Albspirit

Media/News/Publishing

Kryeprokurorja Marku e shkarkon, Dritan Gina refuzon urdhrin

Ditën e sotme është shkarkuar drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina. Ky i fundit, është bashkëshorti i Rovena Gashit, e cila deri pak ditë më parë mbante postin e drejtores së njësisë së dekriminalizimit dhe marrëdhënieve me jashtë, ndërsa ditën e sotme paditi për shkarkimin Kryeprokuroren Marku.

Ndërkohë nga ana e tij, Dritan Gina, gjatë një konference për mediat, pak pas lajmin se kryeprokurorja ka vendosur largimin e tij nga kreu i prokurorisë Elbasan, ka deklaruar se nuk do ta zbatojë një vendim të tillë, që sipas tij është tërësisht i paligjshëm, i pabazuar në asnjë ligj.

“Prokurorja e përgjithshme e përkohshme ka vendosur të largohem pa asnjë tagër me bazë ligjore, vendimmarrja nuk bazohet në asnjë analizë pune dhe problematike, nuk ka kërkuar asnjë analizë dhe asnjë mbledhje për të parë problematikat e prokurorisë shqiptare sepse kjo nuk i intereson aspak.

Nuk dua të bëj analizën e vendimmarrjes së saj, por e vlerësoj të papërshtatshme. Unë  nuk e kam problem të largohem, jam i nderuar të jem në Tiranë, kam 15 vjet punë si prokuror, dhe nuk lejoj që karriera ime të vendoset nga një vendimmarrja që i takon vetëm KLD. Ky është një urdhër i paligjshëm, e refuzoj atë deri sa vendimmarrja të bazohet në ligj”, u shpreh Gina.

Please follow and like us: