Albspirit

Media/News/Publishing

Politikë mistreci e një kryetari shteti

Jean Claude Juncker, presidenti i Komisionit Europian, nuk tha gjë për krimin e organizuar gjatë vizitës në Tiranë. Por gjatë prononcimeve në kuadër të turit të tij në rajon, ai theksoi se për Shqipërinë mbetet problem krimi i organizuar.

Nuk duhet sa i besueshëm është një zyrtar i tillë, por duhet të pranojmë gjithsesi se çështjet e drejtësisë penale janë thelbësore për vendin tonë. E teksa krimi mbetet pengesë për integrimin apo për hapjen e negociatave, problemet kufitare janë parimore në kuptimin se atoj mund të sjellin dështime pavarësisht standardit të një vendi. Juncker ka kërkuar nga Kosova që të ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi. Edhe pse ky është një kusht cinik në raport me liberalizimin e vizave ai është i qartë:

Është esenciale që vendi i juaj të votojë së shpejti demarkacionin, është hap kyç i pashmangshëm, i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave, ku bashkëqytetarët tuaj shqiptarë e serbë do të jenë përfituesit e kësaj, ka thënë Juncker.

Një politikë e tillë nuk mund të mos ketë brenda mesazhe edhe për vendin tonë që diskuton së fundmi një problem kufitar me Greqinë. Në fakt me opozitën dhe Presidentin e Republikës. E qartë është se komplikimi i problemit me Greqinë do të vendoste Shqipërinë në kushtet e njëjta me Kosovën dhe në këtë kuptim qëndrimi i opozitës për dërgimin e marrëveshjes së detit në Arbitrazh ngjan disi absurde. E para kjo do të pohonte një problem të pazgjidhur që do të kërkojë kohë.

E dyta, teza në fjalë është absurde edhe për faktin se pala greke ka pranuar rinegociimin e marrëveshjes së vitit 2009, ndonëse në klauzolat e saj thuhet se çdo mosmarrëveshje zgjidhet me gjyq ndërkombëtar apo arbitrazh. Nga kjo pikëpamje rinegociimi favorizon një zgjidhje më të mirë për Shqiperinë e cila mbetet teorike sa kohë që nuk ka një tekst final.

Në këtë kuadër lojën më të pistë duket se po e luan presidenti i Rublikës, i cili nuk dihet më se çfarë kërkon dhe ku do të dalë. Vonesat dhe kërkesat e shtuara nuk garantojnë asgjë pasi garancitë te personat dhe procedurat janë vetëm një aspekt. Siç e pamë në rastin e vettingut asgjë nuk pengon që në fund të kemi produkt jo të mirë. Presidenti sigurisht që është në tagrin e tij, por zhvendosja e negociatave të tij me Ministrinë e Jashtme në vëmendje të publikut është politikë timzare që synon prishjen e klimës.

Është e paqartë se çfarë kërkon presidenti në Komisionin Parlamentar me Jashtë përveçse të zbulojë skrupolozitetin e tij si garant i Kushtetutës ndërkohë që deri më sot nuk ka konstatuar asnjë shkelje të vetme. Nuk është çudi që Presidenti të vihet me “stil opozitar” para një dokumenti kompromentues për ndonjë prej negociatorëve por kjo pak ka të bëjë me seriozitetin e një shtetit. Ajo që sot po fermentohet në një plan të gjerë është fakti se duke tentuar të neutralizojnë një sukses eventual për Edi Ramën në politikën e jashtme poi japin atij një alibi për shtyrjen e negociatave. Mund të imagjinojmë që tani një qeveri që justifikon mos-hapjen e tyre me problemet kufitare me Greqinë, ndërkohë që z. Meta rikonfirmohet edhe njëherë si kampioni i lojërave të vockla, sidomos tani që partisë së tij po i rrëshket toka nën këmbë. Është një lojë nga e cila vetëm vendi nuk fiton./respublica/

Please follow and like us: