Albspirit

Media/News/Publishing

Vdekja e mistershme e Tuk Jakovës, flet e bija: ‘Alibija’ e mamasë për mungesën e tij

Ajo që ndodhi me Tuk Jakovën natën fatale të gushtit ’59 në spitalin e burgut të Tiranës, nuk u zbardh asnjëherë. Zyrtarisht u tha se ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë. Mjekët nga ana e tyre ofruan dy opsione të tjera: Vdekje pas operacionit të apendicitit dhe plasje e papritur e tëmthit. Ende sot pas kaq vitesh kanë mbetur të dyshimta rrethanat në të cilat pushoi zemra e Tuk Jakovës, të dënuarit politikë për tradhti të lartë ndaj atdheut.

Në një rrëfim për gazetën “Panorama”, Bujana Jakova, vajza e vogël e liderit të martirizuar, për herë të parë pranon ta bëjë publike rrethanat si ka ndodhur vdekja e të atit në spitalin e burgut.

“Në atë kohë unë kam qenë gati tetë vjeçe. Deri te ky çast fatal mamaja nuk na kishte thënë asnjëherë se babai ishte në burg. Mungesën e tij në shtëpi ajo e justifikonte duke thënë se ndodhej me punë jashtë rrethit. Kishte ndodhur dhe herë të tjera që ai largohej për ditë të tëra, duke shkuar nga njëri qytet në tjetrin, por edhe jashtë shtetit për arsye të detyrës. Pak a shumë, ne ishim mësuar me një ritual të tillë. Së paku unë, më e vogla e fëmijëve, nuk kisha arsye të mos e besoja alibinë e mamasë. Dhe gjatë tërë kohës prisja me padurim të trokiste te dera, i lodhur meve të shumta…”, thotë Bujana, vajza e Tuk Jakovës.

“Tronditja e jashtëzakonshme e atyre çasteve, por sidomos mungesa e ish-shokëve, miqve dhe kolegëve të babait në këtë ngjarje të rëndë, na bindi se nuk bëhej fjalë për një vdekje të zakonshme, për një vdekje në detyrë. Hap pas hapi pastaj lajmi mbuloi dhenë. Ishte patjetër një lajm i kobshëm, por akoma më të rëndë e bënin zërat që qarkullonin për mënyrën si babai kishte ndërruar jetë. Kishte që thoshin se e kishin vrarë, kishte të tjerë që thoshin se e kishin lënë qëllimisht të vdiste. Dikush përmendte apendicitin e plasur, një tjetër mungesën e mjekimit pas operacionit etj”.

Please follow and like us: