Albspirit

Media/News/Publishing

Trajkoviq: Pas vrasjes së Ivanoviç fshihen qarqet serbe

Ish-deputetja serbe e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka folur për vrasjen e politkanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, në Mitrovicën e Veriut. Ajo ka akuzuar themeluesit e Listës Serbe për atentatin ndaj ish-deputetit serb të Kosovës.
Trajkoviq ka deklaruar  se në mesin e serbëve të Kosovës ekziston besimi se vrasja e politikanit ishte e organizuar nga qarqet serbe.
“Fatkeqësisht Beogradi nuk po na lejon të flasim. I lejon të flasin vetëm ata që mendojnë ashtu siç mendon Beogradi. Edhe duhet të flasim vetëm ashtu siç mendon negociatori jonë me Ramush Haradinajn, sepse Ramush Haradinaj e ka thënë publikisht në një intervistë së fundi se të gjitha marrëveshjet për të ardhmen e serbëve ai i negocion me Millan Radojiçiqin”, ka thënë Trajkoviq.
“Për bashkësinë ndërkombëtare ky është lider jotransparent, ose ta them më ashpër, njëri prej shefave kryesorë të mafisë në territor të Kosovës”, është shprehur ajo.
Radojiçiq është njëri prej personave që e kontrollon Listën Serbe. Ai dyshohet që së bashku me Zvonko Veselinoviqin janë shefat kryesorë të nëntokës në Mitrovicën e Veriut, raporton Zëri.
“Njerëzit janë të frikësuar. Një pjesë e serbëve ka qejf të besojnë që këtë e kanë bërë shqiptarët për ta hequr vëmendjen prej Gjykatës Speciale, e një pjesë ma e madhe, shumica e serbëve besojnë që prapa kësaj qëndrojnë qarqe, fatkeqësisht, të lidhura me Beogradin”, ka thënë Trajkoviq.

Please follow and like us: