Albspirit

Media/News/Publishing

“Nexhmija është kurvë!”

Nga Altin Bamllari

Fillim dhjetori 1990. Duhet të ketë qenë ftohtë, njëlloj si sot. S’më kujtohet mirë, por di që ne kishim gjithmonë ftohtë. Kishte kohë që në Qytetin Studenti korrenti ikte e vinte sipas qejfit dhe rezistencat tona ngrohnin një m… Vonë na thanë që një “dorë e panjohur” e bënte qëllimisht, të na acarronte në kulm e ne të ngriheshim kundër regjimit. E vërtetë apo jo, di që korrenti na i kish bërë nervat kaçurrel. Sa herë na ikte në të ngrysur, ne fillonim dhe e shanim nëpër dhëmbë nga nëna e motra, a thua se ishte njeri si ne. Po edhe kur na vinte e shanim sërish: “Erdhe mor të q…. robt? Ptuuu!”
E, kështu, përditë. Shanim atë dhe gjithkënd që kishte lidhje me të, por mos o Zot partinë. Partisë i kërkonim takim dhe ajo dërgonte sekretarë që na premtonin, gjithmonë, të njëjtën gjë: “Mos kini merak! Gjendja do rregullohet.” Por hiç që hiç. Atëherë ne morëm guxim e filluam të shanim poshtë batanijeve njerëz konkretë, në fillim nënzë e më pas fort e më fort, drejtorë e sekretarë, ministra e ofiqarë. Zemra na dridhej, por na pëlqeu aq shumë sa filluam ta nxjerrim kokën edhe në dritare. Mbaj mend që nxorra timen një natë e thirra me sa kisha në kokë: “Nexhmija është kurvë”. Më vjen turp ta them, por vetëm për kaqogjë, pulsi më shkoi dyqind.
Ishte 7 dhjetor dhe të nesërmen daja im më kishte rregulluar një ftesë në Akademinë e Arteve. John Lennon kishte përvjetorin e vdekjes. Siç më tha, rrethi ishte i ngushtë. Ne ishim katër, dy plus dy, dhe kjo ma shtonte dëshirën më shumë. Mezi prita mbrëmjen atë ditë. Isha 20 vjeç, por vetja më dukej më i madh. Një mbrëmje më parë kisha thirrur “Nexhmija është kurvë!”
Ç’të them më tej. Kurrë më parë s’kisha përjetuar emocione aq të forta. Harrova që sapo isha njohur me vajzën në krah dhe, fare pa takt, e lashë aty e krisa me vrap për nga Qyteti i Studentëve. Doja të bërtisja prapë. Kur arrita dritat kishin ikur dhe zemra po më dilte vendit. Sikur ta dija atëherë ç’ishte adrenalina, do thoja se më kishte përmbytur të tërin. Mendja në qiellin e shtatë, trupi po më dridhej. Një dëshirë përvëluese më drejtonte këmbët nga dhoma. Vetëm aty, vetëm nga pas dritares mund të thosha ç’të më vinte. Jashtë askush s’kishte guxuar.
Ja që ndodhi si nëpër filma. Dikush thirri “Liri, Demokraci”, një tjetër “Poshtë Diktatura”, pastaj si i çmendur edhe unë. Më pas vjen historia, heronjtë, librat dhe dita e nesërme e pushimit, që e festojnë edhe të kuqtë.
Sa shumë më vjen të qesh tani me atë shprehjen time: “Nexhmija është kurvë!”

Please follow and like us: