Nga Spartak Ngjela

Ajo që duhet të bëjë çdo ditë kryeministri shqiptar është që të tregojë se nuk ka lidhje interesi në favor të politikës së fqinjëve, kundër interesit shqiptar. Kjo duhet të jetë politika jonë sot. Edhe Beogradi, edhe Athina janë në tensionin e brendshëm që iu shkakton historia e gënjeshtërt që kanë krijuar në 150 vjet kundër shqiptarëve. Nuk ka rrugë tjetër: shqiptarët i rezistuan shekujve për të mos u shpërbërë dhe tani janë në rrugën e identitetit të tyre real. Dalin në median shqiptare disa injorantë dhe kërkojnë të na mbushin mendjen që në Himarë paska grekë. “Është vetëdeklarimi”, thotë Dule, megjithëse vetë ka ardhur nga Anadolli në zonën e Gjirokastrës. Po pse, himarjotët nga Anadolli kanë ardhur, siç kanë ardhur përqindja më e madhe e atyre që quhen grekë sot në Greqi, ku banojnë rreth katër milionë shqiptarë autoktonë? Po pse, Dulja dhe një kope injorantësh do t’i mësojnë historinë shqiptarëve?

Zoti Rama, vijo çështjen shqiptare të Çamërisë, se ne e kemi amanet nga figurat e mëdha të indipendencës së Shqipërisë atë çeshtje! Dhe, brenda këtij amaneti, ti duhet të kërkosh shkollat shqipe në Çamëri, sipas marrëveshjes që ka nënshkruar Pangallos me qeverinë shqiptare në vitin 1926. Çdo kryeministër shqiptar duhet të sakrifikojë postin e tij deri në fund, për luftën e identifikimit të çështjes shqiptare në Ballkanin Perëndimor. A e dini, zoti Kryeministër se sa ka qenë numri i popullsisë arbërore në luftrat kastriotiane? Plot katër milionë.
Në vitin 1455 kanë qenë katër milionë anglezë në Angli dhe katër milionë arbërorë në Ballkan. Kurse sot janë 53 milionë anglezë në Britani dhe 11 milionë shqiptarë në Ballkanin Perëndimor, bashkë me arvanitasit e Greqisë dhe pa shqiptarët e Turqisë.
Sigurisht, kjo ka qënë tragjedia shqiptare. Por, koha e solli që gjithçka të vejë në vendin e vet. Deri tani, pengesa kanë qenë kryeministrat shqiptarë. E di ti zoti Rana këtë fakt? Kushti vendimtar i ecurisë shqiptare drejt modernitetit, është Reforma në Shqipëri dhe riformimi real dhe modern i ushtrisë shqiptare edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë. Kjo është rruga jonë sot, dhe gjithmonë brenda aleancës amerikano-shqiptare. Politika amerikane ka njëzet e gjashtë vjet që e ka gjetur aleatin e vet historik në Ballkanin Perëndimor, por gjithmonë kanë dalë kryeministrat shqiptarë, të cilët kanë qenë kundër nën rrogoz, sepse kanë parë të lëngështuar ose nga Athina, ose nga Beogradi, kundër çështjes shqiptare në Ballkan. Por, kjo Reformë sigurisht që do t’ua gjejë vendin të gjithë të korruptuarëve që kanë sjellë këtë gjendje ne Shqipëri.