Albspirit

Media/News/Publishing

Silvi Bardhi: Kur live të nxjerr edhe bllof, jo vetëm king

silvi bardhi

 

Prej se ka ardhur në pushtet, Edi Rama, mbyt e stërmbyt mendjen e këtij vendi të stërlodhur nga fjalët. I stërmundon edhe në ditë pushimi, edhe në orare ku gjithkush kërkon pak qetësi për veten dhe familjen. Nuk rresht së propaganduari (vetëm live, nëse nuk është live, nuk ka vlerë propaganda). Nuk rresht së kontrolluari të 7 kanalet informative, të cilat transmetojnë drejtpërdrejt lajmin e fundit.

Prej tre vitesh, e njëjta linjë ndiqet nga i gjithë kabineti qeveritar. Nga çdo ministri. Nga çdo drejtori, nga çdo drejtues institucioni rilindas, nga çdo kryebashkiak i cili servilosjen ndaj kryeministrit e përkthen me të njëjtën gjuhë trupi e fjalori në ekran.

Kujdesi i kushtohet pamjes së jashtme. Sfondit shumëngjyrësh, figurantëve të cilëve u dirigjohen veprimet. Nuk harrohet lapsusi i zonjës në lidhje me kechup-in, ndjesë, check-up-in, përse? Sepse ministri rilindas i shëndetësisë duhej të ishte me doemos një kopje e keqe e publicitetit mediatik, ndonëse pas këtij kechup-i, ndjesë, check-up-i, fshihej një megaaferë korruptive e denoncuar në media.

Ti kthehemi kryeministrit, si regjisor i të gjithë këtij teatri me aktorë të dobët e përditë e më shumë të mërzitshëm.

Kur deputeti i Vlorës ishte pranë “elektoratit të tij” pak ditë më parë për të inspektuar Lungomaren, të cilën vlonjatët e quajnë Lungobalta, ishte i shoqëruar vetëm nga 2 bashkëpunëtorë, 1 kameraman dhe 2-3 personazhë të tjerë.  Teksa kalova 2 metra larg tij, më erdhi për të qeshur. Si ka mundësi, djali i Vlorës të ketë kaq pak njerëz dhe media rreth vetes…

Prita edicionin e lajmeve, për të kuptuar se si do të servirej kjo “pritje madhështore” për djalin e jugut.

Sinkron, ai, Lungobalta dhe deti. Pamjet sigurisht, ishin shpërndarë nga kryeministria, sepse nuk duhej të dukej aq i vetmuar shefi.

Gjithsesi, këtë vetmi Rama kërkoi ta thyejë në Shkodër, në qytetin e Marubit, mjeshtrit të fotografisë por edhe të At Gjergj Fishtës, mjeshtrit të fjalës e logjikës.

Pra Shkodra, ka historinë dhe trashëgiminë mbi artin dhe kulturën, të cilën një njeri i vetëm, sado pushtet të ketë, nuk mund ta hedh poshtë.

Debati adresuar kryetares së Bashkisë zonjës Voltana Ademi, në përurimin e stadiumit Loro Boriçi, e zhveshi nga petalet. Së pari ofendimi karshi gazetarëve shkodranë në lidhje me dialektin e tyre. Së dyti, kërcënimi kundrejt zonjës Ademi pasi i kërkoi shembjen e ndërtimeve, se Shkodra nuk do të ketë asnjë lek për investime dhe projekte, do të merrnin këtë përgjigje nga kryetarja e bashkisë: “Shtëpitë me leje, pronat, qytetarët, ligji, janë më të rëndësishëm se pushteti, më të rëndësishëm se një bashki, më të rëndësishëm se unë, se qeveria dhe më të rëndësishëm se Edi Rama”.

Ndaj, Edi Rama, bëri mirë që shkoi në veri të Shqipërisë, pikërisht në muajin e fushatës në Dibër. Për t’i thënë çdo veriori, që të kenë kujdes me gjuhën shqipe dhe se ndërtimet do ju shemben, sado me djersë e mund t’i keni ndërtuar.

Shkodranët me siguri e përcollën me shprehjen “Mos u hiq se je, mos u hiq se ke”.

E ndërsa për të nuk ka asnjë rëndësi pasoja, rëndësi ka që fondet e taksa paguesve për frekuencat live të rrjedhin lirshëm, në çdo cep të mundshëm ministrie e drejtorie.

Sepse propaganda është si një armë e butë, do të thoshte dramaturgu francez Jean Anouilh, e për sa kohë e mban në duar, ajo të mbështillet si një gjarpër e të godet.

Please follow and like us: