Në kuadrin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit

Thanas L. GJIKA

Ismail Kadareja ka qenë shkrimtari ynë më i talentuar, më prodhimtar dhe më i lexuar i kohës së diktaturës. Madje ai vijon të jetë shkrimtari më prodhimtar dhe më i lexuar edhe sot, njëzet e pese vjet mbas shkërmoqjes së diktaturës, kur kanë dalë dhe shkrimtarë të tjerë shumë të talentuar si Visar Zhiti, me problematikë, tematikë e stil krejt të ndryshëm prej tij. Mbas përkthimit të veprave të Kadaresë krahas frëngjishtes dhe në gjuhë të tjera të huaja, ai ka marrë disa çmime të rëndësishme ndërkombëtarë dhe po bëhet një nga autorët më të kërkuar e më të vlerësuar në plan botëror.

E madhërishmja e këtij shkrimtari gjatë periudhës së diktaturës është se, ai krijoi vepra me tipare disidente në një kohë, kur disidenca si dukuri nuk lejohej dhe dënohej shumë rëndë deri në zhdukje fizike.

Në shtetet diktatoriale komuniste, partitë-shtet luftuan që të planifikonin ashtu si për prodhimin bujqësor, blegtoral e industrial edhe për atë letrar e artistik. Këto parti sipas porosive të V. I. Leninit i kthyen krijuesit në punëtorë për krijimin e kulturës, letërsisë dhe artit socialist. Partia shtet planifikonte zhvillimin e letërsisë e të artit zyrtar me krijues të paguar prej saj, të cilëve ua mbulonte shpenzimet e botimit, të përkthimit e të botimit në gjuhë të huaja. Në këtë proces, këto parti, për të maskuar shtypjen e vërtetë, zbatonin dhe një farë plani për një politikë gjoja tolerance.

Si është shprehur Visar Zhiti në veprën studimore “Panteoni i Nëndheshëm, ose Letërsia e Dënuar”, dikujt i jepej më shumë racione lirie, si racionet e bukës, djathit, mishit, etj. E dinte partia se kujt t’i jepte një, dy, ose tre racione lirie. E nëse ky krijues e tejkalonte racionin e tij të lirisë, ndëshkohej. Disave, që ishin jashtë kësaj liste, u merrej dhe racioni bazë i lirisë që u takonte. Ata ndëshkoheshin, jo rrallë dhe me marrje të jetës, për t’u përdorur si gogol për trembjen e krijuesve të tjerë e të mbarë popullit.

Kështu po ta shohim procesin letrar të krijuar gjatë diktaturës shqiptare mund të bëjmë një farë ndarjeje për shumë prej krijuese, por Ismail Kadareja, si do ta shohim më poshtë, është një fenomen letrar që i doli partisë shtet nga skemat e saj.

Zakonisht quhen krijues disidentë ata krijues, të cilët u kundërvihen hapur me vepra artistike, ose me fjalime politikës e bëmave të qeverive jodemokratike ose diktatoriale, ku ata jetojnë dhe si pasojë janë dënuar me pushkatim, vrrje, burgim, internim dhe mohim të së drejtës së botimit. Në letërsinë tonë të kohës së diktaturës, për nder të letrave shqipe, kemi pasur krijues disidentë që u pushkatuan si Genc Leka e Vilson Blloshmi, që u varrën si Havzi Nelaj, që u dënuan me burgim si Astrit Delvina, Kasem Trebeshina, Pjeter Arbnori, Jorgo Bllaci, Visar Zhiti, Maks Velo, Zydi Morava, etj, etj dhe shkrimtarë disidentë që e zhvilluan krijimtarinë e tyre pasi u larguan prej Shqipërisë para nëntorit 1944 si Ernest Koliqi, Vasil Alarupi e Isuf Luzaj dhe shkrimtarë që lulëzuan si krijues disidentë pasi u arratisën prej Shqipërisë komuniste si Martin Camaj, Arshi Pipa, Sami Repishti, Bilal Xhaferi, etj.

* * *

Kadareja shkroi në rininë e tij mjaft poezi e ndonjë roman si Dasma, etj me lavdërime ndaj regjimit komunist, më vonë disa poema si Shqiponjat Fluturojnë Lart dhe Vitet 60-të, ku glorifikoi partinë. Kjo shpjegohet nga fakti se ai vinte nga radhët e shtresave të ulta të shoqërisë, të cilat në dekadat e para të regjimit komunist përfituan prej reformave të tij ndaj e përjetuan instalimin e këtij regjimi si fitore dhe nuk ushqyen mendim kritik ndaj asaj që po ndodhte në të vërtetë.

Kadareja bëri një hap të lavdërueshëm kur hartoi e botoi tregimin Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur më 1963, e pastaj të romanit me po këtë emër më 1964. Këtu ai vuri si figura qendrore të veprës një gjeneral e një prift italian dhe jo heronj pozitivë, komunistë a ndonjë sekretar partie. Kjo dëshmoi se artistikisht ai kishte rezerva dhe po rebelohej ndaj metodës së realizmit socialist. Kjo ishte një shprehje artistike e frymës të tij kundërshtuese ndaj rregullave të realizmit socialist.

PPSH-ja mbas ndarjes nga Moska, pra nga vendet e kampit socialist, ndodhej në një gjendje krize dhe izolimi. Veprat letrare të shkrimtarëve shqiptarë që kishte përkthyer në gjuhë të huaja nuk pëlqeheshin askund. Në të tilla kushte ajo pranoi që përkthimin në frëngjisht të romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur bërë prej Isuf Vrionit, ta botonte e ta dërgonte në Francë. Këtë veprim ajo e bëri sipas psikologjisë së vet, jo për të popullarizuar autorin në botën Perëndimore, por për t’i treguar kampit socialist dhe botës Perëndimore, se arti dhe letërsia në Shqipërinë e shkëputur nga Moska po lulëzonte me nivel edhe më të lartë artistik.

Më tej, pasi ky roman u ribotua frëngjisht në Francë dhe autori u lejua të shkonte atje disa herë, ku pa nga afër një botë krejt tjetër nga ajo që kritikohej në shtypin shqiptar, Kadareja bëri hapa të rinj drejt pjekurisë ideore. Kjo pjekuri u manifestua në novelat Urra me tri harqe, Pallati i Ëndrrave, Pashallëqet e Mëdha, Qorrfermani, dhe në romanin Koncert në fund të Dimrit, etj, ku ai u shpreh kuptueshëm kundër deformimit shpirtëror që i bëhej njeriut nga sistemi diktatorial.

Duhet të pranojmë se ky autor me këto vepra i kishte tejkaluar racionet e tij të lirisë, dhe ky tejkalim ishte meritë e tij. Duan apo nuk duan ata që shkruajnë kundër Kadaresë, e vërteta është se ai iu imponua politikës së PPSH-së përsa i përket politikës së saj djallëzore të përdorimit të racioneve të lirisë.

Ky imponim ishte i ndryshëm nga imponimi që arritën disa persona si inxhinieri i mekanikës bujqësore Mërgim Korça, përkthyesi Isuf Vrioni, etj. Këta arritën ta detyronin diktatorin që të ndërhynte për t’i vlerësuar ai personalisht, vetëm në saje të aftësive të tyre dhe nevojave të vendit. Për ing. Mërgim Korçën, me baba të vdekur në burg dhe vëlla të arratisur në SHBA, Enver Hoxha ndërhyri t’i jepej titulli i lartë Punonjës i shquar i Shkencës, për shkak se zhvillimi i bujqësisë kishte shumë nevojë për aparaturat që projektonte dhe zbatonte ky inxhinier. Kurse Isuf Vrionit të dalë nga burgu i besoi përkthimin e veprave të veta në frëngjisht. për shkak se donte që veprat e tij të përktheheshin e botoheshin në frëngjisht në nivel sa më të lartë gjuhësor.

Ismail Kadareja; përveç aftësive personale si krijues me nivelin më të lartë artistik, përveç nevojave të mëdha që kishte partia shtet për të përmirësuar imazhin e saj përpara botës (sikur ajo u kishte dhënë liri krijuesve të talentuar të shpreheshin lirishtit); pati dhe një avantazh që nuk e patën shkrimtarë të tjerë. Ai pati paguar një haraç të madh me romanin Dimri i Madh, ku glorifikoi figurën e Enver Hoxhës. Dënimi i Kadaresë do të sillte si pasojë edhe dënimin, djegien e kësaj vepre, e për të mos ndodhur kjo, diktatori i vdekur për lavdi, u detyrua të vinte veton për të mbrojtur Kadarenë nga sulmet e Sigurimit e të përgjuesve vullnetarë, që kapnin e raportonin gabimet e tij.

Kur Anastas Kondoja i shkoi me ankesa kundër Kadaresë, diktatori ia preu shkurt: Më lodhët më këtë djalë. Kjo përgjigje donte të thoshte ta linin rehat e të mos e shqetësonin më për Kadarenë, sepse ai i duhej partisë…

Natyrisht ky imponim i Kadaresë ndaj diktatorit e diktaturës, duke fituar më shumë racione lirie se krijuesit e tjerë, nuk përbën disidencë të mirëfilltë, mbasi lufta e tij ishte e kufizuar vetëm kundër krijimit të çnjeriut, Lajfenit shqiptar. Një dalje e hapur e shumëplanëshe kundër politikës së partisë shtet, patjetër do të sillte edhe dënimin e Kadaresë si disident, sepse disidenca e mirëfilltë ishte e palejueshme për partitë shtet të botës komuniste e aq më tepër për diktaturën shqiptare që shquhej për egërsinë e saj.

Hartimi dhe botimi I veprave me tipare disidente, duhet pranuar se ishte maksimalja e mundshme që mund të arrihej në Shqipvrinë e asaj kohe, më tej vinte shkatërrimi. Faktin që vepra e Kadaresë e krijuar gjatë regjimit komunist nuk është vepër disidente e ka pranuar dhe shpallur disa herë vetë ky autor. Vepra Nga një Dhjetor në Tjetrin, ku autori i kërkonte Ramiz Alisë diktatorit pasardhës, që të përmirësonte disa aspekte të jetës pa mohuar socializmin si sistem të gabuar, tregon se Kadareja deri në tetor të vitit 1990 nuk kishte pasur bindje politike kundërsocialiste, pra nuk kishte bindje disidente ndaj regjimit komunist, ai kishte vetëm pakënaqësi të pjesshme.

Kjo ngecje e autorit tonë më të talentuar e më të guximshëm vetëm në kuadrin e tipareve disidente, vetëm në shprehjen e disa pakënaqësive të pjesshme, është njëherazi edhe shprehje e gjendjes shumë të trembur, të izoluar e të nënshtruar të mbarë shoqërisë sonë. Goditjet e njëpasnjëshme shfarosëse ndaj elitës intelektuale klerikale e laike kundërkomuniste që nga nëntori i vitit 1944 e në vijim, dënimet e herëpashershme për një fjalë goje me burgime, bashkë me propagandën e fuqishme të shtetit diktatorial, kishin krijuar një atmosferë mbytëse dhe frikë të madhe. Brezi i ri i formuar nëpër shkollat e vendit, për më keq akoma dhe ata që ishin krijuar në botën Lindore, ku kishin shijuar disa liri më të mëdha se në Shqipëri, ishin pajtuar me këtë gjendje mbytëse. Madje ishte bërë sundues mendimi se ishte e moralshme të nënshtroheshe e të mbyllje gojën, sepse nuk mund t’i bihej murit me kokë, se një dallëndyshe nuk e sillte dot pranverën. Shkrimtarët e formuar paraluftës në botën Perëndimore dhe që kishin mendime disidente ishin mjaft të moshuar jetonin disi të mënjanuar. Ata nuk krijuan shoqëri të afërt me Ismail Kadarenë, nuk i shprehën atij rezervat e tyre ndaj sistemit socialist, pa le mendimet kundër. Përjashtim bën këtu vetëm Lagush Poradeci, i cili gjatë një takimi i tha me të qeshur, por natyrisht dhe me qortim: Si je o nimfa e përkëdhelur e Partisë! Por një shaka qortuese ishte vetëm një shaka qortuese dhe nuk mund ta ndihmonte Kadarenë për një formim kundër regjimit. Për më tepër ajo nuk u përsërit me qortime të tjera e biseda kritika ndaj socializmit si sistem politik shoqëror.

Pra një disidencë, si fenomen politiko-shoqëror dhe artistik, që shfaqet me kundërshtim të hapur ndaj politikës së regjimit në fuqi, ka munguar në veprën e këtij autori dhe ata që bëjnë përpjekje për ta gjetur atë gabojnë. Këtë gabim e kam bërë edhe unë në kumtesën që mbajta me rastin e festimit të 65-vjetorit të këtij shkrimtari, organizuar prej të paharrueshmit Anthony Athanas në Pier Four Restorant, Boston MA, (botuar në Illyria N.Y, 2001, 30 janar, faqe e mesit).

Në kushtet e diktaturës tepër të egër shqiptare, krijuesit u detyruan të ishin shumë të përmbajtur e të kujdesshëm. Në këtë rrugë, që duhet quajtur rruga e pajtimit me politikën zyrtare, ecën shumica e krijuesve shqiptarë, sidomos ata që ishin pjellë e shkollës socialiste. Këtë fakt e ka pranuar me guxim qytetar vetë Kadareja te skica Prometeu ribotim i vitit 1992 ku ai i shtoi kësaj skice nënkapitullin Prometeu i Pajtuar, të cilën e kemi quajtur katarsa e Kadaresë (Gazeta Rilindja, Tiranë 1994, 25 maj, f.9 dhe “Illyria, N.Y. 2001, 30 Janar, faqe e mesit).

Natyrisht duhet të vëmë në dukje se mjaft krijues u përpoqën t’i largoheshin pajtimit të plotë me politikën shtypëse të regjimit komunist. Dhe në këtë aspekt vepra e Kadaresë ka merita të mëdha, mbasi kjo vepër, më shumë se veprat e botuara të autorëve të tjerë, luftoi disa aspekte të politikës çnjerëzore të partisë shtet.

Në veprat e Kadaresë gjeje më shumë se kudo kritikë e zbulim të të metave të njerëzve të pushtetit. Edhe pse temën e ndaluar, atë të pasqyrimit të jetës në gulaget dhe në burgjet shqiptare, ky autor nuk e trajtoi, duhet pranuar se në veprat e tij u është dhënë vend më shumë se në veprat e autorëve të tjerë, klasave të përmbysura, të cilat janë trajtuar pa përbuzje, dhe jo pa dinjitet.

Ishte Kadareja ai që e formuloi socializmin luftë midis të aftëve e të paaftëve, ku të aftët lodhen të parët (Dimri i Vetmisë së Madhe). Pra, tërthorazi ai e shpalli socializmin një sistem shoqëror pa të ardhme, mbasi nuk stimulonte të aftët.

Ai krijoi universin e tij letrar me temë nga koha e Perandorisë Osmane për të trajtuar probleme të jetës aktuale shqiptare me nëntekst në pasqyrimin e jetës shqiptare nën sundimin obskurantist osman. Kështu ai, nga njëra anë sfidoi thirrjen e partisë për të pasqyruar në letërsi dhe arte realitetin socialist, nga ana tjetër i jepte tingëllim aktual shtypjes së personalitetit njerëzor që ishte kryer në shekujt e sundimit të rëndë osman, por që ishte aktual në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të.

Autorët që krijonin brenda burgjeve dhe ata që krijonin letërsi sirtari jashtë burgjeve, edhe pse kishin brenda tyre trajtim disident të jetës shqiptare, nuk luajtën e nuk mund të luanin rol për edukimin e popullit, sepse veprat e tyre nuk u botuan e nuk qarkulluan midis lexuesve. Kurse vepra e Kadaresë, megjithëse nuk ishte vepër disidente e mirëfilltë, por vetëm me tiparet disidente duke luftuar kundër krijimit të njeriut të Ri të socializmit, kundër çnjeriut (Koncert në Fund të Dimrit), kundër ndërhyrjes së partisë në jetën personale të shqiptarit (novela Nata me Hënë ), etj, luajti rol të ndjeshëm në trimërimin e karakterit të shqiptarit. Pjesë të këtyre veprave mësoheshin përmendësh prej të rinjve.

Veprat më të mira të Kadaresë shërbyen si ushqim shpirtëror e artistik për shumë krijues të kohës të cilët të mbushur me guxim prej leximit të tyre, u përpoqën ta shpinin më tej cakun e racionit të lirisë që jepte partia shtet. Të tillë ishin Visar Zhiti, Genc Leka, Vilson Blloshmi, Havzi Nelaj, etj, të cilët e paguan guximin e tyre aq rëndë.

Faji kryesor që shkrimtarët dhe krijuesit tanë më të talentuar të kohës së diktaturës, nuk e kundërshtuan hapur regjimin, nuk duhet parë thjesht dhe vetëm si dobësi e karakterit të tyre, por edhe si pasojë e egërsisë së diktaturës shqiptare, e cila si askund në Evropën Lindore, jepte dënime kapitale edhe për shfaqje të vogla disidence.

Gjatë regjimit diktatorial në Shqipëri ndiqej politika e ndotjes së përgjithshme. Secili detyrohej prej regjimit të kryente veprime ose të thoshte gjëra të tilla, që edhe në kohën kur ky regjim mund të përmbysej, askush të mos kishte sy e faqe ta shante atë. Sa më të talentuar të ishin krijuesit, aq më të rafinuara merreshin masat për t’i njollosur edhe ata. Këtë politikë të ulët e kishte zbatuar partia shtet edhe ndaj Kadaresë. Edhe atë e kishte porositur të shkruante reportazhe e vepra lavdëruese për partinë e politikën e saj, me qëllim që po të përmbysej situata, t’ia përmendnin, si ia përmendin me të madhe shpesh herë kalemxhinjtë ish-komunistë e sigurimsa.

Për ta vijuar politikën e njollosjes ndaj Kadaresë e zgjodhën nënkryetar të Frontit Demokratik, organizatë pa asnjë pushtet. Po për këtë qëllim hafijet e Sigurimit pëshpëritën sikur ai i quajti Jashteqitja e kombit ata që u futën nëpër ambasadat në korrik të vitit 1990. Kjo shprehje nuk u botua prej vetë Kadaresë në asnjë artikull të asaj kohe, nuk u dëgjua në asnjë intervistë radiofonike a televizive të tij, madje autorësinë kadarejane të saj e ka mohuar dhe Dritero Agolli në një intervistë të tij para disa vitesh.

Kadareja, ndonëse gjatë viteve të diktaturës tha e shkroi dhe vepra haraçi, ku lavdëroi partinë dhe diktatorin, pas vitit 1990, ndryshe nga shumica e krijuesve shqiptarë, pati kurajon qytetare që t’i njihte e t’i hidhte poshtë gabimet që kishte bërë nën trysninë e pushtetit diktatorial.

Kadareja, me arratisjen e tetorit 1990 fitoi pavarësinë dhe filloi të jetojë epokën e evoluimit të tij. Ky evoluim ideor e nderon qytetarinë dhe letërsinë shqiptare. Vlerësimi i ri që ai u dha mbas vitit 1991 figurave të shquara të kombit si Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit, Bilal Xhaferit, etj, të cilët në kohën e diktaturës, nën presionin e propagandës së kohës, i kishte kritikuar, ose sulmuar, janë dëshmi e pjekurisë së tij qytetare, prej së cilës duhet të mësojmë të gjithë.

Si përfundim mund të themi se vepra më e mirë e Kadaresë e shkruar dhe botuar gjatë regjimit komunist nuk ishte një vepër disidente në kuptimin klasik të fjalës, por ishte një vepër me tipare disidente. Ajo nuk ishte një vepër antikomuniste, mbasi si e tillë nuk mund të botohej, por ajo e orientonte drejt lexuesin për të parë e vlerësuar si duhej shumë aspekte antinjerëzore të politikës së regjimit komunis. Ajo trimëroi mjaft krijues të rinj që kaluan në radhët e disidencës shqiptare.

Për këto merita që ka vepra e këtij shkrimtari aq të talentuar, sulmet që i janë bërë dhe i bëhen duke e quajtur poet oborri, shërbëtor i regjimit komunist, njeri me karakter të dobët, etj, nuk janë të drejta.

Kur vlerësojmë krijimtarinë e një shkrimtari duhet të marrim në konsideratë jo veprat e zakonshme, por kryeveprat e tij, kurse dobësitë e karakterit nuk duhen pasur parasysh dhe nuk duhen përmendur.

Po të shohim se kush e ka sulmuar shkrimtarin Kadare dhe veprën e tij këto njëzet e pesë vjet, mund të bëjmë këtë grupim:

Disa ish sigurimsa e ish komunistë, të cilët përfituan prej diktaturës e diktatorit poste e detyra të pamerituara. Këta duke mbetur nostalgjikë ndaj regjimit komunist, urrejnë çdo njeri që shau e shan atë sistem shoqëror, pra urrejnë edhe shkrimtarin që e kritikon atë regjim.

Disa shqiptarë të pakët, të cilët, po tregohen më osmanë se vetë turqit dhe po përpiqen të ngjallin dashuri për sulltanët e Perandorinë Osmane, njerëz të cilët i shqetëson kritika që Kadareja i ka bërë politikës antinjerëzore e antishqiptare të kësaj perandorie…

Disa shqiptarë të pakët që mendojnë se gjuha letrare shqipe me bazë toskërishten duhet mënjanuar e duhet zëvendësuar me një gjuhë te re letrare me bazë gegërishten. Duke qenë se Kadareja simbolizon shkrimtarin që i dha nivelet më të larta artistike gjuhës letrare mbi bazë toskërishten, ata nuk mund ta lenë pa e sulmuar ashpër për shkak të gjuhës së tij…

Ndonjë shqiptar mysliman fanatik, që nuk ia fal Kadaresë thirrjen për t’u kthyer te feja e të parëve, te feja e krishtere…

Me pak fjalë mund të themi se ata pak shqiptarë që sulmojnë Ismail Kadarenë duke u kapur pas dobësive të disa veprave ose të karakterit të tij bëjnë pjesë në radhën e krijuesve mediokër e ziliqarë, ose janë të lidhur e paguhen prej qarqeve të huaja antishqiptare…

(Ripunuar mbi bazën e variantit të botuar në Illyria N.Y. 21-24 Janar 2011)