Albspirit

Media/News/Publishing

Udhëtimi i “Dasmës” së Kadaresë, romani i shumëpërfolur

Prof. Xhevat Lloshi

 

Lart në Kullën Ejfel ka një sallë të vogël, ku shfaqet një film dokumentar për historikun e saj. Pamjet më mbresëlënëse janë ato për “kullat nga të cilat kemi shpëtuar”, domethënë të cilat mund të ishin ndërtuar në vend të kësaj, që edhe pas më shumë se një shekulli e ca lartohet në mes të Parisit dhe i mbërthen vizitorët jo aq me mjeshtërinë teknologjike, sesa me hijeshinë artistike.

Nga romanet tashmë të panumërta të Ismail Kadaresë, në fatin e “Dasmës” ka pasur diçka të ngjashme me “kullat nga të cilat kemi shpëtuar”.

Koha kur kishte vetëm një yll

Sapo u botua për herë të parë si variant i përmbledhur në numrin 8 të revistës “Nëndori” më 1967, gjeti një jehonë të pazakonshme në disa qarqe, që përpunonin ideologjinë e regjimit drejtuar popullsisë. Pa kaluar dy muaj një nga aparatçikët, në artikullin prej afër njëzet faqesh në po atë revistë (nr. 10), e quajti me ngazëllim dashamirës: “hymn për klasën tonë punëtore”. Ky përcaktim do të përsëritej më pas nga shkrimtarë e kritikë të tjerë.

Romani u botua i plotë në vitin 1968. Dhjetë vjet më vonë historia akademike e letërsisë shqiptare të realizmit socialist nuk e përmendte asnjëherë këtë titull, e po ashtu as Fjalori enciklopedik shqiptar më 1985. Çfarë kishte ndodhur?

Sipas Èric Faye te ‘Parathënia’ për vëllimin  9 të Veprave (botim i Fayard-it në vitin 2000), entuziazmi i madh me të cilin e priti daljen e romanit kritika zyrtare shpjegohet me dëshirën e saj për ta parë si sukses të fushatës së bërë për riedukimin e shkrimtarëve. Ismaili gjatë viteve 1966-1967 ishte dërguar në bazë, që të njihej me realitetin, të prekte temën e aktualitetit, të ndërtimit të socializmit. Duke parë nga afër gratë e Labërisë, që punonin në Kombinatin e tekstileve të Beratit, ai e shkruan këtë roman nën shtypjen e dogmës, duke bërë lëshime të pjesshme, gjë që do ta lejonte të vazhdonte punën letrare më tej. Këtë Parathënie e ka ribotimi i sotëm i “Dasmës” nga SHB “Onufri”.

Unë do të lë mënjanë trajtimet për “revolucionin kulturor” në Shqipëri jo sepse nuk ka nevojë për zgjatje të tilla politike kur është puna për një vepër letrare, por sepse në të vërtetë shtjellimi i ngjarjeve ka qenë pak më i ndërlikuar dhe kërkon shpjegime të tjera qoftë edhe për atmosferën politike.

Ishte viti 1967, domethënë pas Kongresit V të Partisë së Punës, kur duheshin zbërthyer e zbatuar vendimet e tij për thellimin e revolucionit ideologjik e kulturor. Tashmë kursi i ri, në të cilin luftës kundër imperializmit i bashkëngjitej edhe lufta kundër social-imperializmit, e kishte nxjerrë më vete enverizmin, me të gjitha rrjedhimet që çuan përfundimisht në izolimin e plotë të Shqipërisë. Pavarësisht se nuk shqiptohej hapur, ishte në ajër pyetja: Ku po na çonte kjo rrugë, pas prishjes me Bashkimin Sovjetik? Në jetën e përditshme, pas përmirësimeve të arritura gjatë një dhjetëvjeçari të kaluar derisa u hoqën triskat, po ndiheshin pasojat e rënda të këtij kursi në të gjitha fushat hap pas hapi. Në vend të reformave të nevojshme, u ndërmorën goditje; goditjet u quajtën revolucionarizim. Por regjimi orvatej ta paraqiste gjendjen sikur po korreshin suksese në të gjitha fushat. Domethënë edhe në letërsi. Disa njerëz të ngrehinës propagandistike të atyre viteve (po e theksoj: vetëm disa) ishin të gatshëm të rroknin rastin për të bërë bujë, se ja, edhe në arte revolucionarizimi po sjell vepra të reja. Në këtë atmosferë, libri i Ismailit nuk ishte për ta thjesht sukses i fushatës për riedukimin e shkrimtarëve, siç e pohon Èric Faye. Për ta shihej në horizont një lloj i ri letërsie, fryt i suksesit të “revolucionarizimit të gjithanshëm”. Me këtë shpjegohet ai entuziazëm, me të cilin kurrë nuk do të pritej më ndonjë vepër e Ismailit.

Po kërkohej një yll i ri i realizmit socialist. Tërheq vëmendje të posaçme në këtë pikë problematika e vetë procesit letrar, e cila nuk është marrë në vështrim prej trajtimeve të deritanishme rreth kësaj vepre. Pa dyshim, ai proces nuk ishte i shkëputur nga kompleksiteti politik. Entuziastët për pak çaste e kishin harruar se Shqipëria mund të kishte vetëm një yll (siç edhe u këndua në një këngë) dhe për të gjithë lëmenjtë. Aparatçikët e tjerë i lexuan me hungërimë fjalët e kritikut, se Kadareja me këtë vepër u ngrit në shkallën më të lartë të prozatorëve tanë të sotëm (kishte nisur botimi i veprave të Enver Hoxhës), se ai na e jepka me mjeshtëri të lartë artistike madhështinë e jetës së sotme, se i kishte rrokur dukuritë e reja shoqërore, se i kishte mishëruar në art idetë e Kongresit e fjalimet e udhëheqësit etj., etj. Kritikët akademikë, që kishin rrudhur buzët për “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” (dhe pikërisht në atë kohë Ismaili merrej me rishikimin e atij romani) dhe e kishin çuar te ndalimi “Përbindëshin”, nuk do ta pranonin as si roman “Dasmën”, sidomos për kompozicionin, që largohej nga kanonet e traditës. Tabloja pra nuk ka qenë njëngjyrëshe dhe as me pritje vetëm entuziaste.

 

Entuziazmi dhe keqkuptimet

Përveç djemkave të nomenklaturës, të cilët e shihnin me mllef shfaqjen e Ismailit në horizontin letrar, me atë mllef që e shfryjnë edhe sot e kësaj dite, sepse u la vetëm vendin e përdhesësve në atë horizont, si edhe përveç gërnjarëve të përjetshëm, të pakënaqur kundrejt cilitdo njeri të suksesshëm, dëshiroj të përmend edhe diçka tjetër.

Viti 1968 përkujtonte 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Krahas veprave të arteve të tjera, kërkohej edhe ndonjë roman përfaqësues për atë epokë të historisë shqiptare. Bilal Xhaferi, një shkrimtar me jetë tragjike, i cili në nivelin letrar mund të ishte bërë me të vërtetë rival i Kadaresë, kishte shkruar romanin “Krastakraus”. Por për shkakun se i ati ishte i pushkatuar, pasi u lexua dorëshkrimi, në kundërshtim madje edhe me mendimin e disa njerëzve, në mes të të cilëve edhe timin, që romani vlente si vepër letrare, u bë e qartë se libri i tij nuk do të botohej në vitin jubilar të Skënderbeut. Do të parapëlqehej një autor tjetër dhe Bilali ishte bindur se zgjedhja do të binte mbi romanin e Ismailit “Kështjella”.

Në këtë atmosferë, për të cilën jepnin ndihmesë edhe letrat që dërgoheshin në Komitetin Qendror bashkë me thashethemet e përjetshme, u organizua në Lidhjen e Shkrimtarëve një diskutim krijues për “Dasmën” më 24 prill. Referati kryesor e përsëriti togfjalëshin “himn për klasën punëtore”, bashkë me shtojcat e tjera; vuri në dukje se plotësimet në librin e botuar tashmë e kishin pasuruar variantin e shkurtër. Nuk u lanë pa përmendur edhe disa mospajtime, si ai, se nuk ishte pranuar kjo formë e re romani. Megjithatë, jo të gjithë pjesëmarrësit e mirëpritën orvatjen baraspeshuese të referatit dhe bënë kritika të tjera. Atëhere u përftua një nga ngjarjet më paradoksale në historinë tonë letrare, e gatuar nga gjithçka ishte korkolepsur.

Bilal Xhaferi foli kundër romanit, por me terma që e kishin prejardhjen nga ligjërata e realizmit socialist. Dhe paradoksi u thellua më tej, kur fjalët e tij u shformuan më tej gjatë paraqitjes në shtyp po me termat e asaj ligjërate, tashmë të drejtuar kundër tij, aq sa në gazetën “Drita” u dhanë si “një qëndrim krejt prapanik dhe reaksionar, duke dalë në mbrojtje të botës së mykur”. Nuk është rasti këtu për trajtime të hollësishme të këtij diskutimi nga më të pabesueshmit sot (mjafton të kujtohet se kush e drejtonte diskutimin) dhe as për pasojat psikologjike, që pati te të dy shkrimtarët, si edhe te fatet e tyre. Nuk kam dëshirë as ta ushqej çështjen e sajuar dhe aq të gërmuar këto ditë në shtypin e përditshëm për letrën e B. Xhaferit.

Kriza komplekse që shoqëroi romanin “Dasma” tronditi ndërgjegjen artistike të autorit dhe ngriti për një çast cepin e prapaskenës, në të cilën edhe letërsia futej në ingranazhet e makinës së diktaturës, për të dalë prej asaj makine vetëm si ai produkt që i shërbente asaj. Ismail Kadareja e pa qartë, se po aq e rrezikshme sa t’i kundërviheshe drejtpërdrejt diktaturës, ishte edhe po të afroheshe drejt asaj. Nuk mund të thuhet se e perceptonte po ashtu pak vjet më parë, kur kishte botuar poemën “Përse mendohen këto male” (1964). Tashti e shihte se kishte bërë një kullë, nga e cila duhej të shpëtonte. Kjo gjë ndihet shkoqur edhe në rastet kur ka folur për “Dasmën” mjaft kohë më vonë e deri në vitet e fundit. Te “Tri biseda me Kadarenë”, botuar shqip më 2007, lexojmë: “Ky roman është i periudhës kur dogmatizmi kishte nisur një sulm joshjeje ndaj meje. U zmbrapsa para dogmatizmit dhe bëra këtë roman, por e kuptova që nuk e meritonte as të quhej roman. Është i vetmi libër që kam arritur ta masakroj, domethënë ta ndaj më dysh për të mbajtur vetëm njëqind faqe”.

Regjimi i diktaturës ishte një pellg veshtullor, në të cilin kishte ngecur e gjithë shoqëria shqiptare. Realizmi socialist ishte një pellg, që shtrihej deri në Vladivostok. Çdo përpjekje për t’u shqitur prej tij përbënte një vlerë. E gjithë ngjarja me “Dasmën” i kishte dëshmuar autorit, se mund të thithej prej atij pellgu. Puna nuk ishte thjesht për të paguar një haraç, që të ruhej e gjallë mundësia për të krijuar më tej, siç është trajtuar disa herë, edhe nga E. Faye. Ky arsyetim mund të pranohej për një këngëtar ose për një gjuhëtar. Një lojtar shahu mund të angazhohet ose jo jashtë lojës së tij; një shkrimtar mund të angazhohet ose jo brenda veprës së tij. Kadareja nuk do t’i hynte rrugës për një baraspeshim kompensues, por do t’i drejtohej rrugës për t’u shkëputur, për ta shpëtuar veten dhe lexuesin, derisa të arrinte në përmasat që e njohim jo si autor të realizmit socialist, por si shkrimtar botëror. Ishte një ecuri e gjatë, e ndërlikuar. Nuk e di se përse disa kritikë madje kinse antidogmatikë të shprehur, nuk e pranojnë procesin letrar të një autori, kërkojnë që të jenë me të njëjtën pjekuri mendore dhe krijuese, me të njëjtën mjeshtëri artistike gjithë rreshtat e botuar prej tij, që nga vargu i parë e deri te radha e fundit e veprës së fundit, pa hapa të parë, pa rënie e ngritje.

Shkëputjen Ismaili e nisi që te braktisja e titullit, i cili tashti u bë “Lëkura e daulles”. Është një titull që na çon menjëherë te epigrafi në krye të librit: “E shikon atë lëkurë dhije të mbërthyer në listelë? Bjeri me shkop dhe mbi të do të gjëmojnë të gjitha zhurmat e jetës, që nga përkundja e djepit gjer te rropamat e luftrave”. Edhe këtij epigrafi i është hequr pjesa e fundit dhe zhurmat e jetës rrjedhimisht bëhen më polisemike, si një ndryshim i çelësit në krye të pentagramit për ta lexuar librin. Ndërkaq, emërtimi i ri  vjen si afrim me titullin e një vepre të Balzakut, “Lëkura e shagrenit”, e integron më mirë në botën letrare. Edhe herë të tjera Ismaili përdor tituj, të cilët kanë jehona me letërsinë botërore, që me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” (si kërkimi i shpirtrave të vdekur te N. Gogoli), ose me “Kështjellën”, për të cilën e ka pohuar vetë se e kishte parasysh titullin e romanit të F. Kafkës.

Kështu shkruan Ismaili

Për hir të së vërtetës duhet thënë, se shkurtimin nuk e bëri me rastin e botimit të Veprave të plota më 1981, por e kishte përgatitur më përpara për përmbledhjen “Gjakftohtësia” (1980), në të cilën tashmë renditet si novelë. Ky ka qenë teksti, i cili do të merrej edhe në botimin të Veprave, vëllimi i nëntë i vitit 2000. E gjithashtu nuk mund të mos e saktësoj, se nga varianti i plotë është hequr jo gjysma, por një e treta dhe këtë e kam llogaritur rresht për rresht, ndërsa shtesat e ndryshimet janë të pakta. Ndër këto të fundit bien në sy zëvendësimet e disa fjalëve me përgjegjëse shqipe. Sa për të dhënë ndonjë shembull, supozimet janë bërë vramendje, konturet janë bërë spikama, qoshet – skuta, vërdallë – rrotull, akoma – ende etj. Është një punë që e ka kryer me kujdes edhe në ribotime të tjera, deri edhe te ribotimi i përkthimit të tregimit “Plaku dhe deti”.

LLOSHI-Xhevat_A

Prof. Xhevat LLOSHI

Shkrimtari ynë, me sa duket, përpara se t’i hedhë në letër për botim krijimet e veta, i mban në kokë për një kohë nganjëherë të gjatë si projekte letrare, si struktura artistike per se, të cilat mishërohen në tekste, ku nuk janë ngjarjet, personazhet, ligjërimet konkrete që i përftojnë, por vetëm sa i mbushin ato struktura. Edhe ky roman në fillim na del si një ndërtim i përcaktuar me titullin “Dasma e çuditshme”. Ndonëse E. Faye mendon se nga ajo bërthamë përfundimisht nuk mbeti pothuaj asgjë, do të përmend diçka të pavënë re. Në qoftë se do të hidhnim në kompjuter gjithçka të shkruar shqip deri në mesin e viteve 1960, do të zbulonim se pas librit të Ismailit ndodhi një ndryshim në gjuhën shqipe përgjithësisht. Ai e kishte përdorur mbiemrin “i çuditshëm” në një mënyrë të pazakontë deri atëhere për shqipen, që nga “kompozimi i çuditshëm” në faqet e para, e pastaj te hekuri, gruri, ura e çuditshme, e deri te “supozimet e çuditshme” në faqen e fundit. Pas këtij romani dhe si ndikim i tij, këtë mbiemër nisën ta përdornin dendur gazetarët e shkrimtarët e tjerë. Projekti i dasmës së çuditshme ka qenë përpara njohjes me gratë tekstiliste që përmend E. Faye, ndërkohë që do ta pranonim se nga puna në atë kombinat të Beratit e ka shtysën diçka tjetër, poezia e tij “Teknologjia e një poeme”.

Pasi e shpërfillën të gjithë, duke përfshirë edhe vetë autorin, çfarë e ka përligjur që varianti i shkurtuar të ribotohej disa herë dhe tashti përsëri romani jepet i plotë? Me fjalë të tjera, një pyetje ngrihet: Si shpjegohet mbijetesa e këtij romani të përfolur?

Faye e ka shtruar në gjerësi përgjigjen dhe ndër të tjera ka shkruar: “S’ka asnjë dyshim se Lëkura e daulles përbën një pjesë të veçantë në ansamblin e veprës kadareane. Atmosfera festive që përshkon faqet e këtij libri është një gjë e rrallë, në raport me pjesën tjetër të veprës së tij. Personazhet e punëtorëve, të pranishëm në këtë roman, thuajse mungojnë në gjithë veprat e tjera. Kemi të bëjmë vërtet me një tekst skematik, që i përshtatet, siç thotë autori i saj, frymës së “revolucionit kulturor”? Mund ta kundërshtojmë, duke thënë se ai bën pjesë katërcipërisht në universin Kadare dhe është më mirë ta japësh për lexim atë që kemi, sesa ta konsiderojmë si një “Hallkë munguese”.

Mua më duket se duke ecur në një tjetër hulli, mund të thuhet se me këtë vepër mbruhet një tipar i veçantë i gjithë krijimeve të mëpastajme të Kadaresë. Këtë tipar e ka rrokur E. Faje, kur i ka bërë pyetjen: “Edhe ju vetë shkruani ndonjëherë me një stil që shkon drejt të papërcaktueshmes, flusë: fjalitë janë plot me “më duket”, “kishim përshtypjen se”, që i japin stilit dhe tërësisë së veprës një pamje shumë më tepër impresioniste se realiste”. Prej shumë kohësh më parë unë i kam vënë në dukje këto anë të ligjëratës kadareane në leksionet dhe seminaret me studentët. Në një analizë të përmbledhur në tekstin e stilistikës së shqipes kam vënë në dukje se paraqitja e papërcaktuar është një tipar themelor i stilit të Kadaresë. Te “Dasma” ka shprehje të dendura të tilla, si: askush nuk mund të sqaronte dot për asgjë; iu duk sikur ndjeu një zhurmë … dukej sikur i dëgjonte … iu duk sikur u pengua; ndoshta atij i dukej kështu; disa thoshin se ajo kishte dalë diku në jug etj. Janë disa përftesa që shërbejnë për subjektivizimin e rrëfimit, të cilat nuk po i rendis këtu, por nuk i përkasin impresionizmit. Kjo mënyrë të të shkruarit për këtë prozator, duke u kthyer përgjithësisht në parim ndërtues të tekstit letrar, u hapet rruga pamjeve artistike surrealiste. Për ta provuar se jemi po te ai shkrim (écriture) artistik në një vazhdë krijimtarie dhe jo vetëm rastësisht në një libër, po përmend se 15 vjet më vonë, po te “Nëntori” ka dalë një novelë tjetër, “Një dosje për Homerin”.  Do të mjaftonin vetëm disa shembuj nga një faqe e vetme (114), ku hasim: iu duk se ndoshta askujt nuk do t’i duhej një ditë e tillë; ndoshta pak veta do ta besonin; ca aparate të çuditshme, ca si gramafone; me sa dukej, ishin të rinj; iu duk se do të ishte më mirë; me sa dukej, të rinj. Lexuesi le ta shohë vetë, se si kjo përftesë është  çuar deri në skajshmëri te ndonjë faqe e “Mosmarrëveshjes”. Që nga “Dasma” qoftë edhe me prekjet e cungimet, kemi të drejtë të pohojmë: kështu shkruan Ismail Kadareja.

 

Frika rrotull një dasme

Pavarësisht prej këtij shpjegimi në rrafshin e stilit, nuk mund të shmanget pjesa thelbësore e pyetjes së mësipërme, e cila do të formulohej shkurt kështu: A ka lexim të sotëm ky roman? Natyrisht, në të hetohen dukshëm elementët e kohës, porse vepra letrare mbijeton jo thjesht si dokument historik. Duke e shtyrë më tej mendimin, do të thosha se vepra letrare lexohet jo për të njohur realitetin historik a të sotëm, por përkundrazi. Letërsia e vërtetë na bën që ta lexojmë realitetin nëpërmjet krijimit letrar. Vepra mbijeton në qoftë se e ka të ngërthyer aftësinë për të lexuar përmes saj periudha të tjera njërën pas tjetrës, gjendjet e fatet njerëzore të mëpastajme, dhe në këtë mënyrë përfton edhe domethënie të tjera.

“Dasma” apo “Lëkura e daulles” sot nuk merret dot si alegori e “Shqipërisë në ndërtim”, as si angazhim në luftën kundër zakoneve prapanike e kështu me radhë, pavarësisht se këto i thonë kritikë shqiptarë apo të huaj. E gjithë kjo ligjëratë për lexuesin tashmë është ose pa kuptim, ose e pabesueshme, përballë realiteteve shoqërore pas përmbysjes së diktaturës.

Ky është roman për një dasmë. Përrallat tona mbarojnë me një dasmë: dhe rruan e trashëguan. Mirëpo e vërteta e fshehur është se pikërisht me dasmën nuk mbaron, por fillon përralla e jetës reale. Gjithë ritet, këngët, veshjet e dasmës, kokrrat e orizit të përziera me sheqer janë përftuar për ta kapërcyer butas pikëpyetjen e rëndë, që përmbahet në këtë akt ritual. Çdo dasmë është e çuditshme, ka brenda një shqetësim, aq sa dikur ishte e domosdoshme të shoqërohej me lotët e nuses. Duke mos e përballuar pikëpyetjen, në botën e sotme po i shmangen dasmës, nuk ka rëndësi se çfarë emërtimesh përdoren: për bashkëjetesë a diçka tjetër.

Stili i papërcaktuar i ka dhënë dorë autorit për ta përçuar me mjeshtëri ndjenjën e shqetësimit, të ankthit, të frikës që vjen rrotull një dasme, që shoqëron çfarëdolloj ndryshimi të thellë në jetën e individit, apo kthese në jetën njerëzore a të shoqërisë. Rrjedhimisht, nuk kam se si të pajtohem me E. Faye-në, i cili flet për “atmosferën festive që përshkon faqet e këtij libri”. E kundërta është përshkruar me gjithë rrjedhën e rrëfimit (nënkuptohet fjala e njohur shqipe “S’ka dasmë pa mish”, që do të thotë jo kurban për të ngrënë, por flijim njerëzor), ndërsa përsëri në faqen e fundit: shumica pyesnin ende, dhe askush nuk mund të sqaronte dot për asgjë. Ndoshta këtu kemi diçka nga projekti fillestar i autorit. Ky është një tekst që i drejtohet lexuesit për domethënien e akteve të jetës, për një domethënie tjetër nga ajo e përcipta, e hareshmja, kur dëgjojmë rrahjen e daulles së dasmës, sepse po aty dëgjojmë të gjitha zhurmat e jetës.

“Dasma” i ka ruajtur vlerat e rrëfimit letrar të Kadaresë më shumë sesa e ka besuar ai vetë dhe nuk i ka shterur mundësitë e leximit: Nuk është një nga kullat nga të cilat kemi shpëtuar. E meriton të ribotohet e të rilexohet.

Please follow and like us: