Albspirit

Media/News/Publishing

Papa Françesku: Lajmi i parë i rremë gjendet në Bibël…

Papa Françesku denoncoi taktikat hileqare të atyre që shpërndajnë lajme të rreme, e tha se rasti i parë i keqinformimit është në Bibël, kur Eva tundohet nga gjarpri për të ngrënë frutin e ndaluar. “Ky episod tregoi pasojat e rënda që mund të kenë lajmet e rreme”, shkruan Papa në një dokument, ndërsa shtoi se “këto lajme sjellin përhapjen e arrogancës dhe urrejtjes”. Papa nxiti përdoruesit e medieve sociale dhe gazetarët që të demaskojnë taktikat manipulative që shkaktojnë ndarje. Dokumenti i titulluar “E vërteta do t’iu çlirojë. Lajmet e rreme dhe gazetaria për paqen”, shënon herën e parë që Papa shkruan për këtë temë. Edhe kreu i Vatikanit nuk ka mundur të qëndrojë larg diskutimit sesi duhet ndaluar përhapja e lajmeve të rreme në mediet sociale. “Përhapja e lajmeve të rreme mund t’u shërbejë qëllimeve të caktuara, ndikimit te vendimet politike apo interesave ekonomike”, shkruan Ati i Shenjtë. Duke i krahasuar lajmet e rreme me gjarprin e Biblës, Papa Françesku thotë se duhen zbuluar ata që përdorin taktikat hileqare të atyre që fshihen dhe mund të sulmojnë në çdo kohë. Papa theksoi rëndësinë e rolit të gazetarëve në këtë çështje, duke i quajtur ata mbrojtësit e lajmeve, që nuk kanë thjesht një detyrë, por një mision.

Please follow and like us: