Albspirit

Media/News/Publishing

Mbledhja e 2 mijë librave nga studentët, “leksion” për Tiranën dhe Prishtinën zyrtare

Kreu i Komunës së Bujanovcit:  Mbledhja e 2 mijë librave nga studentët, “leksion” për Tiranën dhe Prishtinën zyrtare
Fushata 3 mujore  “Një libër më shumë për Preshevën”, e organizuar nga studentët e masterit shkencor në Kolegjin Universitar “Bedër” u mbyll me një aktivitet, ku të ftuar të veçantë ishin drejtuesit më të lartë të institucioneve shqiptare në Serbi, por  edhe përfaqësues të botës akademike, gazetarisë dhe shoqërisë civile.
Nisma rezultoi e suksesshme, pasi u mblodhën rreth 2 mijë libra në shqip, falë kontributit të qytetarëve, shkollave dhe shtëpive botuese në Shqipëri, të cilat do t’iu dhurohen bibliotekave në Preshevë dhe Bujanovc.
Kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, z. Shukri Ymeri dhe kreu i Komunës së Bujanovcit, z. Shaip Kamberi shprehën falenderime të sinqerta për iniciativën e studentëve të Kolegjit Universitar “Bedër”, duke e vlerësuar këtë si një mësim të mirë edhe për Tiranën e Prishtinën zyrtare, të cilat nuk kanë qenë prezente sa duhet në problematikat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku një ndër ato ishte edhe mungesave e teksteve shqip për nxënësit e shkollave shqipe në këto zona.
Kosova të insistojë që çështjet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të jenë pjesë e axhendës së dialogut të ri në Bruksel, formatit të ri që po zhvillohet. Nuk mund të ketë zgjidhje afatgjatë dhe stabile për Ballkanin Perëndimor derisa tentativa, qoftë edhe e bashkësisë ndërkombëtare është ajo që të krijohen pakica të privilegjuara, siç është rasti me serbët e Veriut të Kosovës, ndërkohë që shqiptarëve në Luginën e Preshevës t’u mohohen edhe të drejtat elementare”, u shpreh mes të tjerash kryetari i Komunës së Bujanovcit, z. Shaip Kamberi.
Një lajm tjetër i mirë, vendimin e të cilin e ndau me të pranishmit në këtë aktivitet rektori i Kolegjit Universitar “Bedër” Prof. Dr. Ferdinand Gjana ishte dhe dhënia e 15 bursave të studimit për vitin e ardhshëm akademik 2018-2019, për studentët që vijnë nga Presheva, Bujanovci dhe Medvegja.
Please follow and like us: