Albspirit

Media/News/Publishing

Një letër e Papa Kalistit III drejtuar Skënderbeut

PAPASpeciale/ Një letër nga arkivat e Vatikanit, ekskluzive për “Standard” nga studiuesi Etnor Canaj

1) Në historiografinë shqiptare ekziston një anë ende e errët apo, thënë më mirë, një anë e palëvruar siç duhet lidhur me marrëdhëniet e Vatikanit me Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeun.

Sigurisht është shkruar, sikurse edhe shumë herë në mënyrë disi subjektive, ku është kërkuar të interpretohet prej studiueseve të ndryshëm, si shqiptarë edhe të huaj, kjo anë që ka të bëjë me lidhjet e Vatikanit me Arbrit e shek. XV, të cilët udhëhiqeshin prej Skënderbeut në luftën e tyre kundër turqve.

Në këtë shkrim, përveç dokumenteve sjellë në vepra autorësh të huaj, për herë të parë do të sjellim për publikun shqiptar një letër origjinale shkruar prej vetë Papa Kalistit III, drejtuar Skënderbeut.

Cili ishte Papa Kalisti III?

Papa Kalisti III (1378-1458) ishte papa i dyqindenëntë (209) i Kishës Katolike prej vitit 1455 deri në vdekjen e tij, që ndodhi në Romë më 6 gusht të vitit 1458. Emri i tij i vërtetë ishte Alfonso Borgia dhe lindi në Valencia të Spanjës. Sipas historiografisë, është konsideruar një Papë, i cili kishte ndërmend të organizonte një kryqëzatë kundër turqve, por që nuk realizoi për shkaqe organizative, pasi nuk iu përgjigjën feudalët perëndimorë thirrjes së tij (Shih: C. Rendina, I Papi, f..578.). Sipas G.. B. Picotti-M. Sanfilippo, në veprën me titull “Alessandro VI nell’Enciclopedia dei Papi“. Por, Kalisti favorizoi korrupsionin dhe keqpërdori autoritetin e tij.

Por, le të vijmë në çështjen e marrëdhënieve të Kalistit III me Skënderbeun.

Më 17 shtator të vitit 1457, Papa Kalisti III do t’i niste një letër Skënderbeut, letër të cilën e botojmë për herë të parë, ekskluzivisht në “Standard”, përmbajtja e së cilës në origjinal është në latinisht. Kjo letër është nxjerre prej arkivave të Vatikanit prej A. Theiner dhe është publikuar në veprën e tij të vitit 1863 me titull “Vetera monumenta Slavorum meridionalium historiam illustrantia” – Romae, Zypis Vaticanis 1863-1875 , ff 427-428, Tom.I.

 

LETRA ORIGJINALE:

“.DILECTO FILIO NOBILI VIRO GEORGIO CASTRIOTTI SCANDERBECH ALBANIE DOMINO.

CALISTUS PP. III. DILECTE FILI, SALUTEM. SCRIBIMUS TUE NOBILITAI PER ALIAS LITTERAS NOSTRAS SUB BULLA PLUMBEA RESPONDENDO HIS, QUE TUO NOMINE NOBIS EXPOSUIT DILECTUS FILIUS ABBAS ETC. QUEM AD NOS MISISTI. POSTEA VERO INTELLEXIMUS VENERABILEM FRATREM NOSTRUM ARCHIEPISCOPUM CROIENSEM AB HAC LUCE MIGRASSE, QUI, QUONIAM NUNCIUS ET COLLECTOR NOSTER ERAT , ET UT INTELLEXIMUS, NONNULLAS PECUNIAS RATIONE COLLECTORIE ET CRUCIATE COLLECTAS HABEBAT, MANDAVIMUS DILECTO FILIO IOHANI NAVARR EXHIBITORI PRESENTIUM, QUEM AD TUAM NOBILITATEM MITTIMUS, UT OMNES PECUNIAS, QUE PER DICTUM COLLECTOREM NOSTRUM DE PREFATIS ETIAM DIMISSE REPERIENTUR, ET QUASQUMQUE ALIAS RATIONE CRUCIATE IN ALBANIA PER QUSQUMQUE NOSTROS COLLECTORES, SUCCOLLECTORES SEU NUNTIOS COLLECTAS ET IN FUTURUM COLLIGENDAS, ET PENES QUOSQUMQUE EXISTENTES TUE NOBILITATI CONSIGNARI NOSTRO NOMINE FACIET.ITAQUE, DILECTE FILI, UT FECIS, PERSEVERE IN TUA SINCERA DEVOTIONE TUENDO ET DEFENDENDE FIDEI CATHOLICE: NAM DEUS, CUIUS RES AGITUR, NON DESERT CAUSAM SUAM, SED TIBI ET ALIIS CHRISTIANIS DE PERDITISSIMIS TUCHIS ET ALIIS INFIDELIBUS VICTORIAM CUM SUMMA GLORIA ET TRIUMPH PRO CERTO DABIT. NOSQUE ETIAM ULTRA VIRES NOSTRAS IN HIS PROMPTOS HABEBIS, UT LATIUS INTELLIGERE POTERIS AB EODEM IOHANNE COMMISSARIO NOSTRO, QUEM TIBI SPECIALITER COMMENDAMUS. DATUM (ROME) ETC. XVII. SEPTEMBRIS 1457. (PONTIFICATUS NOSTRI ANNO TERTIO.)”

 

Letra është e regjistruar në arkivat e Vatikanit në: “Reg.An. III.Brev. fol.121”.

Papa i shkruan Skënderbeut për taksat që fillimisht mblidheshin prej Kryepeshkopit të Krujës, i cili kishte emigruar (ikur), të bëhen të mundura (të mblidhen) prej Giovanni Navarro, kur, ky i fundit niset posaçërisht për këtë mision prej Papa Kalistit III. Kalisti III i kërkon Skënderbeut që ta ndihmoje për këtë çështje dhe këto të holla t’ia nisë mbasi të jenë mbledhur, gjithnjë nëpërmjet Komisarit të Vatikanit, Navarros.

“…mandavimus dilecto filio Iohanni Navarr exhibitori presentium, quem ad tuam nobilitatem mittimus, ut omnes pecunias, que per dictum cillectorem nostrum de prefatis etiam dimmise reperintur..”.

 

Papa e mbyll letrën duke i thënë që Zoti nuk do ta braktiste dhe do të ishte në anën e Skënderbeut në luftën e tij për mbrojtjen e Krishtërimit kundër turqve dhe të pafeve të tjerë…

“…nam deus, cuius res agitur, non deseret causam suam, sed tibi et aliis Christianis de perditissimis Turchis et aliis infidelibus victoriam cum summa gloria et triumpho pro certo dabit”.

 

Siç shohim qartë prej kësaj letre, Vatikani pretendonte taksat në territoret e kontrolluara prej Kastriotit dhe pikërisht për këtë dërgon një përfaqësuesin e tij, Navarron. Nuk dimë në këtë rast cila ka qenë përgjigjja e Skënderbeut, duke pasur parasysh që situata e Arbërisë në periudhën në fjalë nuk ishte ndër më të mirat. Kalisti i kërkon Kastriotit që të bëhet garant dhe të ndihmoje Navarron në mbledhjen e këtyre taksave.

 

2) Kalisti III vdes në datën 6 gusht të vitit 1458 në Romë, gati një vit mbas kësaj letre. Mbas Kalistit III në krye të Kishës së Romës ngjitet Papa Pio II (Enea Silvio Piccolomini).

Do të ishte pikërisht Papa Pio II, i cili në të vërtetë kërkoi një lidhje interesi të ndërsjellë me Kastriotin. Pikërisht Papa Pio do të ishte ai i cili kishte planifikuar një kryqëzatë kundër turqve ku Skënderbeu do të ishte njëra prej figurave qendrore.

 

Sipas disa dëshmive në kronikat e eruditit italian Marco Guazzo, të cilat gjenden në veprën e tij “Cronica … dal principio del mondo sino a questi nostri tempi”, viti i publikimit 1553, hasim në disa fakte interesante.
Autori i veprës konfirmon gati gjithçka që sjell Barleti, pikërisht duke u nisur që prej simbolit të flamurit të Kastriotëve, pra shqiponja me dy kokë në një fushë të kuqe, flamur të cilin Skënderbeu ngriti sapo mori Krujën. Por gjithashtu autori sjell fakte interesante edhe lidhur asaj që kërkohet të deformohet qëllimisht sot. Pra, e kështuquajtura “masakra e Skënderbeut”. Nëse do lexonim dhe përkthenim këtë vepër apo kronikë, autori shkruan që Skënderbeu vrau turq dhe jo shqiptarë mbasi mori Krujën (shih përkthimin më poshtë).
Interesante në këtë kronikë të Marco Guazzo-s, kronikë e cila siç theksuam më sipër daton vitin 1553, janë mbi të gjitha planet që kishte Vatikani për të ndërmarrë një kryqëzatë kundër turqve, ku figura e Skënderbeut do ishte udhëheqës i kësaj kryqëzate (apo gjeneral-kapiten, siç thekson autori). Gjithashtu është interesant si fakt se fill mbasi gati çdo gjë ishte vendosur për këtë kryqëzatë, Skënderbeu emërohet prej vetë Papës si “Mbret i Epirit”, pra prej titullit Princ kalon në një titull më të ngritur, siç është ai Mbret.
Papa Pio i Dytë shkon në Ankona ku pret dhe kërkon të inkurajoje trupat perëndimore, të cilat do t’i bashkoheshin Skënderbeut për kryqëzatën, por Papa Pio i Dytë vdes pikërisht gjatë kësaj nisme në Ankonë të Italisë, ku sipas fjalëve që fliteshin, kjo vdekje erdhi si pasojë i helmimit të tij.
Kjo kronikë dhe ky dokument ka rëndësi të veçantë, pasi mund të hedhë dritë në shumë aspekte të tjera lidhur me figurën e Heroit tonë Kombëtar. Njëra prej tyre është edhe enigma e Pallatit të Skënderbeut në Romë (Palazzo Scanderbeg). Në këtë ndërtesë Skënderbeu ndenji gati dy muaj, prej dhjetorit deri në shkurt. Mos vallë ishin këto arsyet që Skënderbeu thirret në Romë, ndërtoi apo i ndërtuan një pallat në nder të tij, ndenji kaq gjatë larg Arbërisë? Ishte vajtja në Romë e Skënderbeut pasi po përgatitej Perëndimi për një kryqëzatë të re?
Disa pjesë të përkthyera prej kronikës së Marco Guazzo-s si më poshtë:
“SKËNDERBEU PRINCI I EPIRIT”

“Prej Gjon Kastriotit zotërues në Shqipëri lindi Skënderbeu dhe kështu ishte jeta e tij. Duke u frikësuar i kështuquajturi Gjon prej të kështuquajturit Murat zotëri i turqve, bëri paqe me të dhe i dha fëmijët e tij si peng, të cilët ishin katër dhe njëri prej tyre ishte Gjergji.

Murati duke parë Gjergjin si një person të aftë dhe të mprehtë e quajti Skënderbe dhe e stërviti sipas ligjeve muhamedane, në kalorësi, në përdorimin e armëve, në të jetuar dhe në veshje, duke e trajtuar si birin e tij…
…Skënderbeu duke njohur shpirtin e turkut dhe duke qenë ai një i krishterë i mirë dhe i aftë, me artin e bukur (dredhinë, shënimi E. Canaj) hyri në Krujë, si turk, dhe mbasi ngriti shenjën e tij e cila ishte shqiponja me dy kokë në një fushë të kuqe, dhe duke vrarë gjithë turqit, të cilët ndodheshin këtu (në kështjellën e Krujës, shënimi E. Canaj) u bë i njohur si pasardhës i të atit dhe i krishterë, dhe jo turk, dhe pas katër ditësh rimori shtetin (tokat, shënimi E. Canaj) atënore…
…Murati për këtë gjë u betua që do bënte një hakmarrje që të mbahej mend, dhe sipas çka dëgjohej Skënderbeu konsiderohej me zotërinjtë më të fuqishëm dhe princat e Shqipërisë, të cilët ishin Aranit Komneni, Andrea Topia, Pal dhe Nikoll Dukagjini, Pjetër Spani dhe të tjerë me Rektoret (Venecian, shënimi E. Canaj) që ishin në Lezhë, qytet i Shqipërisë për venecianët, theu tri herë ushtrinë e turqve, vrau një pasha dhe një tjetër e zuri rob, luftoi kundër venedikasve dhe më mbas bëri paqe. Më mbas, në vitin një mijë e katërqind e dyzet e nëntë Murati turku i madh kaloi nëpër Shqipëri me njëqind e gjashtëdhjetë mijë turq dhe me shumë armatime e rrethoi Krujën, të cilën e mbajti të rrethuar katër muaj, pati shumë dëme prej Skënderbeut i cili një herë prej një ane, një herë prej anës tjetër e sulmonte, gjë për të cilën Murati u egërsua aq tepër sa vendosi të hiqte rrethimin dhe u largua për në Adrianopojë, ku vdiq.
Një vit më vonë, i cili ishte viti një mijë e katërqind e pesëdhjetë e një (1451) me numër më të madh turqish që kishte çuar Murati (më parë), erdhi në Shqipëri Mehmeti, i biri i tij, dhe i turpëruar së tepërmi dhe i dëmtuar u nis (nga erdhi, shën. E. Canaj). Pati kaq fitore Skënderbeu kundër turqve, përherë duke pasur shumë mp pak ushtarë sesa ata (turqit, shën. E. Canaj), i cili iu përgjigj thirrjes së Papës për në Pulje në nder të Ferdinandit, Mbretit të Napolit, dhe bëri të njohur virtytet e tij dhe për këtë kur u kthye në Shqipëri, duke u kthyer në Shqipëri shumë herë ktheu mbrapsht turqit me vdekjen e tyre dhe dëme të mëdha dhe për këtë arsye turku i madh i kërkoi paqen dhe e bëri në mënyrën e tij. Më vonë u thye (paqja, shën. E. Canaj) për të bërë një kryqëzatë kundër turqve dhe Papa Pio i Dytë për këtë arsye e bëri Mbret të Epirit Skënderbeun dhe gjeneral-kapiten të kryqëzatës. Shkoi në Ankona Papa për të bërë efektin e duhur, në vitin një mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e katër (1464) dhe aty vdiq dhe, sipas të thënave të disave, i helmuar. Mehmeti, mbasi kishte dërguar shumë herë një numër të madh ushtarësh turq nën udhëheqjen e pashallarëve të ndryshëm kundër Skënderbeut dhe përherë duke qenë i thyer, ai personalisht me dyqind mijë ushtarë shkoi në Krujë dhe bëri rrethimin dhe po ashtu u largua i turpëruar…”.

 

Please follow and like us: