Albspirit

Media/News/Publishing

‘Sfida për Shqipërinë’: Shqipëria dhe Kosova të bëjnë bashkim doganor

Ermal Hasimja: Është e pakuptimtë që tregjet e Kosovës e Shqipërisë të jenë më të hapura ndaj produkteve serbe, greke e maqedonase sesa ndaj produkteve shqiptare të të dy anëve të kufirit

Sfida për Shqipërinë ka propozuar bashkim doganor me Kosovën përmes një komunikimi në Facebook Live të Ermal Hasimes, njërit prej themeluesve të saj dhe njëkohësisht numri 2 në listën e kandidatëve për Tiranën. Sipas Sfidës, bashkimi doganor me Kosovën do të hiqte barrierat absurde të trergtisë mes dy vendeve dhe do të zgjeronte ndjeshëm tregun e prodhuesve shqiptarë në Shqipëri e Kosovë. Hasimja tha gjithashtu se është e pakuptimtë që tregjet e Kosovës e Shqipërisë të jenë më të hapura ndaj produkteve serbe, greke e maqedonase sesa ndaj produkteve shqiptare të të dy anëve të kufirit.

Në kushtet kur bashkimi politik i dy vendeve nuk është në axhëndën politike, bashkimi doganor mund t’i japë një frymëmarrje të konsiderueshme ekonomisë së dy vendeve dhe të shndërrojë binomin Shqipëri-Kosovë në një fuqi të vërtetë ekonomike në rajon. “Ndryshe nga bashkimi politik që është i pamundur dhe jashtë axhendës, – u shpreh Hasimja, – bashkimi doganor është i pranueshëm nga ndërkombëtarët dhe mund të ketë vetëm pasoja pozitive për dy vendet dhe për rajonin.” Barrierat tregtare të vendosura paradoksalisht mes dy vendeve mbahen në këmbë prej interesave të një pakice tregtarësh dhe në kurriz të interesit ekonomik të qytetarëve të dy vendeve. Hasimja shtoi se hapja e plotë e tregut të dy vendeve do të sillte rritjen e konkurrencës ndërshqiptare dhe rrjedhimisht pasoja pozitive për konsumatorët përkatës.

Nga ana tjetër do të nxiste sektorët prodhues të ekonomisë së Kosovës dhe Shqipërisë në kushtet kur tregjet europiane janë ende të paarritshme për produktet shqiptare. Propozimi i Sfidës vjen në kontekstin e përplasjeve të herëpashershme mes autoriteteve ekonomike të dy vendeve për cështjet e shkëmbimeve tregtare. Jo rrallë këto autoritete kanë shkuar deri në bllokimin e shitjes së produkteve specifike në skenare të ngjashme të një konflikti tregtar mes dy vendesh të huaja. Ndërkohë paradoksalisht Serbia është origjina e parë e importeve në Kosovë.

Please follow and like us: