Albspirit

Media/News/Publishing

Ida Nurçe: Trishtim njerëzor që duartroket mitingjet elektorale

Mos u bëni budallenj!

Tashmë ditët e fushatës janë bërë pjesë e rutinës tonë pranverore.

Dola në mëngjes. Duke ecur rrugës pashë ca njerëz të grumbulluar. U afrova më shumë, të kuptoja çfarë kishte ndodhur dhe aty më zunë sytë dikë që po mbante fjalim. Ishte njëri nga ata të PS-së. Çfarë nuk po thoshte! Çfarë nuk po premtonte! Dhe dukej aq bindës. Ata që e rrethonin po e dëgjonin me kujdes dhe e duartrokisnin, sikur të ishte një koncert i dhënë për herë të parë. Por që në fakt ishte koncerti i disatë, me fjalët e njëjta, me tonet e zërit të njëjta dhe me asnjë ndryshim.

Psherëtiva dhe u largova që aty. Vazhdova më tutje. Vazhdova duke menduar se, “sa të trishtuar duhet të ishin ata njerëzit që po e duartrokisnin”!

Mendova se mbaroi me aq, por gjatë rrugës më zunë sytë dhe një grumbull tjetër njerëzish. Mendova, këtu do ketë ndodhur ndonjë gjë. U afrova sërish dhe pashë këta të PD-së. Ia futa shuplakë ballit tim dhe më vinte të shkulja flokët që gabova sërish. Ky tipi po shante atë grupin më lart duke i akuzuar për vjedhje, korrupsion, njerëz që nuk e pranojnë vetingun se nuk ua mban, drogaxhinj etj etj. Dhe këta që po e dëgjonin duartrokisnin mënyrën se sa bukur shante ai, i Pari i tyre. Ndërkohë, që kur i pyeta se çfarë është vetingu, të gjithë ngrinin supet. Sa kukulla që janë!

Kësaj rradhe jo vetëm psherëtiva, por edhe koka më mori përpara dhe u zhyt me dënesë në një dhimbje të madhe. Harrova ku doja të shkoja dhe nisa të kthehem për në shtëpi.

“Një shans për të gjithë” kishte të shkruar ajo tabela që e kishin mbërthyer në peme, e kishte shtrembëruar dhe dukej sikur po ia merrte frymën. Ishin këta të LSI-së.

Aty nuk më mbajtën më këmbët dhe u ula në trotuar. Zura kokën me dy pëllëmbë dhe brohoritjet e duartrokitjet e atyre njerëzve më rrihnin si çekan kokën. Doja të qaja, të bërtisja… Pse dreqin duhet t’ju shkoni nga pas?! Pse dreqin nuk i lini të hanë kokën e tyre?! Pse dreqin duhet të vazhdoni të besoni të njëjtat gënjeshtra?!

Njeriu duhet të mësojë nga gabimet, jo të gabojë për së dyti, së treti e për të disatën herë. Boll u bëtë budallenj! Vëreni trurin në përdorim se nuk ju duhet aq i ri! Thuajini jo këtyre kllounëve dhe tregojuni se çfarë është e mirë për ju! Po na e pijnë gjakun e në fund i duartrokasim. Nuk e di as se si keni fuqi ta bëni këtë gjë, ndërkohë që po ju lënë pa ngrënë?!

Please follow and like us: