të gjirit, disa me ditën kundër duhanit. Një e veçantë me ditën e prostatës, disa me atë të shurrës. Ka organizime, ka edhe para. Shoqëria civile është në kërkim të tyre. Tek fëmijët me leuçemi nuk mund të marrin as ujë çezme. Sot prisja një reagim qytetar në mbrojtje të këtyre fëmijëve, që jeta ju ka përcaktuar një fat mizor. Jetët e tyre i bëjnë edhe më tragjike, ata që nuk ju sigurojnë dot ilaçet e mbijetesës. I bëjnë të vuajnë. Vetëm mjekët pa ilaçe janë krah tyre. Në shtetin e mjekësisë falas. Ata janë pa përkrahje, përballë makinerisë së shtetit. Ata nuk kanë fonde të shpërndajnë përditë aktivitete boshe, që vetëm mbushin xhepat e atyre që i zhvillojnë. Njësoj si Dhurata, që për mua meriton titullin qytetar nderi, për aktin e saj heroik dhe prindërit e gjyshërit e këtyre fëmijëve meritojnë po të njëjtën përfillje nga shoqëria. Ashtu si dënuan Memollarin, pak më shumë duhet të dënojnë “ata” të veshurit me pushtet. Njeri aksidentoi nga pakujdesia apo neglizhenca kriminale në makinë, tjetri me kostum që po vret fëmijë dhe prindërit e tyre, me logjikë të ftohtë, dmth me dashje. Para se të shkruani për revoltën e rradhës ju ftoj të shkoni njëherë nga Pediatria tek reparti i fëmijëve të sëmurë me leuçemi. Fytyrat e atyre fëmijëve ulërasin për drejtësi.

 

Please follow and like us: