Albspirit

Media/News/Publishing

2012/Akademia Suedeze zbardh procesverbalet e ‘Nobelit të Letërsisë’ për 1961, fati i buzëqesh Ivo Andriç

 

Akademia Suedeze, procesverbalet e gjykimit

 

 

Tolkien? I paaftë për të përshkruar historinë!” Alberto Moravia? “Monoton!” Graham Green? “Një maniak erotik”. Lawrence Durrell? “Pa shije!” Robert Frost? “Plak!”

Epitete të forta shprehur ndoshta nga një gjykim personal apo një mënyrë krejt e veçantë e perceptimit të letërsisë. Epitete dyshuese ndaj shkrimtarëve, veprat e të cilëve kanë kontribuar në historinë e letërsisë botërore. Epitete amatoriale për autorë të suksesshëm linjëzuar denjësisht në profesionin e tyre.

John Ronald Reuel Tolkien, Alberto Moravia, Graham Green, Lawrence Durrell, Robert Frost, aspak të ngjashëm, lidhur veç nga nëntitulli “bestseller” i mjaft librave që kanë shkruar e së fundmi nga ky vlerësim i hidhur, vulosur e firmosur nga juria më e lartë e më prestigjioze e vlerësimit të letërsisë; Akademia Suedeze e çmimit “Nobel”.

Rreshtuar njëri pas tjetrit në një dokument disafaqësh, Tolkien, Green, Durrell, Frost, Moravia, konsiderohen shkrimtarë të kategorisë së dytë, me shumë të meta e të pavlefshëm për t’u vlerësuar. Janë me fat që vdiqën pa i lexuar, faktori kohë i dhuruar nga një ligj suedez, i kurseu këtë “surprizë” të palumtur të karrierës së tyre. Tashmë 50-vjeçar, faktori kohë ka lejuar që sot të bëhet publike gjithçka e diskutuar në dhomat e jurisë së Akademisë së çmimit “Nobel”, mbi gjykimin e këtij vlerësimi. Sipas ligjit suedez vetëm pas 50 vitesh, dokumentet teknike të këtij çmimi mund të jenë të dipsonueshme.

Kështu sapo hyri viti 2012, Akademia Suedeze ka lënë “të lira” procesverbalet e vlerësimit të çmimit “Nobel” për Letërsinë të vitit 1961. Janë dokumentet më të mundshme të reja për t’u studiuar nga arkivat e saj. Viti 1961 ishte një vit i rëndësishëm për letërsinë, me autorë të suksesshëm si Tolkien, Green, Moravia, Foster, Robert Frost, e Lawrence Durrell dhe me fitues Ivo Andric, pothuajse i panjohur dhe për lexuesin më fanatik që nuk humbet librin më të fundit nga Biblioteka Botërore.

Kushdo që ka mbajtur heshtur paragjykimin e tij, sot ka një arsye më se të justifikueshme për ta çliruar, pasi “Procesverbali i viti 1961”, lë shumë për të interpretuar. Çka shkruhet në to është në limitet e dyshimit e mos profesionalizmit të anëtarëve të saj; Tolkien konsiderohet “një shkrimtar i dorës së dytë”, Frost “shumë i vjetër” për t’u vlerësuar, Green-maniak i erotizmit, Durrell-pa asnjë shije leximi. Fitues i çmimit “Nobel” për Letërsinë më 1961 qe shkrimtari jugosllav Ivo Andriç. Nuk ishte hera e parë që vlerësohej një shkrimtar pothuajse i panjohur. Andriç kish qenë kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve Jugosllavë, kish shkruar libra interesantë, por kurrsesi nuk shkëlqenin midis firmave botërore që atë vit diskutoheshin për të fituar titullin nobelistë. Andriç i përkiste një vendi komunist, librat e tij u lexuan për pak muaj (më shumë nga kurioziteti) pas “Nobelit”, ndërsa konkurrentët që ai eliminoi Graham Greene, Edward Morgan Forster, Alberto Moravia, Karen Blixen, Robert Frost, e Lawrence Durrell, vazhdojnë të zbulojnë suksesin e tyre.

Ka qenë një diskutim i madh teknik midis antarëve të kësaj akademie e pasqyruar gjerësisht në të përditshmen suedeze “Sydsvenska Dagbladet”, me firmën e gazetarit Andreas Ekstrom. Ky reporter çdo fillimviti e ka kthyer pothuajse në një rit vizitën në arkivat e Akademisë Suedeze e “zbulimet-surprizë” të vendimeve të saj. Ekstrom është limituar vetëm në studimet e dokumentacionit të vlerësimeve të Letërsisë e kush e di se si do të ishin “zbulimet-surprizë” dhe në fushat e tjera të dhënies së çmimit “Nobel”. E pra, procesverbalet e 1961 shkruajnë se Alberto Moravia nuk merret në konsideratë nga juria suedeze nën këtë motivim: “Letërsia e tij është një studim i zmadhuar i psikozës seksuale, vuan nga skematizmi i karakterit të personazheve dhe ka një monotoni të përgjithshme”.

Për J. R. R. Tolkien (1892-1973), i cili sapo kish nisur të fabrikonte në imagjinatën e tij kryeveprën e fantazisë letrare “The Lord of the Rings” shkruhet: “Letërsia e tij nuk arrin të transformohet në një prozë cilësore”. Kandidatura e Tolkien iu rekomanduar jurisë së “Nobelit” nga shkrimtari e miku i tij C.S. Lewis autori i librit “Kronikat e Narnias”. Anëtari i jurisë suedeze Anders Osterling, një figurë e rëndësishme e për shumë kohë sekretar i përgjithshëm i saj, eliminon pa apel emrin e Tolkien duke i konsideruar librat e tij “jo cilësorë”.

Fjalë të rënda i rezervohen shkrimtarit Graham Green për të cilin nënvizohet se “ka një preokupim maniakal për komplikimet erotike”.

Poeti amerikan Robert Frost që më 1961 ishte 86-vjeçar, mbeti jashtë diskutimit për çmimin “Nobel” “për shkak të moshës së avancuar”, konsideruar një pengesë thelbësore për anëtarët e jurisë. Çmimi më i rëndësishëm për Letërsinë nuk i jepet atij që mund ta meritonte vetëm sepse është shumë i vjetër? Ndërsa romancieri anglez E. M. Foster u përkufizua nga anëtari i jurisë Anders Osterling, “hija e vetvetes”.

Studimet e Andreas Ekstrom nga arkivat e Akademisë Suedeze vërtetuan se më 1961 në vend të dytë në klasifikimin e “Nobelit” për Letërsinë u rendit Graham Green, e në të tretin, autorja e librit “Afrika ime” Karen Blixen. Ndërsa fituesi Ivo Andriç, siç shkruhet ne proces verbal, u zgjodh “për forcën epike me të cilën përshkruan e përfaqëson problemet e fatet humane të historisë së vendit të tij”. “Jam një maniak i letërsisë e më pëlqen të lexojë një kritikë letrare të realizuar mirë- është shprehur Andreas Ekström kur ka shfletuar dokumentacionet në arkivat e bibliotekës së “Nobelit”, duke shkruar për ndjekësit e tij disa paragrafë – “e ky çmim ka qenë rrethuar gjithmonë nga një atmosferë hyjnore letërsie, por ajo që këto proces verbale vërtetojnë është se si letërisa ka dhënë shumë më tepër sesa çmimet. Dhe në “Nobel”.

 

“Mallkimet” e Nobelit

 

“Asnjë bir kurv… që ka fituar çmimin “Nobel” nuk ka shkruar më pas diçka që ia vlente ta lexoje…” – do shprehej shkrimtari Ernest Hemingway. E thënia e tij do t’i kthehet si një bumerang më vitin 1954 kur pas fitimit të çmimit “Nobel” veprimtaria e tij letrare do të shkojë përherë e në rënie. Por ai nuk është i vetëm, shkrimtari njujorkez Saul Bellow, “Nobel” i letërsisë më 1976 pas kryeveprave të tilla si “Herzog”, do të rrëfehej “…Çmimi kish shkaktuar tek unë reaksione të pamatshme. Pa kaluar as dhe një vit isha i gatshëm ta shisja medaljen time të artë për një shtëpi në ishujt Kanarie… nuk po duroja dot të qëndroja mbi atë karozel, dëshiroja veç të zbrisja…”.  Është i njëjti sensacion që provoi Doris Lessing, fituesja e “Nobelit” më 2007, “…Qe një shkatërrim i plotë – do të shprehet ajo për BBC… për shkak të intervistave e fotografive kam pushuar së shkruari… nuk kam më energji… shumë komunikim e aspak krijim…”. Është kjo një kundërgoditje tipike e shkrimtarëve – shpjegon Michael Worek tutor i këtij çmimi – gjithçka që ata krijojnë është një punë vetjake që ushqehet mjaft dhe nga një vuajtje autobiografike. Pas përfitimit të çekut shumë prej fatlumëve gremisen sikur të mos kishin më asnjë motivim”.

Po në të njëjtin konkluzion arriti pak vite më parë Paul A. Samuelson, fituesi i “Nobelit” për Ekonominë më 1970: “…Pas nderimeve e lajkave fituesit humbasin në një pseudolavdi sterile – shkruante ai në sitin e tij zyrtar… kthehen në tullumbacë të fryrë, gurëlidhës të etikës e futurizmit, politikës e filozofisë. Të ulur në tavolinat e rrumbullakëta besojnë se janë në bash të vendit”.  Fituesit udhëtojnë, mbajnë konferenca pothuajse në të gjithë botën, kthehen në “muza” të gazetarëve e lajtmotive emisionesh televizive duke harruar qëllimin origjinal të Alfred Nobel; nxjerrjen e fondeve në ndihmë të mendjeve të ndritura duke u përqendruar totalisht tek novacioni. “Kam marrë pjesë në më shumë konferenca, kam dhënë më shumë intervista e kam pasur më shumë korrespondenca. Po bëhet fjalë për një ndryshim vogëlsor, në sasi e jo në sostancë – shprehej Milton Friedman teoricieni i Kapitalizmit e fitues i “Nobelit” më 1976. Një tjetër fitues, në Fizikë Burton Richter, do t’i duheshin shumë vite për të kuptuar profecinë e gruas së tij “Asnjë nuk duhet ta fitojë “Nobelin” pa mbushur moshën gjashtëdhjetëvjeçare”. “Në kokën e mjaft personave ky çmim krijon statusin e Nënë Terezës” – shpjegon Jody Williams, fituesja e “Nobelit” për paqen më 1997, për fushatën internacionale kundër minave. Ajo i njohu drejtpërdrejtë dëmet kolaterale të çmimit të madh; xhelozia e kolegëve për paratë e marra e çoi në pushimin nga puna si koordinatore e kësaj fushate ndërkombëtare.

Kimistit Donald Cram fitues më 1987, iu kërkua nga një grup fansash koreanë madje dhe rishkrimi i “10 rekomandimeve”. I ngazëllyer ai u përgjigjet: “Autori e ka bërë punën e tij mjaft mirë”. Por kurrsesi nuk mund të mohohen efektet pozitive të këtij të fundit, tre javë pas lajmit të fitimit të “Nobelit” për letërsinë, shitja e veprave të shkrimtarit britanik me origjinë indiane V. S. Naipaul u katërfishua. Shkrimtarit turk Orhan Pamuk, fitues më 2006, iu deshën plot dy vjet për t’iu kthyer normalitetit e gjashtë vjet për të ribotuar një libër të ri, pasi libri i fundit që i solli kaq fat është publikuar më 2002. “Vazhdoj të ndjehem një shkrimtar normal, – thotë ai. Dua të ngelem i njëjti, i vetëm duke shkruar romanin tim, i ulur në tavolinë me një fletë të bardhë përpara, me penën time, çajin, kafenë. Asnjë Nobel s’mund të më ndryshojë veset e mia. Madje ndjehem me fat që e kam fituar kaq shpejt. Ky çmim ka zmadhuar ambicien time. E nuk dua aspak të shkojë në pension….Nobel influencojë perceptimin tim ndaj njerëzve e lexuesve…të shkruash pas këtij kurorëzimi të jep mjaft përgjegjësi… do jem gënjeshtar po të them se ky çmim nuk më ka ndryshuar jetën. Po ma ka ndryshuar. Por ajo që s’ndryshon është mënyra se si unë punoj. Ky çmim më ka bërë mjaft të lumtur e nuk kam asnjë shkak për t’u ankuar”.

Poeti rus Joseph Brodsky, fitues i “Nobelit” më 1987 betohej para kronistëve të “New York Times” “se asgjë nuk kish ndryshuar… e se qe e njëjta jetë si më parë”. Por kaviale e shampanja që kishin zëvendësuar paninet me sallam me të cilat ish mësuar më parë flisnin për një realitet krejt tjetër. Albert Einstein sakrifikon shumën e fituar nga ky çmim për të paguar detyrimet ndaj ish-gruas së parë. E Marie Curie, fituese e dy “Nobel” për Fizikën e Kiminë i përdor paratë e marra për rikonstruktimin e shtëpisë.

“Nobel” influencoi perceptimin tim ndaj njerëzve e lexuesve… të shkruash pas këtij kurorëzimi të jep mjaft përgjegjësi… do jem gënjeshtar po të them se ky çmim nuk më ka ndryshuar jetën. Po ma ka ndryshuar…” – deklaron shkrimtari turk Orhan Pamuk teksa pret prezantimin e librit të tij të ri “Muzeu i Pafajësisë”, dy vjet pas fitimit të “Nobelit” për Letërsinë e plot gjashtë vjet pas publikimit të librit të tij të fundit. Mendja të mëdha e probleme të vogla. Por siç thotë dhe shpikësi i këtij çmimi Alfred Nobel: “Në qoftë se ke njëmijë ide e vetëm njëra të duket e mirë, duhet të ndjehesh i kënaqur”.

 

Nobeli për politikanët, dështim më pas

 

Michael Gorbacov fiton “Nobelin” më 1990 e një vit më pas Rusia e cila po përpiqej të reformohej hyn në një kolaps të fortë. Ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan fiton “Nobelin” për Paqen në vitin 2001 e pak kohë më vonë skandali i naftës irakiane do të përlyejë reputacionin e tij. Birmanezja Aung San Suu Kyi pasi u koronizua me këtë çmim më 1991, praktikisht është e gozhduar në një arrest shtëpiak. Pa harruar presidentin egjiptian Anwar Sadat, “Nobel” më 1978 e Issac Rabin, “Nobel” më 1994 të vrarë pak kohë pas fitimit të çmimit më të lartë në botë.

 

FBI, dosje për Gabriel García Márquez, 24 vjet survejim për shkrimtarin e “100 vjet vetmi”

“Washington Post” ka raportuar se në vitin 1961, nën udhëheqjen e J. Edgar Hoover, FBI hapi një dosje konfidenciale mbi Gabriel García Márquez, në atë kohë 33-vjeçar; autori kolumbian që më vonë do të shkruante kryeveprat e letërsisë botërore “Dashuri në kohërat e kolerës”, “100 vjet vetmi” dhe vepra të tjera të realizmit magjik. Byroja federale ndër vite mblodhi informacione mbi tashmë të ndjerin Marquez. Survejimi ndaj tij zgjati për plot 24 vjet, edhe pasi shkrimtari u bë i njohur ndërkombëtarisht dhe u nderua edhe me një “Nobel” në Letërsi. Pas kërkesës së “Washington Post”, FBI nxori 137 faqe të dosjes, por për arsye ende të panjohura nuk u lejuan 133 faqet e para të dosjes. Dokumentet e dosjes zbulojnë se agjentët e FBI-së ngacmonin shpesh anglishten e varfër të shkrimtarit kolumbian. Në dosjen e bërë publike nuk kuptohet arsyeja e interesit të FBI-së ndaj autorit, por spekulohet se survejimi mund të ketë ardhur për arsye të pikëpamjeve të tij të majta dhe miqësisë me diktatorin kuban Fidel Kastro. Nën drejtimin e Hoover, FBI survejoi disa shkrimtarë, përfshirë Ernest Hemingway dhe John Steinbeck.

Please follow and like us: