Albspirit

Media/News/Publishing

70 vjetori i Planit Marshall: Rindërtimi i Evropës pas Luftës së Dytë Botërore

Si sot, 70 vjet më parë, Sekretari i atëhershëm i Shtetit, George Marshall, bëri publik “Programin për Rindërtimin e Evropës”, të njohur si “Plani Marshall” gjatë një fjalimi në Universitetin e Harvardit.

​Në vitin 1947, Evropa ishte e shkatërruar dhe në prag të urisë, për shkak të luftës disa vjeçare për të ndalur forcat naziste të udhëheqësit të Gjermanisë Adolf Hitler që të pushtonin kontinentin.

George Marshall propozoi një fond prej 13 miliardë dollarësh për rindërtimin e kontinentit të rënuar, jo vetëm si një gjest bujarie, por sipas historianëve, për të ndaluar përhapjen e komunizmit nga Bashkimi Sovjetik.

Plani nxiste integrimin ekonomik evropian dhe federalizmin duke krijuar një kombinim të organizimit publik të ekonomisë private të ngjashëm me ekonominë në Shtetet e Bashkuara. Ky riorganizim i ekonomisë evropiane solli fryte pozitive politike dhe ekonomike.

Politika e Frenimit

Koncepti i Planit Marshall buronte nga ideja se në vendet e dobësuara nga lufta, mundësia e vendosjes së komunizmit ishte më e madhe dhe se me kalimin e kohës, kostoja e rindërtimit do të ishte shumë, shumë herë më e lirë, se sa zgjerimi i sferës së influencës sovjetike.

Vetëm disa muaj më parë, në mars, Presidenti Harry Truman, kishte përmendur gjatë një fjalimi në Kongres, praktikisht të njejtën ide, atë që më pas u njoh si Doktrina Truman.

Vendet që morrën pjesë në Planin Marshall ishin Austria, Belgjika, Danimarka, Franca, Gjermania Perëndimore, Britania e Madhe, Greqia, Islanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Suedia, Zvicra dhe Turqia.

Bashkimi Sovjetik dyshonte tek plani dhe u bëri presion vendeve aleate të Evropës Lindore t’i refuzonin ndihmat amerikane. Presioni pati sukses dhe asnjë nga vendet satelite të Bashkimit Sovjetik nuk u bë pjesë e Planit Marshall. Shtypi i kontrolluar nga Moska propagandonte se programi amerikan “ishte një plan që synonte ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera”.

Scene from "The True Glory," General Dwight D. Eisenhower's film report of the conquest of Europe, distributed in this country by Columbia Pictures for the Office of the War Information through the War Activities committee.

Scene from “The True Glory,” General Dwight D. Eisenhower’s film report of the conquest of Europe, distributed in this country by Columbia Pictures for the Office of the War Information through the War Activities committee.

Plani Marshall nxiti me sukses rimëkëmbjen ekonomike në Perëndim, duke përmbushur objektivin e tij “për t’i rikthyer besimin popujve evropianë në të ardhmen ekonomike të vendeve të tyre dhe të Evropës si një e tërë”.

Dhe megjithëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik luftuan në të njejtën anë gjatë Luftës së Dytë Botërore, armiqësitë e pas-luftës erdhën duke u shtuar, për të kulmuar me Luftën e Ftohtë mes tyre.

Please follow and like us: