Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Libri “Epoka Kadare” i Nadire Buzos

 

Pas dokumentarit “Emblema Kadare”, Nadire Buzo erdhi me librin me të njëjtin titull. Ky libër është frut i interesimit të autores si eseiste dhe përcjellëse me shkrime recensionale për vepra së I. Kadaresë, shkrimtar dhe eseist. Libri si brendi kryesore ka përmbledhjen e intervistave me personalitete të botës akademike dhe të kulturës shqiptare, intervista me nxënës e studentë në Tiranë e Prishtinë, intervista të cilat u volën nga autorja gjatë përgatitjes së dokumentarit. Përfshihen gjithashtu intervista të shkrimtarit Kadare dhe esetë e Kadaresë me rastin e marrjes së çmimeve ‘Man Booker…’, të çmimit Princi i Asturias, të çmimit Jerusalem.
Kjo lëndë e plotë vjen pas një vështrimi hyrës të quajtur ‘Epoka Kadare’ prej autores. ‘Epoka Kadare’ përmbledh vitet brezat që u formuan estetikisht dhe mendërisht me veprën e I. Kadaresë shkrimtar. Dokumentari dhe libri “Emblema Kadare”, veçse si nderim për shkrimtarin në 80-vjetorin e lindjes, sjellin dhe një prerje të gjithë asaj që mendojnë dhe ndiejnë bashkëkohësit për shkrimtarin e njeriun Kadare, në këtë rast, çfarë mendojnë dhe ndiejnë autoriete të kulturës, të studimeve letrare, dekanë, përgjegjës katedrash të univeriteteve, shkrimtarë, piktorë, kineastë, mësues, studentë, nxënës. Sipas një rregulli të hershëm, autorët që merren nën shqyrtim shkencor për veprën e tyre letrare, janë autorë që studiuesit i duan, i vlerësojnë. Ky libër e dëshmon dashurinë, vlerësimin, interesimin e thellë dhe të ngulët të shtrirë në gjithë moshat, të studiuesve, të institucioneve shkencore, universitare e shkollore, të institicioneve më të rëndësishme të kulturës në Gjirokastër, në Tiranë, Prishtinë, Palermo, pra, në vendlindje e në diasporë. Dashuria shpesh merr ngjyrat e admirimit e të krenarisë për një shkrimtar që e ka lartësuar artin e fjalës, shprehësinë e gjuhës shqipe, vetë emrin e atdheut te tij, i ka bërë këto objekt të interesimeve ndërkombëtare. Libri e dokumentari kanë vlerën e një dokumenti e një dëshmie për çfare ndiejnë e mendojneë bashkëkohësit për shkrimtarin e tyre me emër botëror. Mendoj se kjo ndjeshmëri e thellë, por e matur, pa patetizma dhe eufori, është e shëndetshme dhe i bën nder një kulture.
Më poshtë po ndalem shkurt në disa nga opinonet e të intervistuarve kryesorë.
Për Ag Apollonin Kadare është shkrimtar bashkëkohor europian nga më të njohurit, shkrimtar që për mbi pesëdhjetë vjet ka dominuar letërsinë shqipe. Fokusimi i ideve politike të veshura me petkun mtitk, e bëjnë atë të gjithëkohshëm. Kur flet me të, me shkrimtarin, ai si një mbret i letërsisë, … të imponon dashurinë për letërsinë.
Profesor Xhevat Lloshi, si gjuhëtar dhe stilist, e vë theksin në atë se me Kadarenë erdhi një formë e re e të rrëfyerit në letërsinë shqipe. Si stilist ai vëren procedimet e reja rrëfimore në prozën e Kadaresë. Në këtë vepër gjuha shqipe ka ecur në drejtime që nuk janë prekur më parë… përdorimi i gjuhës u ngrit në shkallën më të lartë… si shkrimtar gjenial Kadareja ka ngulitur gjuhën. Veç vlerësimit të lartë për përpunimin e gjuhës dhe të stilit sa asnjë shkrimtar tjetër shqiptar, prof. Xh. Lloshi ka dhënë leximin e vet krejt të ri për disa nga veprat kryesore të Kadaresë.
Për profesor Valter Memishaj Kadareja është gjuhëformues, gjuhëpasurues, gjuhëpastrues. Ai vëren se në veprën e plotë të Kadaresë me mbi 10 000 faqe, botimi i ‘Onufrit’, i bje të ketë sjellë mbi 20 mijë fjalë të reja në fondin leksikor të shqipes. Veçse fjalëkrijues, profesori Kadarenë e quan dhe kuptimkrijues: në letërsinë e tij fjalët marrin kuptime të panjohura më parë . Mbi këtë lëndë, prof. Memishaj po punon për një fjalor të ndarë në dy pjesë, si fjalor shpjegues dhe fjalor konkordancash. Krahas studimit të veprës së Kadaresë si shkrimtar, Qendra Albanologjike, po boton punimin e doktore Natasha Sotirit “Fjalori i veprës së Kadaresë” në katër vëllime.
Gjuhëtarët i mrekullon ajo që shqipja si gjuhë me pasurinë e eptimit, me shumëllojshmërinë e kohëve dhe të mënyrave të foljes, me pasurinë frazeologjike ka gjetur një shkrimtar të denjë për mundësitë e saj shprehëse. Profesore P. Asllani, autore e disa punimeve dhe parathënieve mbi vepra të Kadaresë me termin e “arkeologjisë së shkrimit” na çon te puna e shkrimtarit me gjuhën, si pocesi parësor i punës së tij. Arkeologjia shkrimore nëpërmjet vertikalitetit zbulon gjurmë të shkrimeve të mëpasshme të autorit. Sipas saj, Kadare është një dinjitet letrar kulturor të cilin Shqipëria e vogël ka fatin t’ia dhurojë botsë së madhe të letrave. Ajo ndalet dhe në ndjeshmërinë dhe evidentimin e figurave të artit dhe të letërsisë prej Kadaresë: punë të tij për Lasgushin, Migjenin, Martin Camaj, Lin Delian, përkujdesje për librin e padre Zef Pllumit, libri për ‘Kushëririn e engjëjve’ Angjelin Preljocaj, parathënia për E. Hatibin adoleshent, për A. Tufa etj, për Vedat Kokonën … Do të shtoja parathëniet e tij për disa libra të botuara në Francë, të Migjenit, të Qoses, të Rugovës. Portrete të S Spasses, ese për Frederik Reshpjen, për “zonjat” e letërsisë shqipe, etj te libri “Mëngjese në kafe Rostand”.
Prof. Mateo Mandala thotë se vepra e Kadaresë përfaqëson fazën më moderniste të letërsisë sonë… letërsi që kapi vlera universale… tashmë nuk është një letërsi kombëtare, por letërsi botërore. Kadare është një çertifikatë sigurie për botën shqiptare, … për arbëreshët, për rruzullin mbarëshqiptar. Njihet dhe studiohet në Palermo, ku është vlerësuar si ‘Doctor Honoris Causa’. Prof. Mandala ndalet në problemin e mitit në letërsi e në këtë pike, sipas tij, Kadare është mik i Homerit, Eskilit, Shekspirit, Dante Aligerit…
Kadare më1965 e cilësoi De Radën krijues i letërsisë moderne shpiptare, arbereshët kanë mbajtur ndezur flakën e lirisë, të emancipimit dhe të kulturës. Kadare ka kapur thelbin e antropologjisë kulturore shqiptare te” Prilli i thyer” apo rimerr traditën morale të besës arbëreshe te “Kush e solli Doruntinën”.
Sandër Simoni – jurist, Rikard Larja-kineast, Gazmend Leka-piktor, Natasha Bega-piktore, Republika Çulli, Odise Kote, Agron Doraci sipas prirjeve dhe përvojave përcjellin takimin fatlumë me veprën e I Kadaresë. Dr Elida Qenami paraqet marrëdhëniet me mitin në veprën e Kadaresë.
Profesor Ymer Çiraku e quan veprën Kadaresë “kalendar artistik të historisë së popullit shqiptar”. Kadareja është emancipues i madh i letërsisë shqipe.
Prof. Osman Gashi ndalon në çështje të studimit të Kadaresë në Universitetin e Prishtinës dhe në Kosovë. E cilëson shkrimtarin shtyllë e kulturës nacionale dhe bashkëudhëtar besnik të ecjes së Kosovës drejt lirisë. Përmend vepra të Kadaresë, poezi, romane, tregime, ese, etj me temë Kosovën, letra e shkrime të tij për ndërkombëtarizimin e problemit të Kosovës nën dhunën e racizmin millosheviçian . Një letër e shkrimtarit shkoi dhe të delegacioni i Kosovës në Rambuje.
Prof. Agim Vinca flet për përcjelljen prej tij të veprës së Kadaresë si shkrimtar botëror që nga viti 1969, kur u botua vepra e parë në Prishtinë. Ky vlerësim i pasuar me analizën e veprës së Kadaresë në vazhdimësinë e botimeve në Prishtinë, cilësimi i kësaj vepre si zbulim i “kaosit origjinal të historisë shqiptare”, të gjitha këto, e çojnë profesor Vincën në përfundimin se “Bota e madhe e njeh Shqipërinë përmes veprës së Kadaresë”.
Prof. Viola Isufi, autore e disa studimeve, ndalet në leximin e shume veprave të Kadaresë. Të bën përshtypje se si në Francë vepra e Kadaresë, si vepër e bukurisë klasike, studiohet në gjimnaze. Analiza, ecuria didaktike, ajo se si specialistët francezë e paraqesin veprën “Kush e solli Doruntinën” përpara nxënësit të gjimnazeve përbën mbase një shkollë që duhet t’i qasemi.
Ky libër i Nadire Buzos, siç u vërejt në intervistat kryesore, sjell mendimin më profesional, më të kualifikuar të shkencës shqiptare. Jo vetëëm kaq. Këta autorë nuk janë vetëm shkencëtarë dhe nuk kanë mbajtur leksione apo kumtesa. Pra, mendimet e tyre vijnë përmes emocioneve, duke mos përjashtuar dhe mbresa nga takimet a bashkëpunimi me autorin, njeriun Kadare.
Në se dokumentari sjell mjedise, imazhe, ngjyra muzikë, ky libër i rimarrë, i përpunuar lehtë, nga disa prej intervistuesve vë në tavolinat tona mendime dhe ide të shumë prej autorëve që janë marrë e vazhdojnë ta kenë drejtim kryesor të interesimeve të tyre veprën e I Kadaresë.

Please follow and like us: