Albspirit

Media/News/Publishing

Elegjia që Fan Noli ia kushtoi John Kennedy-t dhe lidhja e shqiptaro-amerikanëve me presidentin gjenial

Nga Gjekë Gjonlekaj/New York
Për më shumë se një shekull shqiptarët gëzojnë dashuri e respekt të jashtëzakonshëm për Shtetet e Bashkuara. E nderojnë këtë vend për begati, liri dhe demokraci. Por një pjesë e respektit të shqiptarëve për Amerikën lidhet me personalitetet e veçanta të kësaj shoqërie.

Lidhjet e shqiptarëve me udhëheqësit amerikanë janë të kahershme. Miqësia serioze me personalitetet e larta amerikane filloi me Presidentin Theodor Roosevelt dhe vazhdon pa ndërprerje, sot e kësaj dite. Brezi im, i lindur pas Luftës së Dytë Botërore, gëzonte disa të mira materiale nga Shtetet e Bashkuara. Qeveria amerikane dhe Kryqi i Kuq i këtij vendi dërgonin artikuj të ndryshëm ushqimorë për shkollat fillore. Ushqimet amerikane e bënin shkollën edhe më të dashur se zakonisht. Nuk i harroj kurrë bukën, qumështin dhe djathin amerikan. Bile, në thasët e miellit të grurit shkruhej me gërma të mëdha “MADE IN USA” (PRODHUAR NË SHBA). Këtë program ndihmash e kishte filluar Administrata e Presidenti Truman edhe vazhdoi si e tillë deri në kohën e Presidentit Kennedy.

Në vendlindjen time, për presidentët amerikanë flitej më shumë se për udhëheqësit e tjerë të botës.

Ata kishin fituar simpatinë e popujve të Ballkanit.

Në këtë mes shquhej John F. Kennedy. Shtypi i vendit shkruante shumë për këtë udhëheqës të njohur. Kennedy premtonte shumë për popujt e shtypur dhe të varfër.

Këto premtime i kishte vënë në dukje gjatë fjalimit të përurimit presidencial më 20 janar të vitit 1961. Ai u tregua largpamës shumë dimensional. Inteligjencia, qytetarët dhe fshatarët ishin entuziastë për sukseset e këtij politikani gjenial.

President Kennedy ishte shumë i pranishëm në faqet e para të shtypit sllav dhe atij shqiptar të Kosovës, sidomos gjatë krizës kubane. Kjo figurë impozante i bënte për vete të gjithë lexuesit. Në atë kohë ishte udhëheqësi më inteligjent dhe më elegant në botë. Për një kohë të shkurtër në këtë detyrë u bë i njohur dhe i dashur për gjithë njerëzimin. Ai ishte orator i shkëlqyeshëm dhe kishte një zë karakteristik.

Stili i tij i të folurit ishte ndryshe nga të tjerët. Shqiptarët e robëruar dhe ata nën diktaturën staliniste e shihnin John Kennedy si një shpëtimtar.

Për një kohë të shkurtër u bë figura më e dashur politike në botë. Portretet e tij zinin vendin kryesor në shumë dhoma pritjesh në vendlindjen time, bile edhe pas vdekjes. Ne u rritëm me këtë yll drite dhe shuarja e këtij meteori para një gjysmë shekulli ishte si një apokalips. Për veprat e këtij titani kishim mësuar edhe nga Zëri i Amerikës.

Gazetarët seriozë thonë se disa ngjarje dhe momente janë aq mbresëlënëse sa që nuk harrohen kurrë. Kështu kishte ndodhur edhe me momentin tragjik të John F. Kennedy-it. Shumica e mbajmë mend atë çast dhe ditë të kobshme kur njerëzimi humbi këtë kalorës, kampion të lirisë dhe demokracisë.

Lajmin për vrasjen tragjike të John F.Keneddy-it e lexova në gazetën “Rilindja” të Kosovës, e cila me gërma të mëdha shkruante për këtë ngjarje tragjike me përmasa botërore. “Rilindja” kishte përgatitur një botim të veçantë për këtë mort të madh. Radio-Prishtina gjithë ditën transmetonte lajme për këtë humbje tragjike. Kështu vepronte edhe rrjeti televiziv i vendit.

Bile ceremonia e funeralit u transmetua drejtpërsëdrejti nga kanali televiziv evropian “Evrovizion”. Gjakova në atë kohë kishte vetëm disa aparate televizive. Por për ceremoninë mortore të John Kennedy-it ata hapën sallat kryesore të qytetit. Të gjithë, qytetarë e fshatarë të rretheve të Gjakovës, vërshuan për të parë këtë ceremoni historike. Në rrugë dhe kudo mbretëronte një heshtje e vërtetë. Flisnin me emocione. Ato ditë vura re dashurinë e Kosovës për Amerikën dhe Presidentin e saj John Kennedy. Këtë të vërtetë ua kam thënë diplomatëve amerikanë në Konferencën e Daytonit, në nëntor të vitit 1995. Kosova kishte shpresa të mëdha tek Amerika dhe politikanët e saj.

Në shekullin e kaluar Bostoni ishte kryeqyteti i shqiptarëve të Amerikës, vendlindja e familjes Kennedy brez pas brezi.

Shqiptaro-amerikanët e Bostonit kishin miqësi me shumë djem dhe e bija të kësaj familje fisnike.

Fan Noli kishte qenë shok klase në Universitetin Harvard me babain e President John Kennedy-it, Joseph Kennedy-in.

Shqiptarët e Bostonit, sidomos Anthony Athanasi, kishte lidhje të ngushta me vëllezërit Kennedy. Në lokalin e tij të famshëm ‘Pier 4” ata kishin organizuar pritje solemne dhe fushata politike. President Kennedy e kishte vizituar shumë herë këtë lokal të përmendur. Pas vdekjes së tij Anthony Athanas vendosi bustin e Kennedy-it në hyrjen kryesore të “Pier 4’. Vëllezërit Kennedy i kuptonin vuajtjet e shqiptarëve ngase të parët e tyre irlandezë kishin pësuar nga pushtimi anglez. John Kennedy i kishte siguruar shqiptarët nga kërcënimet vorio-epirote. Ai ishte njëri prej presidentëve më antikomunistë në botën përëndimore.

John Kennedy kishte shpejtuar imigrimin në Shtetet e Bashkuara të shqiptarëve antikomunistë nga kampet e refugjatëve në Itali. Kjo ishte bërë me ndërhyrjen e Ernest Koliqit pranë Selisë së Shenjtë. President Kennedy dhe Papa Gjoni i XXIII kishin biseduar në lidhje me këtë çështje gjatë vizitës së tij në Vatikan.

resized_john_f_kennedy_flickr

Vendosmëria e Kennedy-it në krizën kubane të raketave bërthamore dhe fjalimi pranë Murit të Berlinit ishin dy akte heroike antikomuniste. Përveç Fidel Kastros dhe Enver Hoxhës, të gjithë udhëheqësit e botës kishin shprehur dhimbje dhe maturi për vdekjen e tij. Fidel Kastro dhe Enver Hoxha e kishin bëre publike gëzimin e tyre për vdekjen tragjike të këtij presidenti amerikan, natyrisht se ata kishin frikë nga politika e tij antikomuniste.

Këto ditë, më shumë se asnjëherë, po flitet për konspiracionin komunist për vrasjen e tij siç kishte ndodhur edhe me atentatin kundër Papës Gjon Palit të Dytë.

Senatori Edward Kennedy dhe kongresmeni Joseph Kennedy Jr. kishin votuar vazhdimisht për rezolutat në mbështetje të Kosovës. Edward Kennedy ishte shumë i dashur me Nënë Terezën. Ai e kishte vizituar edhe në Kalkutë.

Pas rënjes së Diktaturës në Shqipëri, zonja Ethel Kennedy, e veja e Robert Kennedy-it, vizitoi atë vend dhe dërgoi atje ilaçe dhe aparatura mjekësore.

Për vajtjen e Ethel Kennedy në Shqipëri tregoi djali i saj Joseph Kennedy gjatë një vizite të Adem Demacit në Kongres, i ftuar nga senatori Rober Dole. Edhe deputeti demokrat shqiptar i Malësisë së Madhe, i ndjeri Dodë Kaçaj, kishte lidhur miqësi me Patrikun, djalin e Robert Kenendy-it, gjatë një vizite në Shqipëri. Patriku e kishte ftuar zotin Kaçaj për vizitë në Boston.

Ç’prej Luftës së Dytë Botërore e deri vonë, këtë familje e kanë ndjekur shumë tragjedi. E fundit dhe më e rënda ishte tragjedia e John Kennedy-it të Ri me të shoqen dhe kunatën, ndërsa po udhetonte me aeroplan për një dasëm familjare në Masaçusets. Kjo ishte humbja dytë më e madhe në këtë familje dhe personalisht e përjetova rëndë tragjedinë e tij. Shkova te pallati ku kishte jetuar dhe vendosa një tubë lule në hyrjen e asaj godine në Manhattan. Vetëm një herë e kisha parë në metron e qytetit te Ura e Brooklynit. Ishte shumë i qetë dhe modest. Gjergj Martini Gjelaj nga Malësia jonë kishte punuar në pallatin ku jetonte John-i dhe nëna e tij Jacqueline Kennedy.

Gjergji tregonte shumë për John-in dhe Jacquelinen. Vdekja e papritur e këtij pinjolli të Dinastisë Kennedy e tronditi Amerikën ngase pritej që një ditë edhe ky mund të ishte përsonalitet me rëndësi për Shtetet e Bashkuara. Ky vend tregoi respekt të madh edhe për vdekjen e Jacquelines Kennedy. Ajo kishte qenë Zonja e Parë më e bukur dhe më elegante në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Jackueline Kennedy kishte ndryshuar pamjen e brendshme të Shtëpisë së Bardhë dhe të shumë objekteve historike të Amerikës.

Shqiptarët e Amerikës e përjetuan rëndë vrasjen tragjike të John F. Kennedy-it. Ata u bashkuan para qendrave fetare dhe shoqërore për ta nderuar këtë udhëheqës të madh. Të dielën, më 24 nëntor të vitit 1963, në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston, Imzot Noli kishte thënë një meshë dhe mbajtur një fjalim në kujtim të John Kennedy-it. Noli, si poet që ishte, i kushtoi këtë elegji:

“E bekuar është, o shpirt, rruga

 Që po ndjek ti sot

Një vend paqeje dhe dashurie

Është përgatitur për ty atje lart”.

 

Publicisti i njohur, ish gazetar i Zërit të Amerikës, i ndjeri Xhevat Kallajxhi kishte botuar në vitin 1980 një monografi në gjuhën shqipe për John Kennedy-in. Është një vepër modeste prej të cilës lexuesi shqiptar mëson shumë për këtë president të mirënjohur amerikan.

Për John Kennedy-in flitet më shumë se për asnjë president amerikan. Zëri tij dëgjohet çdo ditë. Është si një figurë mitologjike e kohëve antike.

Për John Kennedy-in janë botuar më shumë se 40.000 vepra të ndryshme. Ai është profeti i epokës sonë. Varrin e tij dhe flakën që nuk shuhet kurrë në varrezat e Arlingonit e vizitojnë çdo ditë mijëra amerikanë dhe të huaj. Në kohën që punova në Washington e vizitova disa herë këtë varr historik. Në shpirtin tim, sot e kësaj dite, tingëllon ëmbël zëri i tij i mrekullueshëm. Figura e tij e madhërishme shkëlqen për mua si ato të personaliteteve biblike. Të gjithë mësuam diçka prej tij.

Past dritë dhe paqe në jetën e pasosur!

Please follow and like us: