Albspirit

Media/News/Publishing

Tradhtia shqiptare e agjentit Kim Philby

 

 

BBC ka transmetuar për herë të parë filmimet e ish-spiunit famëkeq britanik Kim Philby, një nga agjentët më të rëndësishëm të shërbimit sekret britanik, që më pas u arratis në Moske ku dhe vdiq.

Ato janë gjetur në arkivat e ish-shërbimit sekret gjermano-lindor Stasi, ku ai flet për jetën e tij si agjent i dyfishtë. Në këtë fjalim ai flet në një seminar me agjentët gjermano-lindorë ku u mëson se si të jenë të suksesshëm në spiunazh.

Filmimet janë të parat që publikohen për të, sidomos pas arratisjes së tij spektakolare, ku ai flet për tradhtinë ndaj Britanisë. Philby përmend edhe një episod për të ilustruar kostot njerëzore të tradhtisë së tij.

Në kohën kur ai ishte me detyrë në Uashington si ndërmjetës mes shërbimeve sekrete amerikane, CIA-s dhe FBI-së, dhe atij britanik, SIS, Philby tradhtoi, transmeton “Top Channel” operacionin sekret të dërgimit të mijëra shqiptarëve të arratisur në vendin e tyre për të përmbysur regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Kim Philby informacionet për kohën dhe vendndodhjen e të ashtuquajturve diversantë, ia kalonte KGB-së sovjetike e kjo e fundit më pas Sigurimit të Shtetit në Tiranë, i cili asgjësoi shumë prej tyre.

Në leksionin e tij, Philby pretendon se ka ndihmuar për parandalimin e Luftës së Tretë Botërore. Ai pretendon se, nëse nuk do të kishte kompromentuar operacionin dhe nëse ai do të kishte pasur sukses, CIA dhe shërbimi sekret britanik do të tentonin sërish të njëjtën gjë në vende të tjera si Bullgaria. Sipas tij, kjo do të çonte në ndërhyrjen e ish-Bashkimit Sovjetik, duke çuar në një luftë të vërtetë.

Kim Philby arriti të shndërrohej në një nga drejtuesit më të lartë të shërbimit sekret britanik SIS, siç njihej gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Madje, ai ishte shumë pranë marrjes së postit të shefit të këtij shërbimi. /TCH/

Please follow and like us: