Albspirit

Media/News/Publishing

Martha Medeiros: Vdes ngadalë-shqipëroi Klodeta Dibra

 

Vdes ngadalë
kush bëhet skllav i huqit zakonor,
duke rrahur ditë më ditë të njëjtat udhë,
kush nuk ndërron marshin,
kush nuk rrezikon e nuk ndryshon ngjyrën e rrobave,
kush nuk i flet të panjohurit.


Vdes ngadalë
kush i eshtet një pasioni,
kush pëlqen të zezën mbi të bardhë dhe pikat mbi “i”
më shumë sesa një tërësi emocionesh,
pikërisht ato që bëjnë sytë të xixëllojnë,
ato që e shndërrojnë gogësimën në një buzëqeshje,
ato që bëjnë zemrën të brofë
kundruall gabimit dhe ndjenjave.


Vdes ngadalë
kush nuk e kthen përmbys tavolinën,
kush është i palumtur në punë,
kush nuk rrezikon bindjen për mëdyshjen e ndjekjes së ëndrrës,
kush nuk i lejon vetes të paktën një herë në jetë
t’i përvidhet këshillave të arsyeshme.


Vdes ngadalë
kush nuk rrugëton,
kush nuk lexon,
kush nuk dëgjon muzikë,
kush nuk gjen hir në vetvete.


Vdes ngadalë
kush rrënon sedrën e vet,
kush nuk lejon ta ndihmojnë,
kush kalon ditët duke përvajtuar fatin e vet
apo duke u qarë për shiun që nuk pushon.


Vdes ngadalë
kush braktis një projekt pa e filluar ende atë,
kush nuk pyet për gjërat që nuk i di,
kush nuk përgjigjet kur e pyesin për gjërat që njeh.


E shmangim vdekjen me doza të vogla
duke sjellë ndër mend gjithëherë se të jesh i gjallë
kërkon një mundim shumë më të madh
sesa thjesht të marrim frymë.


Vetëm durimi i zjarrtë
do të sjellë kapjen
e një lumturie të magjishme.

Please follow and like us: