Albspirit

Media/News/Publishing

Flynn pranon se ka gënjyer FBI

Michael Flynn, i cili ka dhënë dorëheqje si këshilltar për siguri kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, vetëm pas 24 ditësh në administratën e tij, ka pranuar se ka bërë deklarata të rreme para FBI-së. Kjo vepër në SHBA është krim federal.

Akuzat, që janë ngritur të premten, shënojnë një zhvillim të madh në hetimet që po bën këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, për lidhjet e mundshme midis fushatës presidenciale të Trumpit dhe Rusisë.

Dosja në gjykatën federale në Uashington thotë se Flynn “me dashje dhe me vetëdije” ka gënjyer kur i ka thënë FBI-së se nuk i ka diskutuar sanksionet e SHBA-së kundër Moskës me Sergei Kislyakun, atëbotë ambasador i Rusisë në SHBA.

Në dokument thuhet se biseda ka ndodhur gjatë periudhës së tranzicionit midis zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit, 2016, dhe inaugurimit të Trumpit, më 20 janar, 2017.

Flynn, gjeneral i pensionuar i ushtrisë amerikane, i cili ka shërbyer si zyrtar i lartë i inteligjencës në administratën e presidentit Barack Obama, nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, derisa ka arritur në gjykatën federale në Uashington.

Please follow and like us: