Albspirit

Media/News/Publishing

Rezart Taçi: Nuk jam nën hetim, lajme të fabrikuara! E shita ARMO-n

Ish-manjati i naftës Rezart Taçi, i ka hedhur poshtë lajmet se ndaj tij ka nisur një hetim për mospagesën e taksave dhe tatimeve. Kësaj radhe Taçi akuzohet se ka shmangur pagesën e TVSH-së, akcizës dhe taksën e karbonit, gjatë kohës që ka pasur nën administrim kompaninë “ARMO”. Sipas prokurorisë, shmangia e këtyre detyrimeve kap një vlerë që shkon mbi 8 milionë euro. Këtë konstatim fillimisht e ka bërë një audit i tatimeve që kontrolloi veprimtarinë e “ARMO”-s për vitet 2011-2013. Dhe në bazë të këtij raporti prokuroria nisi hetimet dhe e ka dërguar në gjykim. Po në një lidhje direkt telefonike Taçi e mohoi këtë lajm. 

“Sapo e dëgjova nga ju. Është totalisht i pavërtetë. Ku e keni verifikuar? Është totalisht i pavërtetë. Është një media që e ka fabrikuar dhe ju e merrni për të vërtetë”, – tha Taçi.

Sipas lajmit të publikuar një fakt që prokuroria ka në dorë kundër Taçit është se në një kohë kur “ARMO” nuk shlyente detyrimet tatimore me argumentin se nuk kishte likuiditet, janë regjistruar tërheqje të konsiderueshme disa milionë euro nga llogaritë bankare të firmës, të cilat nuk dihet se ku kanë përfunduar.

Tanimë i takon gjykatës së Tiranës të vlerësojë hetimin e prokurorisë dhe argumentet kundër. Ashtu si edhe në procesin e parë, Rezart Taçi po gjykohet në mungesë pasi prej më shumë se dy vitesh është larguar nga vendi.

Ai u akuzua edhe nga autoritetet zvicerane për mashtrime me disa firma, por për momentin nuk dihet se si kanë përfunduar këto procedura. Ish manjati i naftës Rezart Taçi, pa një rënie të lirë të të gjitha firmave që kishte krijuar në Shqipëri, pasi privatizoi ARMO-n.

Please follow and like us: