In memoriam Peter Prifti – Dedikimi për Fan Nolin, Peteri dhe Naum Prifti
Rafaela Prifti




Veprat, fjalimet, artikujt dhe dokumentet publike janë burimet e para për njohjen e figurave të mëdha. Por hollësitë që në pamje të parë duken të vogla, si për shembull, një letër personale, një libër i dhuruar apo një dedikim, i japin portretit të tyre ngjyra dhe plotësime që kanë vlerë të veçantë. Në këtë përvjetor të lindjes së Peter Priftit (24 nëntor 1924 – 17 gusht 2010), një letër e tij zbulon një episod që hedh dritë mbi lidhjet mes vëllezërve Prifti dhe Fan Nolit.
Në vitin 1960, Peteri dhe Naumi ndodheshin rreth pesë mijë milje larg, njëri në Boston, ndërsa tjetri në Tiranë. Nga letra që Peteri i dërgoi Naumit më 4 korrik 1960 mësojmë se ai ia kishte dhuruar Nolit kopjen e vëllimit të parë të Historisë së Letërsisë Shqipe, të cilën ia kishte dërguar i vëllai. Në këtë letër, Peteri i kërkon Naumit, së pari, një kopje tjetër të vëllimit të parë, për të zëvendësuar atë që i kishte dhënë Nolit. Gjithashtu, i kërkon dy kopje të vëllimit të dytë, njërën për vete dhe tjetrën për Nolin. Për kopjen që do t’i dërgohej Nolit, i sugjeron Naumit të shkruante një dedikim.
Kështu, në bibliotekën e Nolit, vëllimi i parë me dedikimin e Peterit dhe vëllimi i dytë me dedikimin e Naumit ruajnë një copëz të kulturës epistolare shqiptare. Ato flasin për respektin dhe lidhjet intelektuale mes tyre. Së bashku me letrën, dedikimet na japin mundësinë ta rindërtojmë këtë episod dhe të kapim diçka nga jeta e përditshme e kohës: si qarkullonin librat, si tregohej miqësia dhe si shprehej vlerësimi për një figurë si Imzot Fan Noli. Episode të tilla ndihmojnë të plotësohet historia epistolare shqiptare, si një fushë ende pak e studiuar.
Fragment nga letra
14 Pleasant St.
Cambridge 39, Mass.
4 Korrik, 1960.
I dashur vëllai im Naum,
Me shumë gëzim mora letrën tënde, të datuar 19 Maj, 1960. Gëzohem që jeni të gjithë mirë.
Për çupën e dytë që ju lindi, ju dërgova një kabllogram urimi, të cilin duhet ta kini marë. Po përsëri uroj që çupa t’ju rojë, e ta rritni gëzuar, e tjatër herë me djalë.
Të katër librat që më dërgove i mora dhe të falem nderit shumë. Të jam mirënjojtës për këtë të mirë. Të dy librat historike janë të nevojshme, dhe një pasuri për librarinë time. Mirëpo, librin e Historisë të Letërsisë Shqipe nuk e kam më. Ia bëra dhuratë Fan Nolit, i cili më tha se nuk e kish atë librë. Prandaj, i dhashë timin. Në është e mundur, dërgomë një copë tjatër të librit në fjalë, si edhe dy copë të vëllimit të dytë të Historisë të Letërsisë Shqipe, që të kem një për vete dhe një t’ia jap Fan Nolit. Atë të Nolit, po tē duash mund ta autografosh vetë.
Fjalorin e S.Mann-it ta dërgova me postë tri javë të shkuara. Bashkë me fjalorin të dërgova 4 libra Frëngjisht: “La fin de Chéri”, prej Colatta, “L’Epil at Le Royasime”, prej Albert Camus, “Thérés” prej Andre Gide, “Paradês Perdu”, prej E. Hemingway. Mjerisht, novela të François Sagan nuk gjeta, po në qoftë se gjej gjëkundi, do të t’i dërgoj. Unë kam lexuar një novelë të saj, “Bonjour Tristesse”, në Inglisht dhe e pëlqeva mjaft.
Po pres me interesim librin tënd të ri, “Çezma e Floritit”. Me këtë rast, çfaq gëzimin tim për botimin kësaj vepre të re nga dora jote. Shumë bukur, i dashur vëĺla. Të uroj të vazhdosh në udhën e mbarë që ke marrë, duke krijuar vepra në vlerë për shoqërinë njerëzore, vepra që pasqyrojnë me besnikëri dhe simpathi jetën e popullit.
Mua, kohë më kohë, më bie në dorë nonjë botim nga Shqipëria që përmban nonjë tregim prej teje. Kështu, kam lexuar tregimet “Brazda e fundit”, “Një Ndër të Shumtët” dhe “Letra e Turkut”.
…………..
Miqve tonë aty në Tiranë, të fala.
Vëllau yt i dashur,
Pandeli.