Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: Gjergji ynë…

Gjergj Kastrioti Skënderbeu është prijësi i të gjithë kohrave për shqiptarët, Nuk mund ta ndryjmë Gjergjin tonë në asnjë kohë, sepse, siç është provuar më së miri gjatë shekujve, Ai është shfaqur në udhëkryqet e historisë dhe na ka prirë. U shfaq në kohën e mesme dhe shënoi me shpatë e me diplomaci rrugëtimin tonë të mundimshëm drejt lirisë së humbur, drejt identitetit të zbehur, u shfaq madhërishëm në Rilindjen tonë kombëtare dhe na tregoi sa larg kishim shkuar nga qenia jonë dhe na priu në kërkim të vetes. U shfaq si yll polar në kohë të turbullta dhe përcaktoi rrugën e daljes nga gjullurdia. Gjatë 50 viteve diktaturë Gjergji ynë u “burgos” në muze, si kujtim i Europës së humbur. Në vitet ’90 u shfaq sërish si prijës i realizimit të ëndrrës së shqiptarëve për t’u kthyer në origjinën europiane të mohuar dhunshëm. Gjatë këtyre viteve Gjergji ynë ka qënë dorëzanësi më i besueshëm midis ne, qytetarëve shqiptarë dhe Europës, diplomati i padukshëm, që na e ka lehtësuar përpjekjen në kërkim të vetes europiane dhe vendit natyral në Europë. Kohët e fundit, sërish Gjergji ynë është shfaqur si prijës duke na e qartësuar rrugën, duke parë hutimin e një pjesës sonë dhe kalimin në rrugët që të çojnë në Asgjëkundin e lënë pas. Nuk ka vit të Gjergjit, dekadë të Skënderbeut, apo shekull të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ai është brenda kohës së shqiptarizmit, europianizmit. Heroi ynë është edhe Gjergj, edhe Kastriot, edhe Skënderbe, duke simbolizuar te emri të gjithë qytetarët shqiptarë, besimin, historinë e tyre.

Berat më 17.01.2018

Please follow and like us: