Albspirit

Media/News/Publishing

Uashington: Një rrugë me emrin Boris Nemtsov, udhëheqësit të vrarë të opozitës ruse

Një rruge pranë ambasadës ruse në Uashington iu vendos emri i Boris Nemtsovit, një udhëheqës i opozitës ruse, i cili u vra tre vjet më parë në Moskë. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Elizabeth Cherneff sjell më shumë detaje.

Një grup i vogël njerëzish u mblodh në Uashington në ceremoninë e emërtimit të një rruge pranë ambasadës ruse, Boris Nemtsov. Ish zëvendës kryeministri rus dhe një nga kritikët e mëdhenj të presidentit Vladimir Putin u vra në vitin 2015 në një urë pranë Kremlinit.

Në ceremonisë e zhvilluar dje, zyrtarët e qeverisë së qytetit dhe ligjvënësit amerikanë nderuan punën e udhëheqësit të vrarë të opozitës ruse.

Për vajzën e Boris Nemtsov-it, kjo ishte hera e parë që nga vrasja, që babai i saj nderohej.

“Është shumë e vështirë të përshkruaj atë që ndjej tani, kemi luftuar për shumë kohë që kjo të ndodhë. Shumë njerëz ishin të përfshirë. Ndoshta një ditë do të jem në gjendje ta analizoj, por kur shoh rrugën “Boris Nemtsov”, ndihem krenare”, tha Zhanna Nemtsov, vajza e Boris Nemtsovit.

Kur u vra në vitin 2015, ish udhëheqësi i opozitës po punonte mbi një raport mbi rolin e Rusisë në konfliktin e Ukrainës.

I pyetur lidhur me ceremoninë për nder të tij, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit iu referua trashëgimisë së Boris Nemtsovit, për t’i dërguar një mesazh të qartë Rusisë.

“I bëjmë thirrje qeverisë ruse t’i përmbahet detyrimeve për të mbrojtur të drejtat universale të njeriut, përfshirë lirinë e shprehjes, tubimin paqësor dhe lirinë për krijimin e grupimeve. I bëjmë thirrje qeverisë ruse të sigurojë, që të gjithë ata që kanë patur rol në vdekjen e tij, përfshirë ata që e organizuan apo që urdhëruan vrasjen, të dalin përpara drejtësisë”, tha Heather Nauert.

Të dielën e kaluar në Moskë, mijëra rusë u mblodhën për të shënuar përvjetorin e vdekjes së Boris Nemtsovit. Ata vendosën lule dhe nderuan ish udhëheqësin opozitar në një memorial të improvizuar në qytet.

“Ai ishte një njeri i madh, guximtar, i ndershëm dhe me parime. Ai do të kujtohet gjatë dhe me kalimin e kohës, kësaj urë do t’i vendoset emri i tij, sikurse do të vendoset dhe një monument”, thotë Yevgeny Yavistky, arkitekt.

Please follow and like us: