Albspirit

Media/News/Publishing

Bisedë me Kadarenë: Unë isha një pushtet shpirtëror

Në «Deutschlandradio Kultur» nga Tobias Wenzel

Veprat e shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare janë përkthyer në më shumë se 50 gjuhë, prej shumë vitesh ai është kandidat për Çmimin Nobel. Dhe megjithatë ai po korr kritika për rolin e tij në komunizëm. Tani ai mbush 81 vjet.

“Nëse ka një gjë që më bën krenar dhe të lumtur, është kjo në vijim: Gjatë diktaturës komuniste unë i kam shkruar librat e mi më të mirë dhe më të guximshëm. Në to unë e kam vënë regjimin në shtyllën e turpit.»

Ismail Kadare qëndron në divanin e banesës së tij në Tiranë. Autori shqiptar, i cli me romanin absurd kundër luftës «Gjenerali i ushtrisë së vdekur» u bë i njohur ndërkombëtarisht, me gishtërinjtë e dorës së djathtë e formon një rreth, një gjest precizioni, sikur të donte të thoshte: Ishte mu kështu dhe asgjë tjetër.

«Nuk mund të shpreheshe hapur: ‹Vendi ynë i dashur është një diktaturë e tmerrshme dhe mizore!› Por kur vrojtimet e tij riprodhoheshin indirekt, duke i bartur në perandorinë e faraonëve, atëherë e kuptonin menjëherë të gjithë që me këtë mendohej Shqipëria. Sepse, piramidat lidhen me pushtetin, me tiraninë.»

Romani therës i Kadaresë «Piramida» në gjermanisht doli vetëm më 2014, me dy dekada vonesë. Librin ai kishte filluar ta shkruante para mbarimit të diktaturës shqiptare më 1990 dhe e kishte përfunduar pastaj në ekzilin francez.

Që dymbëdhjetëvjeç, i mrekulluar nga letërsia

Ismail Kadare është mjeshtër i ngritjes së historive të tij në parabola. Të përvuajturit dhe viktimat që ndërtonin piramidën e Keopsit u bënë të përvuajturit dhe viktimat e totalitarizmit në përgjithësi. Përgjuesit e vënë fshehurazi në trupat e njerëzve në romanin «Spiritus» e simbolizojnë shtetin vëzhgues në vete. Bashkë me artin gjuhësor bëhet kështu letërsi universale e rangut botëror.

Padyshim që autori i lindur më 1936 me librat e tij ka gjuajtur me thumba kundër regjimit. Por, kritikët i ngarkojnë ende sot që ai ka qenë shumë i afërt me pushtetarët komunistë: «Çfarë domethënë në një vend si ky t’i qëndrosh pranë regjimit?

Pos ndoshta fakti që kam qenë gjallë? Pesë libra të mi janë ndaluar në Shqipëri. Dhe tani po sulmohem me fjalë si: ‹Përse nuk jeni vrarë? Ju jeni gjallë, domethënë keni qenë i afërt me regjimin”.

Njohja ndërkombëtare e ka mbrojtur atë, përkundër kolegëve të tij, që të mos burgoset apo edhe të vritet.

Pas shpinës së Kadaresë qëndon një pikturë me ngjyrëra vaji: Eva po mban një mollë në dorë, simbolin e joshjes. Edhe Ismail Kadare, biri i një nëpunësi poste, u josh që në vite të hershme: nga letërsia.

«Me dymbëdhjetë, trembëdhjetë vjet letërsia e madhe më tërhoqi në syrgjynin e saj. Në formimin tim ka ndikuar fort edhe shtëpia ku jam rritur. Ajo ishte tepër e madhe për familjen time. Dhomat ishin pothuajse të zbrazuara. Dhe, dhomat e zbrazura ushtrojnë një ndikim të madh në një të ri, sidomos nëse ai ka një prirje për të fantazuar si puna ime. Jam ndier si në një kështjellë».

Si shkrimtar «përfaqësues i një tiranie alternative»

Shtëpisë së prindërve në Gjirokastër, transmeton Dialogplus, më 1970 ai i ngriti një monument me romanin «Kronikë në gur». Ndërkaq shtëpinë ai ia ka falur qytetit të tij të lindjes.

Që nga kthimi më 1999 në Shqipërinë e re, demokratike, Ismail Kadare jeton ndërrueshëm në Paris dhe në Tiranë. Dhe, mu këtu ai nganjëherë ndihet i përfolur. Kur flet për këtë ai shtërngon grushtin dhe godet me të lehtë mbi komodinën mbanë divanit:

«Disa nganjëherë thonë: ‹Edhe Ismail Kadare ishte një diktator.› Në një kuptim, kjo madje është e vërtetë: Në Shqipëri sundonte një tirani komuniste. Dhe nëse ishe një shkrimtar i njohur, atëherë ishe përfaqësues i një tiranie alternative, spirituale. Kjo është detyra më e rëndësishme e letërsisë: Të ngris një pushtet paralel. Dhe, unë isha ky pushtet paralel. Një pushtet shpirtëror. Por kjo nuk është e dënueshme.»

Please follow and like us: