Albspirit

Media/News/Publishing

Gjergj Sinani, ‘i mbijetuari’ i filozofisë shqiptare


Ka parë ndryshime sistemesh, pezullimin e degës, nisje nga zeroja me kurrikula krejt të reja, anatemime të një kohe të shkuar, ka parë kolegë të largohen për të përqafuar disiplina të tjera, ka marrë oferta nga fusha e politikës që i ka refuzuar vazhdimisht, duke preferuar të qëndrojë gjithnjë aty, si një shtyllë e Departamentit të Filozofisë, në Universitetin e Tiranës. Me thuajse dyzet vite kushtuar kësaj fushe, Sinani mund të quhet patriarku i Filozofisë shqiptare…

 

Nga Suadela Balliu

Që do i kushtonte të gjithë jetën filozofisë ishte thuajse e predestinuar.

Kështu e sheh profesori nga largësia e dyzet viteve rrugëtimin e tij në fushën e mendimit të kulluar, prej ditës kur i doli e drejta e studimit në degën e Filozofisë.

“Ndoshta për hir të një biblioteke të pasur që kam pasur në shtëpi, apo ndoshta për një dëshirë tim eti për t’u marrë me filozofi, kam qenë gjithnjë i prirur ndaj kësaj fushe dhe gjithmonë më ka tërhequr. Sigurisht brenda atyre kornizave të lejueshme…”, rrëfen prof. Gjergj Sinani, i cili brenda Departamentit të Filozofisë i ka parë dhe përjetuar të dyja epokat, atë nën regjim, por edhe atë në pluralizëm, edhe censurën, edhe tranzicionin, të cilit nuk i shpëtoi edhe disiplina e studimeve filozofike.

“Kush nuk ka jetuar nën regjimin totalitar, mendon se nuk ka pasur njerëz të pasionuar” – thotë profesori, duke shtuar se mënyrat për të lexuar, edhe librat e ndaluar gjendeshin gjithmonë.

“Kur i thanë Didëroit se mbreti kishte ndaluar enciklopedinë, ai u përgjigj duke qeshur: “Çdo gjë e ndaluar, është e lexuar”. Ajo që ndalohet kërkohet më shumë! Tani ndodh një fenomen i çuditshëm. Atëherë mezi e gjenim një libër të ndaluar, tani ua rekomandojmë studentëve dhe mezi e lexojnë, sepse u duket e mërzitshme”.

Pas një viti punë fizike në hidrocentralin e Fierzës, i erdhi lajmi se kish fituar të drejtën e studimeve në Filozofi. Nga tri degët e shënuara, ku përfshiheshin Inxhinieria Elektrike e Kimia Industriale, u përmbush edhe dëshira e babait; Filozofia.

“Më vonë mora vesh diçka për të qeshur. Dua ta rrëfej për të treguar si funksiononte sistemi. Mbase fitova pasi sekretari i parë dhe kryetari i komitetit në Vlorë patën mosmarrëveshje për dy njerëz të tyre që donin t’i fusnin në shkollë dhe kur dy zihen thonë se fiton i treti. Por edhe partia jepte direktiva që të zgjidhej dikush nga klasa punëtore”.

Asokohe, dega ishte e privilegjuar, kur siç pohon profesor Sinani studentë ishin kryesisht nga nomenklatura.

Megjithëse i kreu studimet me rezultate të larta, në vitin e stazhit të detyruar -përpara se të merrte diplomën – në një prej gjimnazeve të Vlorës si mësues i filozofisë, nuk e pat menduar se një ditë drejtori i shkollës do i komunikonte se e kërkonin në Tiranë, ku do emërohej asistent-pedagog në Katedrën e Materializmit Dialektik dhe Historik. Ishte viti 1982, kur u mësonte studentëve filozofi materialiste.

“Iu duhem të jem mirënjohës profesorëve të vjetër, që vërtet kishin mbaruar studimet në Bashkimin Sovjetik, por ishin njerëz me bonsens dhe kishin autoritet. Nuk ishin siç duan t’i mendojnë disa” – kujton ai.

Me rënien e komunizmit dhe mbërritjen e pluralizmit, Filozofia nuk i shpëtoi dot anatemimit si reminishencë e propagandës së regjimit. Pozita e katedrës dhe stafit akademik ishte mjaft delikate. Gjithë ç’propozohej prej atje do të lidhej me frikën e predikimit të ideologjisë marksiste.

“Ishte e vështirë t’u dilje ballë autoriteteve, ku shumë prej tyre kishin qenë komuniste ortodokse dhe tani na ishin bërë antikomunistë. Donin një dash për kurban dhe menduan të flijojnë departamentin tonë”.

Ende pa ardhur ky vendim i vitit 1993, një vit më herët, Sinani kërkonte në bibliotekë adresa të universiteteve të huaja, që për vite me radhë kishin dërguar në këtë katedër plot libra, shumica syresh falas.

Një pjesë të mirë të tyre, Sinani rrëfen se kishte autorizimin për t’i lexuar. Libra siç etiketoheshin atëherë, të ideologjisë borgjeze.

“Me synimin për t’i kritikuar, sigurisht”.

Rrëfen se në atë kohë ishte i zhytur në lexime, duke pohuar se të gjitha mendimet kritike që dilnin prej andej, mbeteshin të heshtura.

“Lexoja, por sigurisht pa bërë trimin” –pohon.

Identifikoi tri adresa universitetesh dhe u nisi secilit nga një letër, ku u kërkonte edhe programe si bëhej në vendet e tyre.

E para në një universitet të Italisë, e dyta në Universitetin e Montpellier-së “Paul Valery” Francë, dhe e treta për Universitetin e Berkley-t në SHBA.

“Përgjigja e parë më erdhi nga Franca dhe më pas një tjetër nga Berkley, ku profesori që më përgjigjej më kish nisur edhe një libër”.

Libri ishte “Filozofia, Historia dhe Problemet” e Samuel Enoch Stumpf, i cili qarkullon jo vetëm në departamentin e Filozofisë, por edhe në degët që e kanë të përfshirë filozofinë në program. Me një mbështetje nga Fondacioni Soros, libri u përkthye.

Edhe pse Sinanit iu mohua kërkesa për ta përkthyer, iu kërkua të bënte redaktimin.

Në letrat e ardhura prej Francës, profesori nga Montpelje i dërgoi edhe programet që bëheshin në Francë dhe shumë tekste filozofike.

“E ftova në Tiranë. Erdhi, mbajti disa leksione dhe pati dëshirë për të përsëritur traditën e Liceut Francez në Korçë, por autoritet nuk u përgjigjën”.

Pas këtij viti përpjekjeje për ta ristrukturuar nga e para katedrën e Filozofisë, presidenti i asokohe, kujton Sinani, i revoltuar nga një artikull i botuar, vendosi ta mbyllë të fundmit çerdhe të komunizmit.

“Kështu u pezulluam. Ishte gjest antikulturor. Të nxitur nga këta tanët, që hiqeshin si antikomunistë, edhe të huajt na shihnin pak shtrembër. Megjithëse ne e kishim nisur qysh më përpara procesin e ndryshimit të sistemit…”.

Megjithëse fatet e Filozofisë dukeshin të pasigurta, në planin profesional viti 1993 rezultoi frytdhënës për Sinanin, i cili kaloi tre muaj në universitetin “Ludwig Maximillian” në Mynih, një prej më të famshmëve në fushën e Filozofisë në Europë dhe gjithashtu mori një ftesë nga universiteti “Paul Valeri” në Montpelje.

“Bëja shaka me kolegët atje, duke u thënë se jam i dyti pas Enver Hoxhës pasi ai kish qenë atje. Krijova një lidhje shumë të mirë me Montpeljenë, por dua ta them me keqardhje u prish nga titullarët, me egoizmin e tyre”.

Ndodhej në Institutin e të Drejtave Ndërkombëtarë në Strasburg, kur mori një telefonatë nga Tirana ku i kërkohej të kthehej me qëllim ristrukturimin e degës së Filozofisë dhe asokohe, kur shumë prej kolegëve të tij kishin kapërcyer në disiplina të tjera, vetëm Sinani nuk e kishte braktisur filozofinë.

“U ktheva me sensin e detyrës patriotike dhe kemi punuar bashkë me kolegë të tjerë, mes të cilëve edhe Artan Fuga dhe na ndihmoi shumë edhe korrespodenca që kisha krijuar”.

Një vit më vonë, më 1994, Filozofia rikthehet, por jo si degë me vete.

“Filozofia, Sociologjia dhe Shkencat Politike ishin bashkë”.

Sinani rikthehet edhe njëherë në Montpelje për të kryer Studime të Thelluara Paradoktorale me një temë mbi Monteskje dhe Tokëvil .

“Nga ajo kohë kam vijuar të jap mësim në universitet e gjithashtu kam përkthyer e botuar”.

Nuk pati kurrë tundimin të kapërcejë në degë të tjera, madje refuzoi edhe oferta të herëpashershme nga politika. Nuk e pati kurrë ngasjen, as në kohën kur punët nuk ishin të mira jo vetëm për filozofinë, por pasiguria mbizotëronte mbi çdo fushë të jetës.

“Ndoshta rrethanat bënë që të mos mendoj për të këtë. Sigurisht, periudha ishte e vështirë. Duke qenë i angazhuar, por edhe me një sens detyre ndaj vendit… Kur isha në Mynih shumë nga kolegët gjermanë më thoshin se duhet isha i lumtur në Shqipëri, mendova se talleshin, por ata e thoshin në kuptimin se unë po ia nisja diçkaje të re, nga zeroja”.

Nga ato kohë të pasigurta, u përpoq fort jo vetëm të rehabilitonte imazhin e Filozofisë, aq të lidhur me ideologjinë, por edhe përgatiti tekste të filozofisë për shkollat e mesme, tekste universitare, përkthime si “Arratisje nga Liria” e Erik From apo “Traktat mbi Tolerancën” e Volterit, edhe botime që mbajnë autorësinë e tij si “Fenomenologjia” etj.

“Iu përkushtova filozofisë së kulluar, pa lidhje me realitetin dhe më ka dhënë kënaqësi, sepse kam qenë i lirë ta ndërtoj punën time pa pasur zot mbi kokë apo pa pasur frikën se po thashë këtë do më ndodhë diçka…F ilozofët i kanë thënë ç’duhej, edhe në kushtet e despotizmit. Megjithatë njerëzit u prirën drejt profesioneve fitimprurëse dhe nuk kishin shumë mendje për mendimin e kulluar”.

Megjithatë po vihet re një kthim i interesit te filozofia, thotë entuziast Sinani pasi prej dy vitesh po diskutohet rikthimi i filozofisë në shkollat e mesme.

“Filozofia është e domosdoshme për të bërë qytetarë. Përpara ’90 ishte e detyruar kudo, pas ’90 kur duhet të ishte, fatkeqësisht filozofia u përbuz. UNESCO e ka shqetësim të madh këtë dhe madje ka bërë presion të futet edhe Etika në shkolla, pasi ka një zvjerdhje të njeriut perëndimor, por edhe atij lindor. E me populizmin në rritje, kërkohet gjithnjë e më shumë nevoja e filozofisë”.

Sinani mendon se të gjitha shkencat humane duhet ta kenë të pranishme në programe filozofinë.

“Tani mund të zgjidhen edhe kurse të posaçme, jo domosdoshmërish filozofia e pastër”.

Ai vëren me keqardhje edhe mungesën e organizimeve siç mund të jenë klubet e filozofisë.

“Fatkeqësisht nuk ekzistojnë klube të tilla, vetëm Universiteti Europian i Tiranës e ka klubin e filozofisë ‘Bertrand Rusell’ dhe është një iniciativë për t’u përshëndetur që hap herë pas herë debatin filozofik dhe mbi rëndësinë e filozofisë”.

Sinani kërkon edhe një rol më të madh të medias – e shkruar apo televizive – për më shumë vëmendje nga filozofia.

“Monteskje thotë se ‘qytetari mund të vdesë dhe njeriu të mbetet’. Ka një të vërtetë të madhe, sepse qytetari është ai që lufton për lirinë, ndërsa njeriu i nënshtrohet çdo lloj pushteti. Demokracia do qytetarin, që pushteti të mos bjerë në duar të sharlatanëve”.

Sinani thotë se ka fusha të larmishme ku të rinjtë mund të angazhoheshin në filozofi, si ajo e artit apo e së drejtës, apo filozofia e historisë…

Madje ai thotë se në vendet perëndimore filozofët shpesh gjejnë punësim edhe në kompani të ndryshme, ku është e përcaktuar nevoja për filozofë.

Edhe rreth botimeve në shqip, Sinani vëren një problematikë, pasi përkthimet bëhen në mënyrë sporadike nga shtëpitë botuese, ku kryesisht preferohen autorë modernë apo postmodernë.

“Do ishte mirë të përktheheshin veprat kryesore të emrave kryesorë në historinë e filozofisë. Filozofia nuk mund të kuptohet pa lexuar dhe kuptuar të paktën Platonin, Dekartin dhe Kantin. Kjo prirje e përkthimeve sporadike mund ta dëmtojë filozofinë”.

…Sado gjithëpërfshirës të jetë një filozof, ai kurrë nuk i shter me përgjigje të gjitha pyetjet që ngre kjo shkencë, thotë Sinani.

Ndaj kur vjen puna te filozofi i tij i preferuar, përgjigjet duke u menduar një hop.

“Në fushën e filozofisë politike qasem me Tokëvilin, i cili ka treguar ku qëndron problemi i demokracisë, që mund të shkasë në tirani dhe në Francë po e ribotojnë. Tokëvili thotë se nëse një ditë do të shkatërrohet demokracia në Amerikë, do të vijë nga diktatura e mazhorancës. E ka thënë më 1810–ën dhe kjo që po ndodh sot aktualisht, ngjallja e populizmit, Brexit etj., ka ngritur nevojën për kthimin e filozofisë”.

Me të gjitha vështirësitë që ka kaluar filozofia, vazhdon të tërheqë studentë rreth vetes dhe prej vitesh qëndron si degë më vete e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe janë 550 studentë në të tria ciklet e saj.

“Kemi hapur edhe part-time, megjithëse unë kam qenë kundër, sepse filozofia nuk mund të bëhet me kohë të pjesshme. Në studimet Master vijnë edhe nga degë të tjera, po ashtu e kemi lënë të hapur edhe për Doktoratat. Mund të vijnë nga fusha e së Drejtës e të zgjedhin Filozofi të së Drejtës apo edhe nga Artet për Filozofi Arti etj. Kemi nxjerrë plot doktorata”.

Pasi i ka refuzuar ofertat për t’u larguar prej Departamentit të Filozofisë, edhe kur mund të kenë qenë joshëse, thotë se do të qëndrojë aty derisa të mbërrijë mosha e pensionit.

Por pa e braktisur filozofinë, në formën e mendimit të kulluar, duke pasur luksin e kohës dhe lirinë që nuk ta jep kurrë qëndrimi brenda një zyre…

Please follow and like us: