Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumentet e CIA, Ahmet Zogu lobonte që të rikthehej mbret ose president pas rrëzimit të Enver Hoxhës, shkresë SHBA që të mos negocionte me Mit’hat Frashërin apo Mustafa Krujën, Koçi Xoxe-njeri i përgjakshëm

Mbreti Ahmet Zogu, pas largimit nga Shqipëria nisi lëvizjet dhe lobimet për rrëzimin e Enver Hoxhës nga pushtetit, teksa CIA ka zbardhur dhe ambiciet që kishte. Në një dokument të deklasifikuar të inteligjencës amerikane, thuhet se Zogu synonte që të kthehej si Mbret apo President në Shqipëri me rrëzimin e Enver Hoxhës. Bëhet fjalë për një letër që një zyrtar turk i dërgonte CIA, ku kërkonte që ata të rikthenin Zogun në pushtet. Nga ana tjetër, CIA ka zbardhur dhe një fjalim të Hasan Dostit, i cili kritikon pushtetin e Enver Hoxhës.

I gusht 1949

Memorandum për CPB-I

Subjekti: Letër për atasheun turk nga Ghazi Khan Bessolt, në lidhje me Shqipërinë, datuar më 14 qershor 1949

Letra e mëposhtme iu dha zëvendës-atasheut ushtarak të SHBA në Turqi, Majorit Allin, nga Ghazi Khan Bessolt, një refugjat nga Kaukazi që jeton në Turqi që prej Luftës së Parë Botërore. Ai besohet se ka lidhje me shërbimet e sigurisë turke

Për Major Gorge R. Allin

Asistent-atashe ushtarak në Turqi

I dashur major, duke ju prezantuar këtë projekt, unë me qëllim po iu shmangem detajeve pasi ato do të jepen, pasi unë e kem diskutuar këtë me madhërinë tij Mbretin Zog dhe liderë të tjerë të rezistencës shqiptare. Sido që të jetë, unë jam i bindur se nën udhëzimin e Madhërisë së tij do të arrihet sukses i plotë, pasi për këtë qëllim Madhëria e tij është i pajisur me të gjitha aftësitë e nevojshme: autoritete, guxim, njohuri dhe durim. Sipas opinionit tim, nëse populli shqiptar voton për monarkinë duhet të vendoset Mbreti Zog dhe nëse votojnë për republikën, duhet të bëhet President, Ahmet Zogu. Të gjithë liderët politikë të Shqipërisë, përfshi miqtë dhe armiqtë e Mbretit, kanë demonstruar një mungesë të madhe aftësish gjatë pushtimeve italiane gjermane dhe më në fund atë rus. Të gjithë këta njerëz janë të zhgënjyer. Unë nuk po flas këtu për Enver Hoxhën, Koçi Xoxen apo persona të tjerë kriminalë, por edhe për persona si Mehdi Frashëri (i mbretërisë), Mit’hat Frashëri (lider i partisë kombëtare), Mustafa Kruja (kryeministër gjatë pushtimit italian) Fevzi Agolli e të tjerë. Ringjallja e Shqipërisë nuk ka të bëjë më me këta persona. Prandaj nëse do të arrihet sukses, duhet mbajtur fshehtësi e plotë dhe amerikanët nuk duhet të hyjnë në bisedime me asnjë shqiptar. Unë vetë do të bëj punën paraprake të ndërlidhjes mes Amerikës dhe Shqipërisë, dhe si ndërmjetës i Mbretit Zog dhe rretheve shqiptare

Me shumë respekt, Ghazi Khan Bessolt

Ardhja e komunistëve në Shqipëri

Partia Komuniste Shqiptare u formua në vitin 1941 nga Tito dhe në fillim ajo kishte vetëm dymbëdhjetë anëtarë. Pushtimi italian i Shqipërisë favorizoi formimin e partisë. Para hyrjes së Rusisë në luftë, rëndësia e kësaj partie ishte zero. Gjatë luftës, komunistët fituan terren. Në vitin 1942, pas një manovre të shkathët të Moskës të aplikuar në të gjithë Evropën, komunistët ia dolën të krijonin “komitetin kombëtar të çlirimit”. Ashtu si dhe në vende të tjera, edhe në Shqipëri partitë e tjera u tradhtuan dhe pushteti kaloi në duart e komunistëve. Vetë Enver Hoxha hyri vonë në skenën politike. Ai e nisi karrierën gjatë pushtimit italian. Në vitin 1944 me urdhër të Titos, ai u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste Shqiptare, e cila asokohe kishte disa qindra anëtarë. Forcat aleate ndihmuan shumë në ardhjen e komunistëve në pushtet, pasi donin t’i përdornin ata kundër pushtuesve gjermanë dhe Italisë fashiste. Prandaj, ata ndihmuan në organizmin e komunistëve dhe disorganizimin e forcave nacionaliste. Forcat aleate, veçanërisht Anglia, u dhanë atyre materialet e nevojshme për të krijuar brigadat luftuese komuniste dhe dërguan këshilltarë ushtarakë. Po ashtu, media britanike mbështeste lëvizjen komuniste me anë të transmetimeve të përditshme në shqip. Mangësia kryesore e Aleatëve ishte mungesë dijenie ndaj komunistëve, të cilët përfituan nga ndihmat jo për të luftuar kundër gjermanëve dhe italianëve, por për të vendosur diktaturën komuniste në Shqipëri.

Situata e brendshme në Shqipëri

Sapo erdhën në fuqi, komunistët ndoqën recetën e Moskës duke aplikuar terrorin. Kjo metodë dha rezultate në të gjitha vendet sllave përveç Polonisë katolike. Ndërsa në Shqipëri ndodhi e kundërta. Që në fillim të vitit 1946, një opozitë kundra terrorit dhe metodave të Moskës nisi të marrë formë brenda Partisë Komuniste. Kjo ishte arsyeja për arrestimet dhe dënimin e ministrit të instruktimit publik, Gjergj Kokoshi, avokatin Suad Asllani dhe shumë të tjerë. Më vonë u zhvillua një gjyq ku u dënuan me vdekje 10 komunistë të tjerë. Një tjetër gjyq u hap për oficerët e lartë dhe një tjetër për inxhinierët e lartë të akuzuar për kabotazh dhe shërbim ndaj imperialistëve anglo-saksonë. Në një takim të ministrave në Tiranë, një prej ministrave vrau ministrin e Ekonomisë, Spiro Nako. Situata e komunistëve të Shqipërisë u përkeqësua pas konfliktit mes Titos e Moskës. Fakti është se Shqipëria nuk është një satelit i Moskës, por një nën-satelit. Shqipëria nuk qeverisej nga Stalini por nga Tito. Drejtimi politik, ushtarak e ekonomik ishte në duart e Titos.

Dënimi i pushtetarëve

Instruktorët e ushtrisë dhe specialistët dërgoheshin nga Jugosllavia dhe portreti i Titos dhe Stalinit ishin të detyrueshëm në çdo zyrë, dhe debati mes Stalinit dhe Titos u ndje shumë në Partinë Komuniste Shqiptare. Partia u nda në dy grupime të kundërta. Prova më e mirë për këtë ishte gjyqi i Koçi Xoxes dhe i shokëve të tij. Ne e dinim se përpara prishjes me Titon, Koçi Xoxe ishte diktatori i vendit dhe influenca e tij shkonte më tej se ajo e Enver Hoxhës. Xoxe ishte një njeri i përgjakshëm që ka pasur funksionet më të larta si ministër i Brendshëm, President i Këshillit të Ministrave, President i Gjykatës së Popullit. Ai u dënua me vdekje më 12 të këtij muaji, i akuzuar si agjent i Titos. Pas gjyqit të tij pati një valë arrestimesh dhe arratisje drejt Jugosllavisë. Në Jugosllavi ka tani rreth 2000 emigrantë nga Shqipëria, të cilët u pritën shumë mirë nga Tito. Grupe të tjerë që nuk guxuan të shkonin në Jugosllavi u larguan në zona malore.

Sipas raportimeve të fundit, situata në Shqipëri është e tillë: Partia Komuniste Shqiptare si rezultat i debateve është e përçarë. Grupe të vogla partizanësh prej 15-20 vetësh janë vendosur në male. Ka terror dhe uri, asnjë nuk është i sigurt për jetën e tij. Ushtria e vendit përbëhet nga 25 mijë njerëz, por qeveria nuk ka shumë besim te trupat e saj, prandaj gjatë zhvendosjeve nga një vendndodhje në tjetrën ushtarët nuk i kanë armët e mbushura. Numri i specialistëve rusë në vend ka arritur në 1000.

Kushtet e nevojshme për një grusht shteti në Shqipëri

Siç shihet nga më sipër, Shqipëria drejtohet nga një klikë e vogël komunistësh që nuk ka lidhje me popullin e saj. Ky grup ka gjithashtu debate mes vetes. Pakënaqësia e popullit rritet dita-ditës. Sapo sinjali i revoles të jepet, populli shqiptar do t’i japë fund komunistëve brenda disa ditëve. Tito nuk do të lëvizë sepse Shqipëria e Enver Hoxhës përfaqëson për të armikun kryesor. Duhet të supozojmë që Tito do të ndihmojë fshehtësisht largimin e regjimit të Hoxhës dhe kompanisë së tij. Por kushtet e mëposhtme janë absolutisht të nevojshme: Greqia, nëse është e mundur, duhet të deklarojë solemnisht që njeh kufijtë e Shqipërisë të vitit 1913, domethënë ato përpara pushtimit italian të vitit 1939, duke hequr dorë nga pretendimet e saj për Epirin e Veriut (provincat pjellore të Korçës e Gjirokastrës, dhe të nisë një politikë të re miqësie me Shqipërinë e re demokratike. Një deklaratë e tillë ka shumë rëndësi pasi populli shqiptar preferon më mirë të vuajë nën thundrën komuniste nga frika e pushtimit grek të Jugut të vendit. Deklarata të njoftohet me radio dhe nga shtypi, duke inkurajuar popullin shqiptar të krijojë kushtet e nevojshme për revolucionin. Kjo iniciativë duhet të kryhet nga forcat shqiptare jashtë vendit (në Itali, Greqi, Turqi, Egjipt e Siri) numri i të cilave të jetë 1500 deri në 2000 njerëz. Kontakti direkt duhet të vendoset me liderët e kualifikuar të rezistencës, brenda dhe jashtë vendit. Në çdo rajon të Shqipërisë ka njerëz që zotërojnë autoritetet absolut mbi provincat e tyre. Armatimet dhe municionet dhe furnizimet e tjera do të sigurohen nga Aleatët. Pasojat e një grushti shteti të suksesshëm: Goditje e rëndë ndaj imperializmit rus dhe një shembull; i shkëlqyer për vende të tjera që vuajnë nën thundrën sovjetike Fundi i luftës civile në Greqi. Kapja e bazës së rëndësishme në ishullin e Sazanit.

Please follow and like us: