Albspirit

Media/News/Publishing

Facebook i mbyll llogaritë Kadyrovit pas sanksioneve amerikane

Rrjeti social, Facebook ka thënë se ka bllokuar llogaritë e liderit çeçen të mbështetur nga Kremlini, Ramzan Kadyrov, pasi është bërë pjesë e sanksioneve financiare dhe atyre të udhëtimit të vëna nga Qeveria amerikane.

Përmes një deklarate, kompania ka thënë se ka pasur “obligim ligjor” të deaktivizojë llogaritë e Kadyrovit në Facebook apo Instagram, pas Zyra e Thesarit amerikan për Kontrollin e Aseteve të Huaja, e ka ndëshkuar liderin çeçen me sanksione.

Përmes një deklarate është thënë se Facebook ka kuptuar se këto llogari janë mirëmbajtur nga disa persona apo palë të cilët janë të sanksionuar nga SHBA-ja.

“Për këtë arsye, Facebook ka pasur obligim ligjor për deaktivizimin e këtyre llogarive”, është thënë tutje.

Ende nuk është bërë e qartë nëse ky rrjet social është në proces të marrjes së hapave të njëjtë edhe për llogaritë e personave të tjerë që janë të sanksionuar.

Facebook nuk ka pranuar t’i përgjigjet Shërbimit Qendror të Radios Evropa e Lirë, për detaje më të hollësishme.

Njoftimi i Thesarit për sanksionet kundër Kadyrovit janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme amerikane për të ndëshkuar personat që supozohet se janë duke abuzuar me të drejtat e njeriut, bazuar në Aktin Magnitsky.

Në njoftim thuhet se Departamenti i Thesarit e akuzon ish-luftëtarin rebel, i cili më vonë iu bashkua forcave të Moskës “për shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut të njohura ndërkombëtarisht”, “torturë” dhe vrasje që janë jashtë proceseve gjyqësore.

Kadyrov që ka hedhur poshtë supozimet, është njëri nga personat më të spikatur rusë, që është shtuar në listën e sanksioneve të Aktit Magnitsky.

Ky ligj pati zemëruar zyrtarët rusë, të cilët në shenjë hakmarrjeje, më 2013 u kanë ndaluar shtetasve amerikanë të adoptojnë fëmijë rusë.

Kadyrov ka reaguar me shumë mllef për vendimin e Facebook, duke akuzuar rrjetin me seli në Shtetet e Bashkuara, dhe ka deklaruar se ky rrjet u është dorëzuar presioneve të Uashingtonit, duke i mbyllur llogaritë.

Llogaria e bllokuar e Ramzan Kadyrov në rrjetin social Facebook

Llogaria e bllokuar e Ramzan Kadyrov në rrjetin social Facebook

Ai ka thënë se nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga Instagrami, pasi ka dërguar kërkesë për ofrim të shërbimeve, sepse llogaritë e tij në gjuhën ruse kanë ndaluar së funksionuari.

Fillimisht llogaria e tij në gjuhën angleze nuk kishte probleme, ndonëse edhe ajo ka qenë e paqasshme më vonë.

Autoriteti i lartë për telekomunikime në Rusi, Roskomnadzor, ka kërkuar arsyetim nga Facebook dhe Instagram për deaktivizimin e llogarive të Kadyrovit.

“Më 26 dhjetor, Roskomnadzor ka kërkuar nga menaxhmenti i Facebook të qartësojë arsyet për bllokimin e llogarive të Kadyrovit në Facebook dhe Instagram”, ka thënë përmes një deklarate shërbimi për media i Roskomnadzorit.

Kadyrov ka më shumë se 3 milionë ndjekës në llogarinë e tij ruse në Instagram dhe më shumë se 750,000 në Facebook.

Në një nga postimet e tij të fundit në Instagram, përmes një video-incizimi ai është përgjigjur ndaj sanksioneve amerikane duke thënë se nuk ka arsye për të udhëtuar në SHBA.

“Jam krenar që nuk jam në favor të shërbimit special të SHBA-së”, ka thënë ai.

“Në fakt, SHBA-ja nuk mund të më fal, pasi i kam dedikuar tërë jetën tim, luftimit të terroristëve të huaj, në mesin e të cilëve ka bastardë nga shërbimet speciale të Amerikës”.

Please follow and like us: