Albspirit

Media/News/Publishing

Mentor Nazarko: Mbi fletërrufetë ndaj ambasadorëve të huaj

Marrëdhënia e njerëzve të medias shqiptare, qëndrimet e tyre publike kundrejt ambasadorëve të huaj të akredituar në vendin tonë, posaçërisht ndaj atyre perëndimorë, meriton një zhbirim të veçantë: ka një mendim që po truallizohet në mesin e disa opinionbërësve, sipas të cilit, ambasadorët mund të kritikohen meqë ato po bëjnë lajthime të mëdha në gjykimin e zhvillimeve politike, apo protagonistëve të këtyre zhvillimeve në Shqipëri.

Sado që kjo formalisht mund të jetë e përligjur, e ndoshta dhe moralisht, kjo nuk do të thotë se është nevojisht e drejtë. Mund t’i kritikosh ata duke pozuar sikur një evangjelist moralizues, por kjo kritikë nuk e ka të ndajmbathur edhe elementin racional.

Ambasadorët e akredituar në vendin tonë, para së gjithash, zërojnë interesat e vendeve të tyre, dhe në këtë dritë duhet lexuar aktiviteti i tyre. Që të shprehemi me një dozë banaliteti të lejuar, ambasadorët nuk janë për të përkrahur një palë ose tjetër, për t’i mëshuar një pozicioni në dëm të tjetrit, apo për t’i prioritarizuar interesat e Shqipërisë para atyre të vendeve të tyre.

Dhe këtu ia vlen të riparafrazohet ajo që tha ditë më parë ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, duke cituar Konventën e Vjenës, se ambasadorët janë vetëm për të zhvilluar marrëdhëniet e mira ekonomike, kulturore, etj., me vendin nikoqir.

Rrjedhimisht, kriticizimi se ata nuk u sinkronizokan me qëndrimet e opozitës, apo të një pjese të opinionit publik, është thjesht një egocentrizëm i llojit të vet. Fundja, cili do të ishte roli i ambasadorit sikur ai t’i nënshtrohej humorit të një pjesë të politikës apo disponimit të popullsisë?

Vetë ideja që ambasadorët të flasin me gjuhën tonë, me pezmin e temperamentin tonë, është një lloj grandomanie e pafuqisë. Të lodhur nga pafuqia e ndryshimit të realiteteve dhe njerëzve tanë, shkojmë dhe duam të korrigjojmë të huajt.

Dhe pikërisht kjo logjikë e kthyer së prapthi do të nënkuptonte ambasadorë të politizuar e që mbajnë anë e bëjnë favore njërës ose tjetrës palë.

Dhe është e pritshme që një ambasador i caktuar të ketë ura kontakti me atë që është në pushtet, përderisa synimi i tij parësor është harlisja e interesave ekonomike.

Në një rrethanë të tillë të imponuar, ambasadori nuk do ta shprehë kriticizimin e tij hapur, por atë do ta rezervojë për raportimet e brendshme që i bën eprorit të tij apo qendrës së shtetit të tij.  Apo në takimet e mbyllura me subjektet e punës së vet.

Derisa mandati i tij është zakonisht i shkurtër, prej dy deri në katër vjet, çdo ambasador është i prirur më tepër drejt arritjes së sukseseve afatshkurtra.

Një parametër më racional do të ishte vramendja kritike se sa përputhet puna e një aksh ambasadori me interesat tona kombëtare.

Rrufetë më të ashpra të këtij kriticizmi janë shkarkuar më së shumti mbi ambasadorin amerikan, i cili është më i përfshiri gjallërisht në shtetndërtimin e Shqipërisë, siç është procesi i vetting-ut.

Çka nuk arrijnë ta kapin dot këta kritizerë, kur bëhet fjalë për ambasadorin amerikan, është se pastrimi i politikës dhe drejtësisë shqiptare, normalizimi dhe modernizimi i Shqipërisë si shtet nuk është më një çështje e brendshme, por ka dimensionin e vet ndërkombëtar.

Ajo që naivisht harrohet është se tani nuk jetojmë në kohën e një sovraniteti absolut, ndaj shtetet e fuqishme pashmangshëm e kanë të drejtën morale që të ‘ndërhyjnë’ në çështje që tejkalojnë kufizat lokale (lufta kundër terrorizmit, krimit të organizuar e korrupsionit).

Në irracionalitetin e tyre, këta kritizerë asnjëherë nuk e kanë kuptuar se ‘ndërhyrja’ e ambasadorëve të huaj reflekton impotencën kronike shqiptare që nuk arriti se nuk arriti maturimin e duhur për t’i zgjidhur vetë problemet e brendshme.

Përveç kësaj, këta kritizerë kanë krijuar një bestytni fatale për veten e tyre, se gjoja kritika kundër ambasadorëve të huaj reflektonka edhe kalibrin e tyre të lartë për të ‘blasfemuar’ edhe me të fuqishmit!

Një pjesë e kritikëve kanë vënë në dukje se ambasadorët paskan heshtur për problemin e kultivimit të kanabisit.

Ambasadorët e vendeve fqinje, ose atyre që pësojnë më së shumti nga kanabisi shqiptar, kanë informacione më të stërholluara për nëntokën e krimit sesa opozita në vend. Por kjo nuk do të thotë se ata duhet t’i bëjnë të njohura këto para publikut.

Duhet të kuptojmë që për një shtet supërfuqi, si Shtetet e Bashkuara, nuk do të thotë se të gjitha qendrat ekzekutive janë në të njëjtën frekuencë sa i përket interpretimit të zhvillimeve shqiptare, ku qëndrime të ndryshme mund të kenë CIA, Departmenti i Shtetit apo ai i Mbrojtjes.

Zonja Kryemadhi e përmendi se ambasadorët kanë frikë nga Rama, i cili mund t’i ndikojë shtetet e tyre.

Sado që kjo është e pavërtetueshme, duhet të themi se edhe kjo është brenda kufizave të diplomacisë. Shqipëria në sytë e Shteteve të Bashkuara, për fat të mirë, ka një vend të rëndësishëm prej luftës kundër terrorizmit e deri te strehimi i muhaxhedinëve. Lojën me nivelet e larta e kanë bërë të gjithë, kryeministrat dhe presidentët, madje dhe me ndihmën e shoqërive të lobimit. Këtu nuk ka asnjë çudi që lidhet me njërin apo tjetrin. Një gjë është e sigurt: ambasadorët në publik, vështirë se e bëjnë të bardhën të zezë. Maksimumi janë reticentë, apo heshtës për pjesë të së keqes. Dhe me gjasë janë të detyruar të bashkëpunojnë me qeverinë dhe nuk kanë për detyrë të rrëzojnë qeveri, aq më tepër në mes të Evropës. Sigurisht, nëse ekuilibrat politikë lëvizin ndjeshëm, edhe ata përfshihen, publikisht dhe jopublikisht.

E gjithë kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ata duhet të bëhen subjekte të kritikave tona. Mos vallë besojmë se do të ndërrojmë stilin e tyre të komunikimit? Apo besojmë se kritikat tona do të shkojnë në veshë të shefave të tyre në qendër? Pretendim i tepërt përfshirja me pasion në kriticizmin e tyre, pa patur asnjë paragjykim për analizën e shëndoshë.

E gjitha kjo i ngjan dramës së personazhit të Kadaresë, Belul Gjonomadhit, që bezdisej shumë nga radari i bazës së huaj (ruse) dhe rapsodi i këndoi: O Belul, o trim i marrë, zure inat me radarë.

Please follow and like us: