Albspirit

Media/News/Publishing

Kahreman Ylli, një yll i pashuar për vendin e tij

Shpendi Topollaj

Si e mbarova së lexuari librin e Petrit Myftiut kushtuar idealistit dhe veprimtarit të shquar Kahreman Ylli, i cili jetoi vetëm 58 vjet, m`u kujtua ajo thënia e Senekës se “Vlerat e jetës së jetuar nuk varen nga jetëgjatësia, por nga përpjekja për ta jetuar”.

Nuk ka qenë aq e kollajshme shkruarja e një monografie për një njeri, luftëtar, politikan, pedagog dhe intelektual të përmasave të mëdha si ai, që ju desh të evidentonte mundësitë e tij në kohë të ngatërruara, kur shumë gjëra nuk vareshin as nga dëshirat, as nga prirjet dhe as nga vullneti yt.

Por Petriti diti të shfrytëzojë tre mundësi të mëdha; së pari, faktin që Kahremanin, duke qenë mik i babait të tij, mësuesit të merituar dhe antifashistit Ali Myftiu nga Elbasani, e ka njohur vetë, së dyti, nga rrethi i njerëzve që kanë punuar me të në detyra të ndryshme, kishte shumë nga ata që ishin ende gjallë dhe së treti, ka ditur të gërmojë nëpër arkiva, gazeta dhe kujtime të shkruara në kohë të ndryshme, deri dhe autobiografinë e Kahremanit të vitit 1945.

Pastaj, vetë ai, pas shkruarjes së disa librave, ku bien në sy ato kujtimet për Bazën Detare të Pashalimanit, dhe monografitë për të atin e sidomos për admiralin e shquar Abdi Mati, kishte fituar një përvojë të konsiderueshme për t`i hyrë kësaj pune. Dhe së fundi, ai ishte i qetë. pasi po trajtonte një figurë të dashur e të respektuar për këdo, një figurë të pakontestueshme nga askush dhe që në radhë të parë e mbi gjithçka pati interesin e atdheut dhe kulturimin e popullit të tij.

Kahremani, i lindur më 22 Prill të 1917 në Leshnjë të Skraparit në një familje që ishte dalluar për atdhetari dhe i shkolluar fillimisht në vendlindje, në shkollën që kishte hapur babai i tij Sinani, pastaj në Vërzhezhë dhe shkollën normale të Elbasanit, ku vlonte mendimi përparimtar dhe po formësohej për ditë e më shumë ideja e domosdoshmërisë për ndryshim, ai me këmbëngulje dhe sakrifica vazhdoi studimet e larta në Akademinë Pedagogjike në Lion të Francës.

Merret me mend se çfarë përshtypjeje do t`i ketë lënë studentit shqiptar ky qytet asokohe i madh, dhe aq i vizituar nga turistët e gjithë botës. Por, përshtypja më e madhe qe takimi me idetë e reja dhe njerëzit që i mbartnin ato, pasi ishin vitet e trazuara të ngjarjeve në Spanjë dhe aktivizimi i forcave oreksmëdha nazi – fashiste në Gjermani e Itali. Po gatitej lufta e dytë botërore. Nga ana e saj Franca, atdheu i kulturës, vendi që nxori iluministët e mëdhenj, ishte dhe vendi i njohur ngado për frymën revolucionare për fitimin e lirisë, barazisë e vëllazërimit, pra vendi ku bëheshin përpjekje të pareshtura për demokracinë e vërtetë.

Pikërisht këtu, nën ndikimin e njerëzve si Y. Dishnica, Dh. Samsuri e Dh. Shuteriqi, përfshihet në Partinë komuniste franceze dhe mban pseudonimin Burlat. Bëhet bashkëthemelues i shoqërisë “Vëllazëria” dhe i gazetës “Populli”, pasi s`duhet harruar se atje kishte shumë emigrantë shqiptarë që punonin. Dhe pas diplomimin në qershorin e 1938, e gjen të udhës që të kthehet, për t`i vënë dijet e fituara në jetë në atdheun e vet. Në Peshkopi ku e caktojnë, gjithçka duhej nisur nga e para, pasi atje nuk ishte as ndërtesë dhe as nxënës. Por Kahremani nuk epet; ai përpiqet me të gjithë mundësitë e tij sa te pushtetarët aq dhe te prindërit të cilët më kollaj i çonin fëmijët e tyre me bagëti sesa në shkollë.

Këtu e zë dhe 7 Prilli i 1939, pra pushtimi i Shqipërisë nga Italia, gjë e cila ja shton urrejtjen për fashizmin. Ndërkohë transferohet në Ushtrimoren e shkollës Normalen të Elbasanit ku kishte plot shokë mësues që kishin studiuar jashtë shtetit dhe sidomos mikun e vjetër Ali Myftiun që kishte bërë të pamundurën për ta shpënë me studime në Francë dhe e kishte mbajtur me vite në shtëpinë e tij. Qëndron këtu deri në Gushtin e vitit 1941 kur e emërojnë si inspektor arsimi në Korçë dhe ku lidhjet me komunistët, forcohen edhe më shumë. Pasi punon për ca kohë në Gostivar, ku gjithashtu nuk kishte as nxënës e as klasa, e çojnë në Berat me detyrën e drejtorit didaktik. Tani, komunist nga 200 të parët, duke u marrë me punë klandestine në favor të lëvizjes kundër pushtuesit, ai bashkëpunon me shokë të devotshëm si Kristaq e Margarita Tutulani, Kristo Isaku, Myqerem Fuga e plot të tjerë dhe zgjidhet Sekretar Politik i Qarkorit në krah të luftëtarëve të shquar si Gjin Marku, Ramiz Aranitasi e Zylyftar Veleshnja. Falë aktivitetit dhe fjalës së mençur e bindëse, pra i punës organizative për ndërgjegjësimin e popullit dhe krijimin e njësiteve guerile, çetave dhe batalioneve, ai bëhet i njohur në gjithë atë zonë deri në Skrapar. Mer pjesë në disa ngjarje me rëndësi, si fjala vjen në Konferencën e Parë të Vendit dhe në Kongresin e Parë Antifashist ku zgjidhet anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. I ngarkohet detyra e rëndësishme e komisarit të Shtabit të Qarkut dhe në 17 Gusht 1944 në Sheper të Zagorisë, ku formohet Br. XIV S. bëhet komisar i kësaj Brigade që komandant kishte Gjon Banushin. Mori pjesë në mjaf luftime të përgjakshme kundër armikut dhe sikurse pohonte vetë “Lufta… më kaliti me vuajtjet, më bëri më guximtar.” Me luftën qe bashkuar e gjithë familja e tij; vëllezërit Aqifi dhe Kastrioti ishin kuadro në Br. e VII të dhe të X të S.

Pas çlirimit të vendit ai kryen detyrën e rëndësishme të drejtorit të Personelit në Kryeministri dhe në zgjedhjet e para, zgjidhet deputet i Kuvendit Popullor, ku mbeti i tillë në gjashtë legjislatura. Kultura e spikatur perëndimore, pjekuria, urtësia dhe përkushtimi ndaj vendit të tij, ishin arsyet që ai të caktohet me detyrën e të Dërguarit të Jashtëzakonshëm dhe Ministrit Fuqiplotë pranë Agjencisë Ndëraleate të Dëmshpërblimeve në Bruksel dhe përfaqësues i shtetit shqiptar në Francë. U dallua për mbrojtjen e interesave të vendit të tij dhe veçanërisht shkëlqeu në Konferencën e Paqes, ku bashkëpunoi me H. Kapon, M. Konomin, B, Shtyllën, Dh. Popën, A. Budën, M. Treskën dhe S. Angonin.

Ai përgatiti edhe shkuarjen atje të kryeministrit, E. Hoxha. Një diplomat mjaft energjik dhe i mprehtë u tregua ai kudo që shkoi deri në Këshillin e Sigurimit në SHBA dhe Hagë për çështjen e Kanalit të Korfuzit. Javer Malo në librin e tij “Përshtypje dhe mbresa” ka shkruar: “Ishte fat i madh për mua që kisha shef misioni Kahremanin.”

Ishin sukseset e tij në fushën e diplomacisë që sollën emërimin e Kahreman Yllit si ministër të Arsimit dhe Kulturës në vitin 1948 dhe që e vazhdoi deri në vitin 1951. Ndofta kjo qe periudha, kur më shumë se për gjithçka tjetër, Shqipëria kishte nevojë për njerëz të shkolluar. Por dhe zgjedhja e Kahremanit qe zgjidhja më e drejtë, pasi ai jo vetëm kishte dhënë prova, por dhe vinte nga vendi i mësuesve të mbarë njerëzimit. Ai edhe vetë shquhej për një takt të rrallë pedagogjik, gjë që autori i librit Petrit Myftiu, me shembuj na e jep qysh në të ritë e tij, kur punonte si mësues.

Dhe s`kishte si të ndodhte ndryshe me atë që qysh herët ishte njohur me “Emilin” e Zhan Zhak Russoit, filozofit që Hajne e kishte quajtur “Hamleti i Francës”. Libri ndjek një vijë logjike për ta bindur lexuesin se çfarë reformatori ishte Kahreman Ylli në këtë detyrë. Me vizionin e tij, ai futi elementë të rinj në mësimdhënie, në programet shkollore, në organizimin e kontrolleve, në pasurimin e bazës didaktike, në krijimin e laboratorëve të mirëfilltë shkencor, në përmirësimin e kualifikimit profesional të mësuesve, në përkrahjen e elementit të talentuar, në krijimin e kushteve edukative dhe argëtuese, në ndarjen e degëve sipas nevojave që paraqiteshin në praktikë, në krijimin e kushteve të pranueshme për mësuesit që shërbenin fshatrave, në ngritjen e muzeumeve të ndryshme, krijimin e arkivit dokumentar etj. etj. Autoriteti i tij, pasi ai ishte edhe kandidat e më pas edhe anëtar i KQ fjala e tij, mendimi i tij, propozimet e tij dëgjoheshin dhe më së shumti, merreshin në konsideratë. Por të bën shumë përshtypje ndëshkimi i tij për mungesë vigjilence në shfaqjet e antisovjetizmit në arsim!

Pas krijimit të Universitetit Shtetëror të Tiranës, që fillimisht kishte pasur si Rektor Zija këlliçin, Kahreman Yllit i besohet detyra e vështirë e Rektorit të cilën si kurdoherë, ai e kryen me nder dhe mjaft kompetencë për një kohë të gjatë. Me interesimin e tij nisin kualifikimet, specializimet dhe marrja e përvojës së pedagogëve tanë jashtë shtetit. Nga nxitja e mendimit shkencor në Universitet, dalin në dritë botimet e teksteve “Historisa e Shqipërisë”, “Historia e letërsisë shqipe” dhe plot punime për gjuhën, folklorin, arkeologjinë, etnografinë etj, duke mundësuar tërheqjen në Tiranë të qendrës së studimeve albanologjike që u kurorëzua me ato dy konferencat e studimeve albanologjike.

Ai ngul këmbë në domosdoshmërinë e njohjes me përvojën e vendeve të zhvilluara dhe pajisjen e bibliotekave me sa më shumë literaturë, pasi “Kjo i mëson dhe i nxit ata (studentët dhe pedagogët) të ecin, të kërkojnë e të mendojnë vetë.”  Edhe kur në vitin 1970 caktohet pranë KQ për problemet e arsimit dhe shkencës, ai njihet si nismëtar i krijimit të Akademisë së Shkencave dhe zgjedhjes së një figure madhore si ajo e Aleks Budës në krye të saj.

Nga personalitetet e saj kujtohet me shumë nderim puna e tij për mbajtjen e Kongresit të Drejtshkrimit, më i rëndësishme pas atij të Manastirit, mbajtur në vitin 1908.  Dhe kudo që punoi, Kahreman Ylli mbeti gjithmonë i thjeshtë dhe njerëzor, gjë që në libër del e qartë me anë shembujsh domethënës, si ai i Hekuran Zhitit, që për arsye biografie e kishin çuar punëtor në shtrimin e rrugëve me kalldrëm dhe ai e kthen në arsim. Në shtëpinë e tij, ashtu si dikur atje në Leshnjë në shtëpinë e Yllajve, orë e pa orë trokisnin miq e hallexhinj që gjithmonë mbeteshin të kënaqur nga prija e ngrohtë e këtij burri shteti.

Petrit Myftiu ka gjetur një detaj mjaft interesant kur na thotë se teksa dikush i ankohej duke i thënë se ma dhanë pasaportën për të dalë jashtë shtetit dhe pas pak ditësh ma morën përsëri, pra si ka mundësi që unë të kem ndryshuar brenda një jave, ai i përgjigjet se nuk ke ndryshuar ti, por ka ndryshuar këndvështrimi ndaj teje… Po ashtu, me një narrativë të këndshme, autori i këtij libri përshkruan pritjen që i bën në Orikum, ku shërbente si shef i shtabit të Brigadës së nëndetseve, gjithë familjes së Kahremanit i cili gjatë pushimeve, ku kishte marrë me vete dhe mikun e vjetër Ali Myftiun, i ra kryq e tërthor një pjese të madhe të Shqipërisë.

Nga ata fëmijët e vegjël të tij, të cilët tërë shend e verë kanë dalë në fotografi me Petritin para hyrjes së shpellës legjendare të Haxhi Aliut, rasti e ka sjellë të njoh Agronin, mjekun e mrekullueshëm dhe njeriun e thjeshtë dhe të gjindshëm që i ka ngjarë të jatit në gjithçka, por sidomos në kulturë, në sjellje, në dashurinë e kujdesin për të tjerët. Të tillë na i paraqet të gjithë Yllajt, Petriti, duke filluar nga gruaja besnike, mësuesja e merituar, Prashqevia dhe djemtë e tjerë Fatosi dhe Artani. Si oficer që kam qenë, jam njohur edhe me vëllanë e tij, Aqifin i cili në Durrës ka lënë përshtypjet më të mira.

Por me Yllajt ka qenë mik qysh gjatë luftës edhe babai im, ndaj edhe si kolonjar u gëzova kur pashë që në këtë libër profesori im i nderuar Alfred Uçi ndër të tjera kishte thënë se “…patriotizmi u bë një nyje lidhëse midis skraparllinjve dhe kolonjarëve.” Duke lexuar librin të mbetet në mendje titulli i një poezie që kishte deklamuar Kahremani kur ishte i vogël dhe i jati e kishte çuar në Vërzhezhë me rastin e 28 Nëntorit të vitit shkollor 1923 – 24.

Ajo quhej “Oh! Sa dua të jem për karshi Adriatikut”. Dhe jeta është e çuditëshme: pikërisht kur në 3 Shtator të vitit 1975, pra duke qenë ende i ri, vetëm 58 vjeç, zemra e tij pushoi së rrahuri pikërisht në gjirin e atij deti që e donte aq shumë. Ishte larguar nga kjo botë një njeri me vlera të mëdha pedagogjike, që ashtu si Rusoi (librat e të cilit i kishte mësuar qysh atje në Lion të Francës), predikonte virtytin dhe moralin, duke qenë vetë së pari i virtytshëm dhe i moralshëm.

Veç kishte një ndryshim në rrugëtimin e tyre pas vdekjes; ndërsa i pari në vitin 1794 kur atje sundonte diktatura jakobine (pra pas 16 vjetësh) e çvarrosën për ta çuar në Panteon, Kahreman Yllin, 200 vjet më pas, kur te ne triumfoi demokracia (po pas aq vitesh) e çvarrosën për ta shpënë te të shumtët. I kishte dhënë aq shumë arsimit, kulturës dhe pedagogjisë shqiptare, duke e parë punën si burim të të gjithë lumturisë dhe që i jep kuptimin e vërtetë jetës, sa pa drojë mund të meritonte fjalët e Gëtes: “Qeshë unë njeri në këtë botë / qeshë një luftëtar kjo do të thotë.”

Please follow and like us: