Albspirit

Media/News/Publishing

A mund t’u besojmë këtyre ministrave?

Mentor Kikia

Një pyetësor i faqes online Opinion.al, synoi të mblidhte perceptimin e publikut lidhur me performancën e pjesës dërrmuese të ministrave të kabinetit qeveritar. Natyrisht që vlerësimi do të ishte shumë fiktiv, pasi votuesit nuk mund të ishin në dijeni të treguesve realë të arritur nga secili ministër, ku disa, si p.sh ato të financave, kërkojnë edhe një interpretim shumë profesional. Gjithsesi, do të ishte një notë mbi atë që publiku vlerëson së jashtmi. Por kishte ndodhur më e paimagjinueshmja. Thuajse të gjithë ministrat e listuar në pyetsor, por vecanërisht 4-5 prej tyre, kishin angazhuar njerëz dhe veçanërisht personel teknik, për të përdorur maksimalisht teknologjinë për të ndikuar në këtë votim dhe për të deformuar perceptimin e publikut mbi përformancën e tyre. Aq e fortë dhe masive kishte qenë ndërhyrja sa faqja Opinion.al ishte bllokuar disa herë dhe sipas IT-së së kësaj faqeje, kishte patur mbi 13 milion tentativa për të votuar.

Urdhërat e supozuar të ministrave ndaj administratës për të votuar shefin e tyre janë një hiç gjë përpara këtij treguesi, që është një produkt mirëfillimi manipulativ me ndihmën e teknologjisë. Në fakt ky ishte thjeshtë një pyetsor për të matur perceptimin e publikut, bërë nga një program televiziv, ndërsa përpjekja për të ndikuar këtë perceptim është e paprecedentë, është skandaloze. Jo sepse kjo pati ndonjë ndikim në ndonjë proces, por ideja që anëtarët e një kabineti qeveritar mobilizojnë njerëz dhe teknologji për të modifikuar perceptimin e publikut, është një një veprim publik dhe politik i shëmtuar. Etja e madhe për të ndikuar kishte bërë që manipulatorët e teknologjisë të sajonin vota thuajse nga të gjitha vendet e botës, deri në Malajzi, duke angazhuar afersisht vota sa popullisa e rajonit tonë.

Në dukje kjo është një situatë thjeshtë qesharake, por mesazhi nuk mund të konsiderohet një lajthitje komike. Kjo për faktin se këtë e kishin bërë pjesa dërrmuese e anëtarëve të kabinetit qeveritar. Dhe kjo nuk lidhet thjeshtë me maninë e ministrave për tu prezantuar si më të preferuarit e publikut, sa para vetë publikut aq edhe para shefit të tyre, kryeministrit.

Ky është tregues i një fryme politike që ka në thelb tendencën për të manipuluar, për të gënjyer e mashtruar. Tendenca për ta përdorur median dhe përmes saj edhe opinionin si mënyrë për të bërë makiazh. Ky është tregues i manisë për të shitur më shumë nga ç’ke prodhuar, për tu dukur më shumë nga ç’je, apo më shkurt, për të prodhuar më shumë imazh sesa punë reale. Në një garë sa brenda qeverisë aq dhe brenda vetë politikës, kjo mund të justifikohej deri në një farë mase, por shifrat e treguara nga stafi teknik i Opinion.al, tregojnë një mani deri në çmenduri për të kapur një garë që nuk ishte as garë, por thjeshtë një stisje gazetareske për të prodhuar debat mbi perceptimin e publikut lidhur me punën e ministrave të qeverisë. Më e pakta që mund të vëmë në dyshim tashmë është besueshmëria dhe integriteti e këtyre zyrtarëve.

Please follow and like us: