Albspirit

Media/News/Publishing

Evolucioni arsimor i Europës

Evolucioni arsimor i Europës

Europa po përballet me një sërë sfidash të rëndësishme, e shumë të mëdha për t’u drejtuar nga një vend i vetëm. Ajo, për të përballuar krizën ekonomike, papunësinë e lartë, si dhe konkurrencën e madhe nga ana e vendeve në zhvillim, duhet të ecë njëkohësisht me progresin teknologjik si dhe të gjejë mënyra të reja për të punuar.

E gjithë kjo duhet të zhvillohet në një kohë kur popullsia, e cila po plaket gjithnjë e më shumë, po vë në provë të vështirë buxhetet shtetërorë, që edhe vetë kanë qenë në vështirësi. Në këtë mjedis mjaft të brishtë, Bashkimi Europian duhet të përqendrohet tek mësimdhënia dhe arsimi, për të mbështetur zhvillimin e talentit dhe potencialit të qytetarëve, si dhe të nxisë në këtë mënyrë rimëkëmbjen sociale.

Arsimi është çelësi, jo vetëm për të garantuar punë më të mira dhe një rritje të qendrueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por edhe për zhvillimin kultutor, politik e social, të nevojshëm për t’iu mundësuar qytetarëve një formim të plotë dhe me baza të forta, për të marrë përsipër pozicione lidershipi në nivel lokal, kombëtar e ndërkombëtar.

Krerët e Bashkimit Europian, duke u përqendruar tek politikat e duhura, mund të garatojnë se arsimimi i qytetarëve europiane, do t’iu mundësojë atyre që të bëhen qytetarë globalë dhe aktorë potencialë ekonomikë. Lajmi i mirë është se, krerët europianë duket se janë në dijeni të vlerës së njohurive. Qeveritë e Bashkimit Europian, në fazën e stanjacionit të fondeve për buxhetin europian 2014-2020, kanë vendosur me mjaft maturi, të rrisin fondet për arsimin dhe kërkimin shkencor, dhe këtë e kanë bërë në mënyrë të efektshme.

Angazhimi për të mbrojtur fondet për arsimin dhe kërkimin shkencor duhet të pasqyrohet në të gjitha nivelet në politika të ndryshme. Ndërkohë, për të nxitur Europën në shndërrimin e një qendre të përgjegjshme të inovacionit dhe të prodhimit, hartuesit e politikave duhet të sigurojnë se institutet e arsimit të lartë, të ofrojnë për studentët e tyre, një vetëdije për aftësitë e përparuara si dhe një nivel të lartë, të bazuar në vlerat e përbashkëta.

Kjo nënkupton zhvillimin e sistemeve të arsimimit të ndryshme, duke nisur nga shkollat për formimin profesional, tek programet e doktoratës, si dhe për të qasur studentët tek eksperiencat ndërkombëtare, të cilat mund t’iu hapin atyre mundësitë përtej kufijve kombëtarë. Programi “Erasmus” për shembull, që iu mundëson studentëve të studiojnë apo punojnë jashtë, si pjesë e udhës së tyre të diplomimit, rrit pritshmëritë e pjesëmarrësve, duke nxitur në të njëjtën kohë gatishmërinë e tyre dhe aftësinë për t’u zhvendosur aty ku ka vende të lira pune.

Këto programe pasurojnë edhe studentët lokalë dhe ofrojnë një këndvështrim të rëndësishëm për profesorët, mbi mënyrën e edukimit të vendeve të tjerë. Krerët e Bashkimit Europian duhet të pranojnë se arsimi i nivelit të lartë është tejet thelbësor, si në universitete, ashtu edhe në kërkim. Në situatën e tanishme, nëse nga njëra anë është rënë qëllimisht dakord mbi faktin se kërkuesit kanë nevojë për një formim më të gjerë, nga ana tjetër, ideja mbizotëruese është se, mësimdhënia e një niveli të lartë ndodh disi rastësisht.

Kjo ka qenë një ide e cila po bëhet pengesë për të gjithë nivelet. Përmirësimi i mësimdhënies në arsimin e lartë është objekt i raportit të parë të grupit të nivelit të lartë mbi modernizimin e arsimit të lartë në Komisionin Europian. Ndër 16 rekomandimet e raportit është edhe ai i zhvillimit të një mësimdhënieje të cilësisë së lartë, nëpërmjet kostove të formimit profesional të detyrueshëm e të vazhdueshëm, si dhe të njohjes dhe kompensimit të rezultateve të përfituara.

Një tjetër çështje e rëndësishme u përket mënyrave të mësimdhënies, siç janë kurset e hapura masive nëpërmjet internetit. Nëse nga njëra anë këto mënyra po ndryshojnë padyshim mësimdhënien, e sidomos atë në arsimin e lartë, nga ana tjetër, ajo që po vihet re mund të jetë më shumë një evolucion sesa revolucion. Me fjalë të tjera, në vend që t’i jepet fund mësimdhenies si realitet konkret, kurset e hapura masive në internet dhe risitë e tjera do të çojnë drejt një mësimdhënieje virtuale.

Kjo nënkupton se rekomandimet në këtë fushë përfshijnë përmirësime shtesë për sistemet e mësimdhënies formale dhe informale që ekzistojnë tashmë, si dhe mekanizma për të rimëkëmbur mësimdhënien e vazhdueshme në prag të arsimit të lartë. Studentët duhet të hedhin bazat për suksesin e tyre sa më parë të jetë e mundur, duke nisur me arsimin parashkollor e atë fillor. Hartuesit e politikave duhet të njohin rrezikun për të përjetësuar hendekun dixhital që favorizon ata që janë tashmë të përparuar.

Studentët tregojnë se shumica e pjesëmarrësve në kurset e hapura masive nëpërmjet internetit kanë arsim të lartë. Udhëheqësit europianë duhet të angazhohen për të mundësuar që, mënyrat për të garantuar arsimin, të shndërrohen në mundësi për një numër më të madh njerëzish. Hapi dhe qëllimi i përparimit teknologjik nuk lejojnë parashikimin e zhvillimeve të mundshme dhe efektet mbi arsimin.

Mësimdhënia, në çdo rast, e pavarësisht nga lloji i teknologjisë së zhvillohet, do t’i përkasë gjithnjë së pari pedagogëve dhe studentëve. Ofrimi i instrumentëve dhe mundësive që mbështesin evolucionin e roleve respektivë është kyç për të krijuar një forcë pune, në gjendje për t’u përshtatur rrethanave në ndryshim të vazhdueshëm. Kjo është sfida e vërtetë që duhet të përballojë Europa.

Please follow and like us: