Albspirit

Media/News/Publishing

Gjithçka gati për Seminarin tradicional të Albanologjisë

 

Përgatitjet për Seminarin e 35-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili do të fillojë më 15 gusht , kanë hyrë në fazën finale. Drejtori i Seminarit, Rrahman Paçarizi, tha për Radio Kosovën, se këtë vit do të marrin pjesë rreth 120 studiues nga vende të ndryshme të botës.

Gjithçka është gati për Seminarin e 35-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që do të mbahet nga data 15 deri më 26 gusht në Prishtinë.

Drejtori i Seminarit, Rrahman Paçarizi, tha për Radio Kosovën se janë në fazën finale të botimit të materialeve paraprake. Ai theksoi se në këtë seminar janë organizuar tri sesione shkencore: nga gjuha, letërsia dhe kultura.

“Tema e sivjetme në Gjuhësi është “Varietetet e shqipes”, në Letërsi është “Koncepti i tjetrit në letërsinë shqipe” dhe në Kulturologji është “Media dhe kultura në epokën e internetit”. Kemi pasur një interesim të jashtëzakonshëm për pjesëmarrje qoftë në kurse të gjuhës shqipe, qoftë në sesione shkencore, në referime, ligjërata apo në organizimin e tryezave. Ne i kemi kryer punët e përzgjedhjes dhe presim që sivjet të marrin pjesë rreth 120 kursistë, studentë të huaj që duan ta mësojnë shqipen dhe rreth 300 studiues të tjerë që paraqiten me punimet e tyre, referatet apo me aktivitetet e tjera”, tha Paçarizi

Ai bëri të ditur se risi e këtij seminari do të jetë prania e një grupi arbëreshësh nga Zara, të cilët do ta bëjnë edhe më të veçantë ngjarjen më të rëndësishme në albanologji.

“Këtë vit për herë të parë do të vijnë në mënyrë të organizuar një grup arbëreshësh nga Zara të cilët tashmë po bëjnë përpjekje e bashkë me ndihmën tonë që t’i japim edhe një shtysë revitalizimit të shqipes, përkatësisht arbënishtes në Zarë, meqë tani janë krijuar kushtet e favorshme për këtë komunitet që ta kultivojnë gjuhën e tyre”.

Paçarizi bëri të ditur se gjatë Seminarit të 35-të do të mbahen ligjërata të veçanta të gjuhësisë: ligjërata për letërsinë, për kulturën shqiptare, referime shkencore, ligjërata të përgjithshme, tryeza të rrumbullakëta, si dhe do të jetë edhe një program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me bukuritë natyrore, me veprimtaritë kulturore në qendra të Kosovës. Seminari do t’i zhvillojë punimet nga 15 deri më 26 gusht.

Please follow and like us: