Albspirit

Media/News/Publishing

Vizioni Strategjik i Shqipërisë për Negociatat e Anëtarësimit duhet të jetë Qëndrim Kombëtar Unanim!

Majlinda Bregu

Në 25 tetor do të publikohet Progres Raporti i Shqipërisë. Deri atëherë janë gjithsej 88 ditë kalendarike për të mësuar nëse do të ketë propozim nga Komisioni Europian për Çelje Negociatash Anëtarësimi të Shqipërisë në BE.
Që miratimi i Reformës në Drejtësi javës së kaluar, do të ishte vendimtar për të hedhur hapin kryesor të procesit të anëtarësimit në BE, nuk ka dyshim.
Nuk ka dyshim as që miratimi i plotë i ligjeve që e bëjnë atë të zbatueshme, shënon fillimin e count down për të dalluar rezultatet e vërteta nga ato imagjinare në luftën kundër krimit e korrupsionit, respektimin e të drejtave të njëriut, apo afësinë e administratës publike shqiptare. Dhe jo vetëm kaq. E dhimbshme por e pashmangshme do të jetë dhënia e llogarisë për çështje që mund të duken tërësisht ngjarje të politikës së brendshme, teksa institucionet dhe individët gjithmonë e më pak shanse do të kenë të vegjetojnë prej “rehatisë” se pushtetit.
Ndërkohë qeveria duhet të nisë MENJEHERE hartimin e kuadrit politik, ligjor dhe institucional të negociateve. Përpjekja, nëse nuk është e gjithanshme, e mirëplanifkuar, e mirëkoordinuar, me mbështetje të fortë dhe të vazhdueshme nga gjithë aktorët politikë e të tjerë të perfshirë në proces si dhe shoqëria civile, nuk do ta përmbushë dot këtë fazë.
Në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, në Komisionin e
Integrimit, në takime me palën europiane, kam përsëritur kërkesën ndaj Qeverisë së Aleancës së Shqipërisë Europiane të nisë:
-identifikimin e prioriteteve kombëtare.
-analizën mbi aftësinë e administratës për të përballuar procesin e vështirë të
negociatave dhe
– ngritjen e strukturave negociuese
Qeveria e Aleancës së Shqipërisë Europiane duhet:
1. Të përcaktojë dhe shpallë vizionin strategjik mbi negociatat e anëtarësimit;
2. Të rishikojë bazën ligjore përkatëse për ngritjen e strukturave
negociuese me mandat të fortë negociues, aftësi teknike dhe burime të mjaftueshme buxhetore për realizimin në kohë dhe me cilësi të detyrimeve të anëtarësimit;
3. Të identifikojë negociatorët potencialë dhe anëtarët e grupeve të punës, duke përfshirë në to nëpunës civilë, jo politikisht të emëruar,me eksperiencë në proces dhe me aftësi shumë të mira negociuese.
4. Të përcaktojë një skemë trajnimi të vazhdueshëm të personave që do të përfshihen në
negociata.
Kroacia ka përfshirë 1900 persona gjatë negociatave, Mali I Zi aktualisht ka 1300 persona.
5. Të vlësojë shkallën e cilësinë e përafrimit deri sot, (10 vjet pas MSA) të legjislacionit shqiptar me atë Europian ( acquis).
Dhe këto, jo pa debate publike.
Më vjen për të qarë e qeshur sa herë dëgjoj përbetime dashurie për të ardhmen europiane të shqiptarëve dhe shitje lëvizjesh politike si sakrifica madhore në emër të përmbushjes së ëndrrës europiane!
Ka e do të ketë plot tregtarë flamujsh në këtë rrugëtim, se gjithë cfarë lëngon brenda nesh nuk do të marrë fund si me magji kur të çelen negociatat, por deri me 25 Tetor janë vetëm 88 ditë.
Sa për fillim.

Please follow and like us: