Albspirit

Media/News/Publishing

“Le Pont” bazuar mbi romanin e Kadaresë inskenohet në Francë

Një ekip i artistëve shqiptarë është bërë bashkë në Paris për ta zbërthyer njërën prej veprave më të njohura të Ismail Kadaresë.

Fuqia poetike, mitet dhe legjendat që paraqiten përmes metaforave në këtë vepër, e kanë nxitur regjisorin kosovar që jeton në Francë, Simon Pitaqaj, të marrë përsipër inskenimin e romanit “Ura me tri harqe” të Kadaresë, shkruan sot “Koha Ditore”.

E realizuar nga një produksion francez, kjo shfaqje do të shpaloset para publikut atje, por me një qasje që përkon me realitetin politik të sotëm. Vepra “Ura me tri harqe”, e cila u kthehet zanafillave mitike e legjendave shqiptare, flet për ndërtimin e një ure të rëndësishme në Via Egnatia në territorin shqiptar prej viteve 1377 deri më 1378, pak kohë para se të niste okupimi i Perandorisë Osmane. Megjithatë, brenda vetes kjo vepër ka metaforën dhe lidhet me realitetin kur qe shkruar, në vitin 1978.

Njëjtë sikur romani edhe shfaqja përcillet me mistoriozitetin dhe metaforat e njëjta. Ngjarja rrëfehet përmes dy personazheve. Pitaqaj rolet ua ka besuar aktorëve të njohur kosovarë, të cilët po ashtu jetojnë në Francë, Arben Bajraktaraj dhe Rexhep Mitrovica. Pjesë e ekipit të kësaj shfaqjeje është edhe kompozitori e pianisti i njohur Liburn Jupolli, i cili ka kompozuar muzikën për këtë shfaqje, duke u bazuar në romanin e Kadaresë.

Shfaqja, e cila titullohet “Le Pont” (Ura) do ta ketë premierën më datën 13 të muajit mars në “Theatre Le Colombier” në periferi të Parisit.

 

Please follow and like us: