Albspirit

Media/News/Publishing

Këshilltarja e LSI sulmon Kryemadhin: Ti s’më inspiron dot, unë nuk blihem me para

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, një tjetër anëtare e LSI-së bashkoi votat me PS-në për të votuar buxhetin për Tiranën. Bora Panajoti, në një status në faqen e saj në Facebook tregon pse e votoi buxhetin. Ajo shprehet se ka bërë detyrën dhe sepse ishin njerëzit që e zgjodhën.

“Unë në Këshillin Bashkiak hyra me votat e zonave rurale “ish komunave”. Buxheti që unë votova është një buxhet ku i jepet përparësi zhvillimit të këtyre zonave. Për 1 vit rrjesht, në cdo fjalë që kam mbajtur, kam kërkuar me ngulm të bëhej rruga e Krrabës e ura e Qehasë në Petrelë. U bënë! Si mundem unë të dal para atyre që më votuan dhe t’i them që unë bojkotova buxhetin e tyre, që bojkotova rikonstruksionin e rrugës Agallarët në Farkë, shkollën e re që do bëhet në fshatin Mihajas, rikonstruksionin e shkollës së Bërzhitës? Nuk munda dot. Edhe 100 herë të vihem para një vendimarrje të tillë, të 100 herët do zgjedh qytetarët dhe jo lojrat politike”, shkruan ajo.

Panajoti i përgjigjet Kryemadhit, duke thënë se nuk e inspiron si lidere e LSI-së.

“Së fundmi, dua t’i drejtohem ish kryetares sime, znj. Kryemadhi për t’i kujtuar që unë nuk jam “ajo goca”, unë jam Bora që ti, deri dje, u thoje qytetarëve nëpër takime që isha studentja e shkëlqyer dhe që dëshiroje që edhe Bora vajza jote, të bëhej si unë.

Dua të të jap një këshillë që e ka shprehur aq bukur populli “Mos i mat të tjerët me metrin tënd”. Mua nuk me intimidon dot me deklaratat e tua për një arsye të vetme sepse unë hyra në rrugën e politikës për t’i shërbyer sadopak vendit tim. Mua nuk më blen dot askush as me lekë e as me karrige se kam që nga mosha 17 vjeç që nuk e kam lënë për asnjë ditë punën e njëkohësisht shkollën me rezultate të larta. Karrierën time e shoh në profesionin tim, ajo është pika ime e fortë. Por e kam edhe unë një të metë. E meta ime është se nuk eci dot në rrugën e një lideri që nuk më inspiron e nuk është një shembull i mirë për mua”, përfundon Panajoti.

Please follow and like us: