Në ditën e nderimit të shkrimtarit nga presidenti, në mes tre botimeve të reja për Ismail Kadarenë ngjarje unike do të konsiderohej botimi kritik i romanit Dimri i vetmisë, një punë filologjike e jashtëzakonshme e studiuesit arbëresh Matteo Mandala. Si u shkrua romani në kushtet e “palirisë” dhe shfaqja e të gjitha varianteve të ndreqjeve, ndalimit, mungesat; sa ndikoi Kongresi i Drejtshkrimi më ’72, në gjuhën e romanit të sapodorëzuar të Kadaresë në redaksinë e asaj kohe. Rrëfimi ekskluziv i Kadaresë për dorëzimin e dorëshkrimit filologut arbëresh

Për shkrimtarin Ismail Kadare ka qenë një ankth i madh deri në fitimin e gjyqit ndaj Nexhmije Hoxhës për t’i marrë dorëshkrimin origjinal të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”. Ngjarja është shoqëruar me zhurmë në media, kur e veja e diktatorit refuzonte t’ia dorëzonte shkrimtarit veprën e tij, në dorëshkrim. Kjo është nga episodet më të vështira që ka kujtuar Kadare: “Kisha frikë se Nexhmija ma digjte romanin. Arbëreshi Matteo Mandala po bën një punë kolosale në deshifrimin dhe zbulimin e tekstit. Është një tekst i mahnitshëm, është i vetmi, origjinal”. Në këtë rrëfim ekskluziv shkrimtari tregon se “e kam shkruar dhe e kam daktilografuar direkt dhe gjithnjë kam punuar mbi tekstin e daktilografuar”.

Vepra që studiuesi arbëresh ka pasur në dorë ka qenë kopje e vetme, të cilën ia ka besuar shkrimtari për të zbërthyer e zbuluar nënshtresat e dorëshkrimit, si ka qenë procesi krijues i autorit. Si një nga romanet kulmore të gjithë projektit letrar të Kadaresë, si duket Dimri i vetmisë së madhe do mbetet një trajtesë historike, qoftë dhe për dimensionin që do të marrë tani me botimin e këtij edicioni kritik i dorëshkrimit, tekst i parë nga Matteo Mandala.

21 May 2016