Albspirit

Media/News/Publishing

Ndahet nga jeta Ramiz Kelmendi, klasiku modern i letrave shqipe

Shkrimtari dhe gazetari, Ramiz Kelmendi, i vlerësuar klasiku modern i letrave shqipe, ka ndërruar jetë mbrëmjen e të mërkurës në moshën 86-vjeçare.

“Bota e letrave shqipe ka humbur penën e mprehtë, kultura njeriun që i dha një tjetër imazh asaj, gazetaria njërin nga personalitetet e shquara të saj”, shkruan shtypi i Kosovës.

Drejtuesit institucionalë e politikë të Kosovës kanë shprehur ngushëllime duke theksuar se ndarja nga jeta e Ramiz Kelmendit është humbje e madhe për gazetarinë, letërsinë dhe kulturën kosovare e shqiptare në përgjithësi.

Ramiz Kelmendi me krijimtarinë e tij ishte përkushtuar, siç thoshte vetë, të shkruante për jetën.

Është vlerësuar si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të Kosovës, si autor që me durim ndoqi jetën e shqiptarëve të Kosovës në shekullin e tij.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, mbajnë sot në mesditë mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të profesor Ramiz Kelmendit, pas homazheve në Teatrin Kombëtar, ndërsa varrimi bëhet pasdite në Prishtinë.

Ramiz Kelmendi – klasiku modern i letrave shqipe

Ramiz Jakup Kelmendi lindi më 20 dhjetor 1930 në Pejë, ku mbaroi shkollën fillore dhe gjysmëmaturën. Në kohën kur duhej të regjistrohej në shkollën e mesme, ai u burgos për motive politike. Ishte në grupin e patriotëve pejanë, që në vitin 1945 propagandonin idenë e Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Dënohet në të njëjtin proces gjyqësor të montuar, bashkë me Marije Shllakun dhe grupin e patriotëve, në Prizren (qershor-korrik 1946), por meqenëse ishte i mitur (16-vjeç), i mbajten vetëm 30 ditë burg. Pas shumë vështirësish, iu mundësua të regjistrohej në shkollën e mesme bujqësore në Prishtinë, në serbisht. Kur përfundoi shkollen , u pranua gazetar në të përjavshmen e atëhershme “Rilindja”. Më 1950 regjistrohet ne Fakultetin Filozofik në Beograd, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Studimet në fillim ia financoi babai i tij, sepse si një “element me njollë biografike”, nuk i jepet bursa për studime. Diplomohet në vitin 1955 me temën “Proza e Migjenit”.

Sapo mbaroi studimet rikthehet në gazetën “Rilindja”, atehere e përditshme, ku për 12 vjet punoi redaktor, reporter i lirë , kolumnist. Kolumnet e Kelmendit,  ishin nga më të lexuarat e kësaj gazete.

Në vitin 1967,  emërohet kryeredaktor i Redaksisë së Botimeve në ndërmarrjen botuese “Rilindja”. Për katër vjet,  ishte Drejtor i Teatrit Popullor Krahinor. Në vitin 1969,  zgjidhet profesor i letërsisë shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Ligjëronte lendën “Historia e letërsisë shqiptare nga Rilindja e deri sot”.

Botoi 12 vëllime me tregime, 8 romane, dhjetëra udhëpërshkrime, 3 radiodrama, 3 drama televizive, 39 tekste satirike, një skenar filmi, 4 tekste shkollore, monografinë “Shqipëria e Marije Shllakut”, dhe me mijera shkrime publicistike te natyrave të ndryshme.

Kelmendi njihej edhe si një nga përkthyesit më produktiv të Shtëpisë Botuese “Rilindja”. Gjatë viteve ’70 – ’80 ka përkthyer nga serbishtja kryeveprat e autorëve si Orwell, Markes, Kafka, Kundera, Grass, Castaneda, Sabato, Krleza, Kis, etj.

Ai ishte një nga themeluesit e Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, dhe njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtar i së cilës nuk u bë kurrë.

Ishte shkurti i vitit 1990 kur ai dhe Anton Çetta ishin të parët që përkrahën iniciativën e rinisë progresive kosovare për t’i pajtuar gjaqet në Kosovë. Kështu, Anton Çetta dhe Ramiz Kelmendi hynë në familjen Buqolli në Raushiq të Deçanit, për te kerkuar faljen e gjakut dhe bënë histori. Ramiz Kelmendi në javën tjetër fton edhe miqtë e tij Mark Krasniqin, Bajram Kelmendin dhe Azem Shkrelin për t’ju bashkuar dhe kështu fillon një lëvizje historike mbarëpopullore për pajtimin e gjaqeve, që përfundon me një manifestim madhështor në Verat e Llukës. Ramiz Kelmendi ishte edhe njëri nga ideatorët dhe nëshkruesit e parë në dokumentin e njohur “Apeli i 215 intelektualëve” dhe anëtar i Kryesisë së Forumit Mbarëkombëtar të Intelektualëve.

Kur doli në pension, Kelmendi nuk pushoi kurrë së punuari. Më 1996, Kelmendi vendosë të hapë,  Fakultetin e parë privat të Gazetarisë në hapësirat shqiptare, “Faik Konica”, i cili funksionoi deri më 2007. Me hapjen e këtij fakulteti, Kelmendi u bë nismëtari i arsimimit privat shqiptar.

Zyrtarë të lartë mesazhe ngushëllimi për Ramiz Kelmendin

Drejtues të lartë të Kosovës kanë dërguar telegrame ngushëllimi  për ndarjen nga jeta të shkrimtarit dhe publicistit Ramiz Kelmendi.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke ngushëlluar familjen Kelmendi, thekson se ndarja nga jeta e Ramiz Kelmendit është humbje e madhe për gazetarinë, letërsinë dhe kulturën kosovare në përgjithësi.“Ramiz Kelmendi do të mbahet mend si një intelektual erudit, i cili dha kontribut të shquar në zhvillimin e gazetarisë, krijimtarisë letrare dhe fushave të tjera të kulturës në Kosovë”, shprehet Mustafa.

Telegram ngushëllimi ka dërguar edhe ministri i Kulturës, Kujtim Shala, ku shprehet se ndarja nga jeta e Ramiz Kelmendit është një humbje e rëndë për kulturën dhe për letrat shqipe.

Ndërsa në telegramin e ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, theksohet “Profesor Kelmendi dha kontribut të madh sidomos në përgatitjen e gazetarëve të rinj, duke shënuar kështu edhe një etapë të re të arsimit: fillimin e arsimit të lartë privat. E gjithë vepra e tij jetësore dhe vlerat e larta njerëzore e bëjnë madhështore dhe të pazëvendësueshme figurën e profesor Ramiz Kelmendit”, thuhet në telegram.

Please follow and like us: