Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Çapajev Gjokutaj: Mos u merrni me fatkeqët, por me barkdreqët

 

Rrëshqitja e tokës rrezikon shëmbje pallatesh në Gjirokastër. Mbrëmë kronikat televiziv tregonin apartamente të mbushura me gurë e dhè. Kishin buisur nga ballkonet.

Gazetari pyeste banorët në se kishte vajtur ndonjë zyrtar t’i shihte. Pastaj shtonte se bashkia i kërkon qeverisë që të shpallë gjendjen e emergjencës.

Të dhemb në shpirt kur ikje-ardhjet e energjisë të prishin televizorin a frigoriferin. Merre me mend ç’ndjen kur sheh të të ikij për duarsh shtëpia e katandia. Mundi e djersa e një jete të tërë.

Fatkeqësia e këtyre banorëve është ulëritëse, ndaj pushtetarët, qoftë ata vendorë, qoftë ata qendrorë duhet të venë. Jo për t’i parë, po për t’i ndihmuar.

Por opinioni publik dhe media duhet të kërkojnë me përparësi diçka tjetër: të nisë punën sa më parë prokuroria dhe ta bitisë, pa një pa dy, drejtësia.

Gjirokastra dhe shirat atje kanë qenë në shekuj. Por kurrë nuk ka patur shembje të tilla dheu, kaq të shpeshta e kaq masive.

Nuk ka ndryshuar as terreni e as moti. Ka dalë babëzia sheshit.

Luzma biznesmenësh, specialistësh, pushtetarësh gëlojnë në gjithë Shqipërinë dhe bëjnë ‘studim’ të terrenit, japin leje e ndërtojnë, duke injoruar ligjet e natyrës dhe ato të shtetit e duke respektuar vetëm oreksin e xhepit.

Kurse mediat dhe ne, opinioni, e vemë theksin tek fatkeqët. Por lemë në hije dhe, de facto ndihmojnë barkdreqët.

Please follow and like us: