Albspirit

Media/News/Publishing

Shqiptarët njësoj në mbrojtje të hebrenjve

Në Ditën Botërore të Shoah

Shaban Sinani

I.

Më 15 nëntor të vitit të kaluar, në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë (“commending the Albanian people on the 100th anniversary of the declaration of their independence”), Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit të SHBA, me Rezolutën “HRES 812 IH”, nderoi për herë të tretë brenda një dhjetëvjetëshi popullin shqiptar dhe Shqipërinë, si i vetmi vend në Europë ku kishte më shumë hebrenj në mbarim të Luftës së Dytë Botërore se në fillim të saj (“the only country in Europe that had more Jews in it after World War II than before it”).

Kjo rezolutë është rikonfirmuese e dy të tillave të mëparshme, por njëherësh zyrtarizon pjesën më të madhe të fakteve që janë propozuar prej dijes albanologjike për një vlerësim të certifikuar jo vetëm të mospjesëmarrjes së shqiptarëve në katastrofën e shekullit me emrin “Shoah”; jo vetëm të mungesës ndërshekullore të antisemitizmit te shqiptarët, por edhe për çështje të tjera më të diskutueshme.

Arsyetimit për miratimin e Rezolutës i janë shtuar disa të dhëna që kanë të bëjnë me ndryshimin e përfytyrimit të deritashëm për përmasat e përgjegjësisë që morën shqiptarët, pavarësisht rreshtimit politik dhe dallimeve fetare e kulturore, për shpëtimin e hebrenjve prej rrezikut nazifashist të shfarosjes.

Për herë të parë, ndryshe prej shifrave të propozuara edhe prej gjithfarë vullnetarësh shqiptarë të shkencës historike, shënjohet se në vitin 1938 në Shqipëri kishte 300 hebrenj vendës dhe më shumë se 1900 të tjerë të ardhur nga vende të Europës Qendrore dhe ish-Jugosllavia (“in 1938, approximately 300 Albanian Jews lived in the Republic of Albania, and more than 1,900 escaped to Albania from Nazi-occupied Western Europe and the former Yugoslavia during World War II”), fakt që i përgjigjet së vërtetës historike, shpesh të zvogëluar e minimizuar prej mosnjohjes. Në këtë numër nuk përfshihen hebrenjtë që erdhën në Shqipëri nga Dalmacia (350), nga Mali i Zi (192) dhe nga Kosova (mbi 600) gjatë vitit 1942.

Për herë të parë cilësohet se shqiptarët, në shtetin e tyre dhe në Kosovë, siç u këshillonte toleranca e tyre ndërfetare, duke e quajtur mbrojtjen e hebrenjve çështje të brendshme shtetërore dhe gjithaq të nderit të tyre kombëtar, mbajtën një qëndrim të përbashkët për mbrojtjen e hebrenjve në zgrip, duke rrezikuar dhe jetën e vet (“Albanians in Albania and Kosova, based on their unique history of religious tolerance, considered it a matter of national pride and tradition to help Jews during the Holocaust”).

Për herë të parë në një dokument të një rëndësie të tillë parësore pohohet në mënyrë të drejtpërdrejtë fakti që, pas pushtimit nazist më 1943, kur Gestapo kërkoi të zbatonte projektin e vet të shfarosjes masive të hebrenjve, autoritetet zyrtare të Shqipërisë refuzuan të dorëzonin listat e tyre (“after Nazi Germany occupied Albania in 1943 and the Gestapo ordered Jewish refugees in the Albanian capital of Tirana to register, Albanian leaders refused to provide a list of Jews living in Albania”).

Për herë të parë pranohet si fakt historik i dëshmuar se jo vetëm myslimanët shqiptarë, siç pohohet shpesh mendjelehtësisht, por të gjithë shqiptarët, pavarësisht besimit, duke përfshirë dhe klerikët vetë, mundësuan fshehjen e identitetit të hebrenjve duke i pajisur ata me dokumente false (“Albanian clerks issued false identity papers to protect all Jews in the country”).

Rezoluta është një model i arsyetimit të mëtejmë të preambolës, duke iu referuar fakteve të panjohur më parë, që argumentojnë pavërtetësinë e tezës së “dy qëndrimeve” të shqiptarëve ndaj hebrenjve, që tradicionalisht i ka bërë shqiptarët e Kosovës përgjegjës për pjesëmarrje në Shoah. Çmohet lart familja e Arslan Rezniqit, shpallur në dhjetor të vitit 2008 si “Fisnik mes Kombesh” së bashku me djalin e tij Mustafa Rezniqi, sepse “u prinë 400 familjeve hebrenje të Deçanit në brendësi të Shqipërisë, ku do të kishin më shumë siguri” (“Arslan Rezniqi was the first Kosovar Albanian recognized by Yad Vashem’s ‘Righteous among Nations Department’, for leading 400 Jewish families from Decan, Kosova, into safety in Albania”).

Dhoma e Përfaqësuesve, duke veçuar si shembull aktin e Arif Aliçkajt, sekretar i Bashkisë së Deçanit, që ndihmoi hebrenjtë e qytetit të kalonin në Shqipëri duke i pajisur ata me pasaporta false dhe duke humbur për këtë shkak jo vetëm funksionin që kryente, por edhe gruan (“Arif Aliçkaj, the secretary of the municipality of Deçan, risked his job and his life helping the Rezniqis rescue Jews in Nazi-occupied Kosova by issuing false identity papers to insure their safe passage to Albania”), i propozon Institutit “Yad Vashem” të shtojë kërkimet dhe nderimet për këtë pjesë të popullit shqiptar, sepse Shqipëria dhe Kosova kanë mbrojtur e shpëtuar jetën e gjithë hebrenjve që jetonin në Shqipëri e kërkuan strehim atje (“the people of Albania and Kosova for protecting and saving the lives of all Jews who either lived in Albania or sought asylum there during the Holocaust”). Me këtë rezolutë, vlerësimi për shqiptarët mori vitin e kaluar një mirënjohje të tillë, me ndryshime cilësore, thelbi i të cilave qëndron në referimin te kombi shqiptar si i tillë.

 

II.

 

Si autor i librit “Hebrenjtë në Shqipëri: prania dhe shpëtimi” (“Naimi”, 2009), për të cilin më qe dashur të punoja të paktën dy dekada, miratimi i kësaj rezolute, së cilës në mjediset shqiptare thuajse nuk iu kushtua asnjë rëndësi, më dha një kënaqësi edhe vetjake. Për një kohë të gjatë më është dukur se jo vetëm në mjedise ndërkombëtare, por edhe në mjedisin shqiptar vetë, ku është krejt normale që njerëz të prirur për vëmendje publike të pohojnë a të kundërpohojnë të vërteta të supozuara, pa prekur asnjë burim arkivor, do të ishte e vështirë të çmontoheshin disa teza të ngulitura në botime institucionesh me njohje botërore, në histori të Holokaustit, në botime enciklopedike. Vijues drejtvizorë të një historiografie tendencioze, të disiplinuara me qëndrim social-klasor, prej ndonjë vullnetari të kësaj shkence nuk ishte e mundur jo të pranohej, por as të përfytyrohej, se jo vetëm populli shqiptar, por edhe ata që e kishin qeverisur atë, në periudhën mbretërore dhe përgjatë luftës antifashiste, kishin meritat e tyre të padiskutueshme për pritjen, mbrojtjen dhe shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri. Si mund të pranohej, për shembull, se mbreti Zog mund të kishte luajtur rol pozitiv në gjithë këtë fletë të historisë, ndonëse, siç provohet prej burimesh e prej dëshmive të të mbijetuarve, vetëm dy ditë para pushtimit fashist, më 5 prill 1939, me anë të një dekreti të posaçëm, në shenjë falënderimi e gëzimi që froni ishte trashëguar me djalë, u lejoi të gjithë të huajve që gjendeshin në Shqipëri, të gjithëve pa përjashtim, të merrnin shtetësinë shqiptare pa asnjë procedurë burokratike (Johanna Jutta Neumann, “Via Albania”, Haifa, February 1983, manoscrito, dono dell’autrice al Centro di Documentazione Ebraica Contemporanea, p. 24: “On April 5, 1939, we woke up to cannon salvoes announcing the birth of the Prince of Albania. As a gesture dof gratitude that a son and heir to the throne was born, Kong Zog offered Albanian citizenship to all immigrants residing in Albania at the time”)? Si mund të pranohej dëshmia që ofronin arkivat e Shqipërisë, se në vitet 1930 kishte ekzistuar një projekt ndërkombëtar për shpëtimin e hebrenjve të rrezikuar, duke i dhënë këtij vendi karakterin e një “atdheu rezervë” të tyre, megjithëse shtypi izraelit, në të përditshmen “Haaretz”, do të botonte pikërisht dy vjet më parë një pjesë të vogël të raportit të misionarit hebreo-britanik Leo Elton (që zhvilloi bisedime me qeverinë shqiptare në Tiranë më 1935), ruajtur në “Jewish University” qysh prej vitit 1945, që do të konfirmonte fund e krye gjithçka që përmbanin dokumentet shqiptare? Si mund të pranohej se, veç hebrenjve të listave, mund të kishte dhe shumë të tjerë, sepse një pjesë e madhe e tyre e fshehën identitetin duke u pajisur me dokumente të rreme shqiptare, megjithëse këtë do ta provonin edhe burimet që ruhen në institucionin e kujtesës së Shoah, si Yad Vashem (“In a few case the Righteous saved the Jews by moving them to a safe place or by providing them with false papers” – Yad Vashem, M. 31/7450)? Si mund të pranohej se në Shqipëri nuk kishte pasur kampe përqendrimi, por vetëm kampe tranzitimi, megjithëse këtë e kishin pohuar shumë kohë para se të lindte ky diskutim vetë të mbijetuarit, për më tepër që hebrenjve u është ofruar dhe një dietë mbijetese nga vetë qeveria shqiptare (Neuman, p. 33-34: “About 100 escaped and were later placed in a transit camp in Kavaja. The Albanian government supported us by payin us a few Leks per day, which was not enough live on”)?

Më e vështira ndër të gjitha pyetjet, që merr tashmë një përgjigje të katërciptë, ishte ajo për pjesëmarrjen e shqiptarëve të Kosovës në Shoah, e propozuar prej një vargu studiuesish të Jugosllavisë së dytë, më pas e mbështetur edhe prej historianësh me njohje dhe nderim në Shqipëri, si B. Fischer e N. Malcolm, të cilët, për fat të keq, s’kanë pasur mundësi të këshillojnë as burimet shqiptare, me sa duket as ato jugosllave e hebraike. Ekzistenca e një divizioni të policisë politike naziste me emrin “Skanderbeg” e bënte të besueshme tezën se “në Kosovë fati i hebrenjve ka qenë disi më ndryshe”, mbështetur me një zell të habitshëm edhe nga shqiptarë.

Në kohën e përgatitjes për botim të librit “Hebrenjtë në Shqipëri: prania dhe shpëtimi”, nuk i kishim në duar disa dokumente të arkivave jugosllave, që certifikojnë qartësisht procesin e fabrikimit të “gjenocidit kosovar” ndaj hebrenjve që u gjendën atje. Këto burime njoftojnë se në vitin 1960, vetëm pak kohë pasi ishte botuar libri me kujtime i H. Neubacher, ish-legat i Reich-ut në Beograd (për gjithë Ballkanin), me titullin “Sonderauftrag Südost, 1940-1945. Bericht eines fliegenden Diplomaten”, Sekretariati Federativ për Punët e Brendshme të Serbisë, saktësisht Drejtoria e Sigurimit (Državni sekretarijat za unutrašnje poslove, Upravi državnom bjezbjednosti), me anë të një qarkoreje, urdhërohej të merrte nën hetim të gjithë hebrenjtë që kishin gjetur strehë e mbrojtje në Shqipëri gjatë luftës dhe të provoheshin krimet që kishin bërë shqiptarët ndaj tyre. Në shkresën urdhëruese thuhej se, me iniciativën e krerëve më të lartë të reaksionit shqiptar, gjatë vitit 1942, një numër hebrenjsh i internuan në Shqipëri, në Berat dhe në Elbasan; pastaj, gjatë vitit 1944, të gjithë hebrenjtë që gjendeshin në kampin e Prishtinës u internuan në kampin e Bergen-Belsenit (“Na inicijativu najistaknutiji šiptarskih reakcionara poćetkom 142 godine znatan broj jevrejskih porodivca interniran je za Albaniju u Beratu i Elbasanu; zatim, 1944 godine svi jevreji koji su zatekli u Prištinu internirani su od strane nemaca u logor Berben-Belzen. Smrt fašismu – Sloboda narodu, Svetko Bogdanović, šef odseka UDB-e, 6.VIII.1960”). Rreth kësaj çështjeje ekziston një koleksion dokumentesh, që provojnë një veprim shtetëror të orientuar mirë. Në krye të nismës, siç vërehet nga kjo qarkore, përmendet vetëm “reaksioni shqiptar”, ndërsa përgjegjësia për hebrenjtë e zhdukur në kampin e Bergen-Belsenit bartet hë për hë mbi nazistët (“internirani su od strane nemaca”). Por shumë shpejt vërehet se qëllimi është për të implikuar shqiptarët e Kosovës në judeofobi. Në të njëjtën shkresë, institucionet që duhet të marrin në intervista hetimore hebrenjtë e mbijetuar, njoftohen se, sipas dëshmive të atyre hebrenjve që i kanë bërë ballë shfarosjes, para së gjithash të atyre të Prishtinës, ku ishte dhe përqendrimi i tyre më i madh, është bërë i ditur roli i reaksionit shqiptar, i agallarëve dhe bejlerëve, të cilët ishin në anën e pushtuesit dhe bashkëpunuan me të (“Prema izjavanja proživeli svedoka interniranje jevreja is Prištine, gde su bili najbrojnie nastanjeni, izvršeno je na zahtav šiptarske reakcije, aga i begova, koji su na okupatorom bili u saradnju”).

Ky hetim i orientuar do të çonte në marrjen në pyetje të të gjithë hebrenjve që pas lufte ishin kthyer në Kosovë, me qëllim që të nxirreshin prej tyre prova për inkriminimin e shqiptarëve. Kemi pasur në duar dëshmitë e hebreut Samuilo Mandil, i cili qysh në vitin 1945 pati botuar në të përditshmen “Bashkimi” një artikull mirënjohës për sjelljen e popullit shqiptar me hebrenjtë gjatë luftës; të Bosa Prlinčević, të Sarina Feta, të Hajim Adižez, të Nisim Navonović, të Hedwig Schönhein dhe të shumë të tjerëve. Të gjitha këto dëshmi ruhen në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd (“Arhiv Jugoslavije, Boegrad”), sot pronësi intelektuale e Serbisë. Nuk janë dëshmi të mbijetuarish, që shprehin vullnet vetjak për të mbrojtur kujtesën e një historie traumatizuese globale, siç janë ato të hebreut Gavra Mandil, dërguar Institutit “Yad Vashem” në vitin 1988, duke u bërë i pari hebre që mendoi se duhej njohur e nderuar veprimi i shqiptarëve ndaj tyre.

Këto janë intervista hetimore të realizuara në zyrat e UDB-së, me nënshkrime të dy, tre e më shumë oficerëve që kanë marrë pjesë në proces. Prej këtyre intervistave, procesverbale të realizuara në hetuesi, duket qartë se të thirrurit në pyetje kanë qenë nën presion për të fabrikuar të dhëna të paqena. Në verbalin e Bosa Prlinčević-it (25.VII.1960), që identifikohet si një e mbijetuar e kampit të shfarosjes të Bergen-Belsenit, dëshmitari ka aq pak njohuri për historinë për të cilën pyetet, sa edhe emrin e kampit e shkruan dy herë “Bergen-Bezel”. Një tjetër dëshmitar detyrohet të përmendë se hebrenjtë e Kosovës u internuan në kampin famëkeq të “zhdukjes përfundimtare” të Bergen-Belsenit “në vitin 1942”, kur dihet mirë se ky kamp është i fundmi që u ngrit nga nazistët dhe ka filluar të funksionojë vetëm në vitin 1944.

Megjithëse nën trysninë e hetimit, hebrenjtë e mbijetuar pohojnë se qeveria e atëhershme shqiptare na mbrojti (“tadašnja albanska vlast da bi nas zaštila”); pa hezituar të përmendin se në kampin e Sajmište-s ata u torturuan rëndë dhe u keqtrajtuan prej ustashëve (“u Sajmištu bili smo teško mučeni i maltretireni od strane ustaša”). Por dëshmia më e rëndësishme e gjithë këtij koleksioni është ajo e hebreo-jugosllavit Nisim Novanović, që shprehimisht pohon se për internimin e hebrenjve nga Prishtina në kampin e Sajmište-s arriti Divizioni SS “Hanxhar”, që ishte formuar me myslimanë vullnetarë nga Bosnja (“za interniranje jevreja iz Prištine vršila “Hadžar Divizija”, mobilizana SS jedinice od muslimanima iz Bosne” – Sarina Feta). Në asnjë rast nuk përmendet Divizioni SS “Skanderbeg”, të cilit i është shtuar si përgjegjësi shoqërimi i hebrenjve nga kampi i Prishtinës deri në Beograd. Në asnjë rast nuk përmendet si keqbërës ndonjë autoritet apo ndonjë person shqiptar pa rol publik që të ketë luajtur ndikim dëmprurës ndaj hebrenjve. Pothuajse nga të gjithë pohohet fshehja e 400-600 hebrenjve të Kosovës në brendësi të Shqipërisë së vjetër, me interesimin e autoriteteve të vendit, nga të cilët veçohet Ilijaz Agushi, ish-ministër i qeverisë së Shqipërisë (“Ilijaz Aguši, bivši ministar albanske vlade” – Sarina Feta), po dhe Shukri Bega, Vesel Sadiku, Xhemal Bega, Rushid Bega, Shazivar N., Malush Kosova, Zenel Bajraktari (“Šukri Bega, Veseli Sadika, Djemalj Bega, Rušid Bega, Šezivara N., Maljuš Kosova, Zenel Bajraktara, od nacionalnog albanskog komiteta”, idem), në të gjitha rastet si ndihmës të hebrenjve në kohë të vështirë.

Në përfundim të këtyre hetimeve Sekretariati Federativ i Punëve të Brendshme, drejtoria e Sigurimit (“bezdbjednosti”), një zyrë e posaçme e UDB-së, hartoi listat e plota të 62 familjeve hebrenje të Kosovës, të internuara nëpër kampe përqendrimi ose të strehuara e të mbijetuara në Shqipëri. Listat përmbajnë 295 emra, nga të cilët 206 ishin ende gjallë në vitin 1960, në ish-Jugosllavi apo Izrael. Sipas punëtorit operativ të policisë së fshehtë (“operativni radnik”) Miodrag Kratić, hartues i listës emërore sintezë (vetëm të kryefamiljarëve) prej katër fletësh, 80 hebrenj vdiqën në kampin e Bergen-Belsen-it, 7 u qëlluan me armë atje dhe 2 në Prishtinë (“Od gore navedenih lica čiji ukupan broj iznosi 295 u logoru je umro 80, streljani 7 (u logoru), streljani u Prištinu 2, preživeli 206”). Këto dokumente janë mbajtur sekret deri vonë, sepse është pretenduar krejt e kundërta: që numri i hebrenjve të viktimizuar në Kosovë gjatë luftës antifashiste ka qenë 260-400 veta dhe që internimi i tyre është bërë nga Divizioni SS “Skanderbeg”. Zbulimi i tyre, së pari, bën të ditur se ka pasur një projekt jugosllav për të gjetur një fajtor te “reaksioni shqiptar” për numrin e hebrenjve të deportuar, gjë që nuk dëshmohet nga asnjë i mbijetuar. Nëse do të kishte qenë një çështje humanitare, pse duhej të ngarkohej me çështjen UDB-ja? Së dyti, është i dukshëm qëllimi për të ndërlikuar në gjithë këtë histori Divizionin SS “Skanderbeg”, por të mbijetuarit fajësojnë një tjetër Divizion, atë “Hanxhar”, njëri prej gjashtë divizioneve vullnetare naziste SS që u krijuan në ish-Jugosllavi. Së treti, me gjithë përpjekjet për të rritur numrin e hebrenjve të Kosovës viktima të Shoah në Bergen-Belsen, ky numër raportohet 80, por prej verifikimit tonë emër për emër numri i saktë është 75 dhe, veç kësaj, në këto lista më shumë se gjysma gjenden si hebrenj të mbijetuar në Shqipëri në listat e arkivave të vendit.

Në përfundim, rikonfirmohet se numri prej 32 hebrenjsh që rezulton në listat e plota që ruhen në Shqipëri deportuar në Bergen-Belsen është më i padyshimti. Dhe ky numër, sado i vogël, përfaqëson jetë njerëzish, dhe sot, në Ditën e Kujtesës, është çasti për të pyetur pse ndodhi, është çasti për të kujtuar krime të tjera të ndodhura gjatë luftës, që mund të kenë implikuar dhe njeriun shqiptar në një formë a një tjetër.

Please follow and like us: