Albspirit

Media/News/Publishing

Vallja e vdekjes!

Nonda Bulka

Tetëmbëdhjetë Dhjetor, 1803!

Atje lartë në shkëmbinjtë e pakapërcyeshëm, mjedis maleve t’egra të Sulit, luftonin disa luanë. Disa luanë dhe disa luanesha. Pesëdhjetë e gjashtë gra, qëndronin të pa-trembura majë një shkëmbi pranë Manastirit të Zallongut. Gjithsecila shtrëngonte në gji nga një fëmijë. Ushtritë e egërsuara t’Ali Pashës po afrohen. Ç’nderimi dhe skllavëria i pret stërmbesat e Teutës. Ose të rrojnë pa nder, ose të vdesin me nder. Një nga të dyja, rrugë tjetër nuk ka. Dhe amazonet zgjedhin rrugën e dytë.

Një shkëmb i madh! Majë tij pesëdhjetë gra e më tepër! Rreth e rrotull tij me mijra ushtarë armiq.

Ishte një dit’ e egër e dhjetorit, nuk binte as shi as borë, por era e tërbuar frynte pa pushim; një qiell i zi katran shpirti i atyre trimëreshave që hidhnin valle majë shkëmbit gjigantesk.

U zunë dora-dorës gjerqinat e Çamërisë dhe duke përbuzur minutat e fundit të jetës, këndonin si pa gjë të keqe.

Mbi kokat e tyre disa korba të urtuar fluturonin. Rreth e rrotull tyre disa mijëra ushtarë po vëzhgonin.

…Vallja vazhdon:…

“Lamtumir’o bot’ e shkretë

“Lamtumirë për n’atë jetë…”

Një krismë pushke dëgjohet; një amazonë shtrihet përdhe, me buzë në gaz, duke i dhënë sis foshnjës; gjaku rrëke ikën prej trupit të saj; plumbi nuk pati mëshirë për atë vllastarë të njomë; dy vjetë kish që ishte martuar. Dhespinë ia thoshin emrin.

Por vallja vazhdon:

“Lamtumirë male të larta,

“Pyje brigje dhe shkëmbinj.

“Lamtumirë ëndërra të arta

“Bërtet qielli: vetëtinj!

“Se në gjirin t’im të ëmbël

“Do të mar do të pështjell

“Disa gra që janë shëmbëll

“Që shkëlqejnë porsi diell.”

Poezi në qiell. Poezi dhe tragjedi në tokë. Bubullimat e qiejvet, bashkohen me krismat e pushkëvet, për t’i dhënë kësaj tragjedije një ngjyrë edhe më të zezë.

Dhe korbat po këndojnë; Suljotët po vallëzojnë. Foshnjat të tmeruara kanë frikë të qajnë. Natyra sa vete egërsohet.

“Peshku s’rron dot majë malit

“Suljotka nuk rron dot pa nder,

“Më mirë një orë liri dhe Shqipri

“Se sa treqint shekuj, çnderim e robri.

Kështu këndojti shqipëtarka njëqind vjet më parë. Po ai gjak vëritet në dejët e shqiptarkave të sotme. Eufrosina dhe Dhespina si të Çamërisë, ka me qindra sot Shqipëria e lirë. Egoisma dhe injoranca e burrit nuk u dha rast deri sot të tregojnë se janë stërnipe të denja të një kohe plot tragjedi, gjak dhe nder. Sot filluan ç’këputjen prej zinxhiravet shekullorë. Dhe koha do të tregojë se çdo me thënë shqiptarkë.

Po le të kthehemi ne Suljotkat majë shkëmbit të Zallongut.

Nata po afrohet më e egër, më e zezë se kurrë ndonjëherë. Një heshtje prej varri mbretëron. Vetëtimat e bubullimat pushuan. Vallja pushoi dhe ajo. Ç’ngjet vallë? Të gjunjëzuara, bijat e Voisavës po fallen tek Perëndia. I luten Shën-Mërisë t’i pranojë në gjirin e saj t’ëmbël. I luten Perëndisë të mos i ndëshkojë, pse vallë jetën, të cilën Ai ua dha.

Qielli gjithmonë hesht! Një zhgabë e madhe fluturon krenare mbi shkëmbin tragjik dhe errësira sa vete e po dendësohet.

Atëherë, fillojnë hapat tragjikë të valles së fundit; Suljotkat, me ballin lart si hënëzë përpjetë, me sy të pa tronditur, pushtojnë fort fëmijët e tyre në gji dhe përballojnë vdekjen. Njëra pas tjetrës, hidhen në hapësirë të shkëmbit dhe therrmohen si drudhe buke.

Poshtë, shumë poshtë shkëmbit, në shkretëtirat pa mbarim, diçka nxin, në mes të errësirës. Janë trupat e njomë të pesëdhjetë e shtatë mëmave.

Heshtje kudo. Retë, si për çudi, filluan të rradhohen dhe shkëndija e parë e hënës çau hapësirën. Pamje poetike makabre e një nate dimri. Vërtiten korbat e zes, mbi atë vënd të zi! Duan ushqim. Shkëlqejnë tashti rrezet e hënës mbi ato flokë të zes e të gjatë, mbi ato amazonë trimëresha, që përbuzën vdekjen se s’rronin dot në skllavëri pa nder.

Një psherëtime ç’këputet prej asaj grope të përgjakshme, ishte klithma e fundit e një foshnje që ende s’kishte dhënë shpirt; kërkonte sisë, ashtu siç ishte e shtrënguar në gjirin e nënës, por sisët kishin ngrirë.

Ushtarët hipën majë shkëmbit. Ulin sytë tatëpjetë dhe vëzhgojnë kufomat e pafajshme. I thonë njëri-tjetrit: “Sa gjë e tmerrshme qënka, kur shqiptari derdh gjak të shqiptarit; përse ne ushtarët shqiptarë të Pashës, të vritemi me ushtarët trima të Sulit?”

Oficeri turk thërret: “Zbrisni atje dhe coptojini ato gra, ndonëse të vdekura, që të mos mbetet shënjë e tyre në botë.”

Ushtarët zbritën, por fshehurazi nxorën nga një psherëtimë; gjaku ujë nuk bëhet.

Kur i treguan Ali Pashës tragjedinë e Zallongut, u vërenjt, ndezi me nervozitet nargjilenë, mbërtheu sytë në hapësirë dhe heshti. U kroth në gjirin e imagjinatës dhe ndoshta tha me vet-vehte;

“Sa gjë e tmerrshme qënka, kur shqiptari derdh gjak prej shqiptari.”

Përpjekja/ shtator 1937

Please follow and like us: