Albspirit

Media/News/Publishing

Datat 11 dhe 18 qershor, të propozuara për zgjedhjet e parakohshme

Përfaqësuesit e partive parlamentare në Kosovë janë pajtuar, të enjten, që zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend të mbahen më 11 përkatësisht, 18 qershor.

Takimi i shefave të grupeve parlamentare me presidentin Thaçi.

Takimi i shefave të grupeve parlamentare me presidentin Thaçi.

Diskutimi rreth datës ishte temë qendrore e një takimi të përbashkët konsultativ që presidenti Hashim Thaçi, e thirri me përfaqësuesit e partive politike pas vendimit për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.

Pas takimit, presidenti Thaçi u paraqit para medieve duke thënë se ai shumë shpejt do të vendos rreth datës përfundimtare, duke vendosur të zgjedh njërën nga dy propozimet që kishte dëgjuar nga partitë politike, dhe ato ishin 11 dhe 18 qershor.

Në këtë takim, nuk mori pjesë vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila pas votimit të mocionit për rrëzimin e qeverisë nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës, është deklaruar se nuk e njeh Thaçin si president të vendit.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u nxitën pas një mocioni të mosbesimit për qeverinë në Kuvendin e Kosovës, të mërkurën, kur shumica e deputetëve votuan për rrëzimin e saj.

Mocionin e mosbesimit e përkrahën edhe një pjesë e deputetëve të koalicionit qeveritar, përveç atyre të opozitës që e paraqitën atë në Kuvend.

Çështjet si demarkacioni i kufirit me Malin e Zi nuk arritën të përmbusheshin nga koalicioni shumicë në Kuvendin e Kosovës që çoi në mospajtime, ndërkohë që krijoi kundërshtim të fuqishëm nga partitë në opozitë.

Please follow and like us: