Ilir Seci

Sot, asht 100 vjetori i lindjes së Musine Kokalarit. Njiqind vjet, thuajse njaq vjet sa ka ekzistencë edhe shteti shqiptar. Njiqind vjet të mbushuna plot vraga plagësh që mbetën si gjurmët e nji historie kobzezë si qe kjo jona këto 100 vjet…

Musineja u lind në nji nga familjet ma të mira shqiptare, u rrit si zonjë, u edukua në shkollat ma të mira të kohës, ku mujti me zhvillue talentin e saj të madh si shkrimtare. Ishte idealiste si mundet me qenë një shpirt i lirë, që andrron me ba gjana të mëdha në jetë. Për veti dhe për Atdheun. Andrroi. Ushqeu shpresa. Shkroi libra. E burgosën… Bishat e kuqe sa zbritën prej maleve, mbasi ja vranë të vlleznit e arrestuen edhe atë vetë… E nxorën në nji gjyq të montuem … Kur njeni në sallë, i shtymë prej montuesve të gjyqit, thirri se ajo – “Musineja duhet të dënohej me vdekje në litar” – Kryetari i atij gjyqi, Frederik Nosi, e pyeti: – “A e dëgjoi atë që kërkonte populli?” Musineja me qetësinë e zonjës si ish rritë e formue, ju përgjigj: – “Nesër këtë do të thonë edhe për ju turmat”. E dënuen 20 vjet burg… Pa ba asnji faj në botë! Në dorëshkrimin e saj “Mbi jetën time”, Musineja shkruan: – “Komunistët më varrosën për së gjalli… nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim… Dhe pse do të kërkoja falje?… Unë s’jam fajtore…”. Vuajti në burg, mbas sa vitesh burgu e internojnë në Rrëshen, ku e çojnë me ba punë të randa, si fshestare e herë si punëtore krahu në ndërtim, duke përgatitë beton. E shpallun anmike, e keqtrajtueme… nji jete aq e randë… si e përshkruen ajo vetë: – “Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individe, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç’domethënë familje. Ndoshta do të ishte mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike.”

Musine Kokalari në Vila Borgese, Romë

Në vitin 1981 sëmuret me kancer, e shtrojnë në spital, por edhe aty nuk i ndahet keqtrajtimi siç shkruan ajo vetë: – “Ç’fat tragjik. Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime. Këtu kuptova një gjë. Për mua jo vetëm që nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s’kanë gjë tjetër, veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhet te isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. Ç’do të ngjasë?”.

Vdes më 14 Gusht 1983, edhe në ato momente të fundit kujtohet me lanë një amanet: – “Nëse vdes, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër le të hyjë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm, që të demokratizohet puna e krahut dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë.”

Shpirt Fisnik! Deri ne fund. Vdiq e harrueme, e braktisun, pa pasë ba kurrë ndonji faj! E marrun në qafë! Barrë e randë në ndërgjegjien kombëtare! Kujt gja si bani, borxh kujt si pat. Ata që e kishin njoftë e dinin mirë pafajsinë e saj! Edhe ata që e dënuen po ashtu e kanë ditë mirë pafajsinë e saj po prapë e dënuen! Habitem si kanë mujtë me fjetë këta njerëz – në daç ata njerëz që e dënuen, në daç edhe ata që heshtën, kur e dënuen?! Këta njerëz, kur janë përpëlitë netëve të pagjumëta, athue nuk e kanë ditë se për pagjumësinë e tyne nuk e kishin fajin gungat e jastëkut, por gungat e ndërgjegjies!? Ndergjegjies që diku në ato kthinat e nanvetëdijes mbante strukun mendimin se lumtunia e tyne ishte ngritë mbi fatkeqësinë e dikujt tjetër!? Ndërgjegjia vret, por disa njerëzve u bahet ndërgjegjia si shputat e kambëve… që vriten, por nxanë kallo.

Musineja ishte intelektuale që nuk ngurroi kurrë me thanë të vërtetën dhe me i dalë zot asaj! Intelektuale model! Por, model që nuk i përshtatej regjimit që kërkonte konformizëm jo kundërshti!

Kur u vendos regjimi komunist gjaja e parë që bani ishte me vra dhe burgosë intelektualët jo-konformistë. Njerëzit që mendonin ndryshe nga ata komunistët. Inteligjencia shqiptare u rrafshua dhe në vend të asaj inteligjensie Partia mbolli fidanët e vet, “filizat e Partisë”, ata që i rriti ajo Parti, ata që sot na serviren si intelektualët e mëdhenj të kombit.

Njiqind vjetori i Musinesë qilloi në një javë me dekën e një shkrimtari “filiz të partisë”, shkrimtar që u varros me ceremoni nga shteti i sotëm… Ndryshe nga varrimi i heshtun i Musinesë, varrimi i filizit u ba me ceremoni shtetnore. Ceremonia e nji shteti që vazhdon e mbahet nga njerëz me kallo në ndërgjegjie.